Petrit Sinaj: Bashkëpunim me qytetarët, Berati është shtëpia jonë e përbashkët

Bashkia Berat zhvillon analizën e punës për vitin 2016 

U zhvillua sot analiza e vitit 2016 për Bashkinë e Beratit. Të gjitha drejtoritë prezantuan me fakte, shifra dhe realitete konkrete, mbi atë se çfarë konkretisht ishte bërë përgjatë vitit të kaluar. Në analizën e sotme çdo drejtori paraqiti punën e bërë, problemet e vërejtura por edhe sfidat me të cilat u përball institucioni i rëndësishëm vendor në vitin e kaluar.

Në analizë u theksua trendi rritës përsa i takon treguesve si të ardhurat e bashkisë, shërbimet publike, projektet e ndryshme që po gjejnë zbatim në qytetin e një mbi një dritareve. Bashkia e Beratit përgjatë vitit të kaluar realizoi të ardhurat nga tatimet dhe taksat në masën 84%, u realizua buxheti në masën 85%. Bashkia e Beratit u theksua në analizën e sotme është sot pa asnjë detyrim ndaj të tretëve, çka ka treguar për një menaxhim të mirë të të ardhurave.

 Kryebashkiaku Petrit Sinaj gjatë analizës, e vuri theksin tek performanca e mirë e institucionit në vitin e kaluar i cili duhet të krahasohet jo vetëm me vitin 2015, por edhe me objektivat e vendosura për vitin 2016. Ai i ka konsideruar të gjitha pjesët e bashkisë dhe ka ftuar që secili të bëjë maksimumin në funksion të mbarëvajtjes së institucionit. Gjithashtu kryetari i bashkisë në fjalën e tij kërkoi nga administrata e bashkisë bashkëpunim të ngushtë me qytetarët për të mirën e përbashkët. “Berati është sot ndër dhjetë bashkitë me performancën më të mirë në vend”,-tha Sinaj. “Dhe ky realitet është bërë i mundur falë punës së gjithesecilit”,- tha ai.

Më tej ai u ndal edhe tek bashkëpunimi me organizma të rëndësishëm ku veçoi Fondin e Zhvillimit të Rajoneve i cili në buxhetin e bashkisë zë 56% të të ardhurave për investime. Sinaj tha se do të kërkonte shpërndarjë me të drejtë të fondeve sipas numrit të popullsisë, pasi në Qarkun e Beratit ka bashki që kanë marrë më shumë fonde edhe pse kanë popullsi dhe sipërfaqe më të vogël se Bashkia Berat. Në analizë u ravijëzuan edhe objektivat e drejtorive të bashkisë për vitin 2017, ku binte në sy përcaktimi i qartë i prioriteteve në investime, arsim, sport, shërbime cilësore publike etj.