Sot mbledhja, cilët ministra do shkarkohen pas Tahirit (EMRAT)

Shkarkimi i Tahirit duket se do të shoqërohet edhe me largime të ministrave të tjerë socialistë.

Sot, në orën 10:00 në selinë rozë, kryetari i PS-së, Edi Rama, do të mbledhë kryesinë e vogël, sekretariatin dhe ministrat që janë të deleguar në krye të qarqeve për mbarëvajtjen e organizimit elektoral në to. Pritet që në këtë takim të njoftohen dhe largimet e ministrave të tjerë.

Burime pranë Partisë Socialiste pohuan dje se ministrat që pritet të largohen janë ai i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ministri i Industrisë Damian Gjiknuri, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Beqaj është akuzuar si nga aleati i socialistëve në qeveri, LSI, ashtu edhe nga opozita.

Beqaj është i deleguari i Kryesisë socialiste në qarkun e Kukësit për mbarëvajtjen e organizimit elektoral. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, është në krye të organizimit elektoral në qarkun e Lezhës, ministri Bushati në qarkun e Shkodrës dhe Gjiknuri në qarkun e Vlorës, atje ku kandidon dhe Kryeministri Rama.

Ende nuk është e qartë nëse këto lëvizje vijnë për shkak të largimit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, pas kërkesave të vazhdueshme të LSI-së dhe opozitës, apo për shkak të organizimit më të mirë të PS-së për zgjedhjet e 18 qershorit. Burime nga Partia Socialiste thanë dje se Kryeministri Rama u ka tërhequr vërejtje ministrave të tij se punët organizative dhe elektorale në qarqe nuk mund të përmbushen vetëm në fundjavë, kur ata kanë mundësi për të shkuar pranë strukturave partiake.

Me lirimin e tyre nga detyra e ministrit, koordinatorët elektoralë do të ketë kohën dhe hapësirën e duhur për të përmbushur këtë mision. Mësohet se kreu i PS-së u ka kërkuar drejtuesve të qarqeve që të garantojnë rezultatin e zgjedhjeve të 2013-s për Partinë Socialiste nëse do të duhet ta quajnë të suksesshëm misionin e tyre partiak.

Burime nga Qeveria thanë dje se freskimi i qeverisë do të jetë po politik, duke përjashtuar mundësinë e përfshirjes së ekspertëve apo teknokratëve në kabinetin qeveritar. Por mësohet se zëvendësuesit e ministrave që pritet të largohen, të kenë një profil më të ulët politik, duke mos përjashtuar faktin se ata do të vijnë nga Grupi Parlamentar socialist.

Nuk dihet se sa lëvizjet e ministrave më të rëndësishëm të Partisë Socialiste, si nga profili i tyre politik, ashtu dhe nga rëndë- sia e reformave të qeverisë, do të pranohen nga opozita, e cila prej 22 ditësh proteston duke kërkuar qeveri teknike. Ministrat që pritet të lëvizen janë konsideruar më të suksesshmit e kësaj maxhorance për shkak të reformave që janë kryer në këto katër vjet.

Reforma në shëndetësi, reforma në arsimin e lartë, reforma në energjetikë, reforma në Policinë e Shtetit, por dhe reforma në shërbimin e jashtëm, janë kryer në ministritë që drejtohen nga ministrat që priten të largohen. Ende nuk dihet se cili do të jetë motivacioni me të cilin Kryeministri Rama do të shoqërojë këto lëvizje.-panorama.al