Humbja vret edhe fitimtarët

0

Vlen më shumë një kujdes i ekzagjeruar, sesa një ndërhyrje e mëpasme e vonuar, më mirë parandalimi sesa kurimi. Sepse nuk ja vlen të preket fundi për të pritur të rinisë ngritja. edhe për fitimtarët, edhe për humbësit. Sepse në një rast të tillë, humbasin të gjithë!…

Nga Lorenc Vangjeli

Nuk ka marrë kthesë, por ka vazhduar në të njëjtën tatëpjetë politika shqiptare. Edhe opozita, edhe qeveria, e para me deklarime të nxehta, e dyta me pritje të ftohtë, kanë hyrë në një kurs përplasjeje direkte. Një kurs ndeshjeje që nuk parathotë asgjë të mirë për të nesërmen e të dy palëve dhe mbi të gjitha, nuk premton asgjë të mirë për të nesërmen e vendit. E nesërmja paraqitet në disa versione, ose njëra, ose tjetra, ose të dyja njëkohësisht do të dëmtohen nga përplasja ballore. Përtej këtyre versioneve, është pothuaj aksiomë që në të tre rastet, ndeshja ekstreme drejt të cilës premtohet se do të shkohet së paku nga opozita, dëmton gjithë vendin.

Nga dita e parë e protestës në 18 shkurt, tek thirrjet pothuaj për luftë më pas, (luftë doni, luftë do të keni!), nga pothuaj gatishmëria për t’u ulur për bisedime në të premten e shkuar, në pothuaj vendimmarrjen e një jave më pas, për mospjesmarrje në zgjedhje, ngjan se ka kaluar si në një film me xhirim të shpejtë, pothuaj gjithë historia e postpluralizmit shqiptar. Me një “mungesë” ende fatlume, vitin e kobshëm 97’ dhe stinën e frikshme të vjeshtës 98’. Si në një film që shihet me xhiro të shpejta, në këto tre javë me opozitë në shesh, është parë edhe tensioni i 91-shit, i 92-shit, 94-ës, 96-ës, 2001-shit, 2005-ës, 2007-ës dhe 2009-2011-ës. Nga 97’-98’ kanë kaluar 20 vjet. Dhe 20 vjet më pas duket se Shqipëria po hyn me këmbën e majtë në një stinë dhe në një spirale krize të paralajmëruar, nga e cila do të jetë shumë e vështirë të dilet. Dhe kur të dilet, as Shqipëria dhe as aktorët politikë, me shumë gjasa nuk do të jenë më të njëjtët.

Historia po përsëritet me pothuaj të njëjtën retorikë, me më shumë liri qytetare, por dhe me më shumë liri e pavarësi nga logjika e ftohtë; të gjithë shohin greminën e hapur përpara, por askush nuk po bën hapin e parë për të ndaluar. Për t’u mbushur me frymë. Për t’i dhënë kohë kohës. Sepse kriza e kohës është e para krizë që mund të pranohet zyrtarisht se ka nisur.

Reforma në drejtësi, e votuar me konsensus të plotë në korrikun e shkuar ka hyrë në ngërç. Institucionet e reja të parashikuara për t’u ngritur në mënyrë bipartizane mungojnë dhe do të mbesin ende të bllokuar. “Shtëpia” e vjetër e drejtësisë është premtuar se do të shembet dhe është në shembje e sipër, është vizatuar arkitektura e plotë e shtëpisë së re të saj, por ajo ka mbetur në skela. Për punë ditësh, një figurë simbolike e republikës parlamentare duhet të lerë zyrën e presidentit dhe Shqipëria duhet të njohë presidentin e ri. Por deri më tani nuk ka ende asnjë identikit të portretit të tij, pa llogaritur që në këtë rast, procedura e zgjedhjes ka pothuaj po aq rëndësi sa dhe vetë emri i të zgjedhurit/ të zgjedhurës.

Dy pushtetet e tjera, legjislativi dhe ekzekutivi janë në fund të mandatit dhe mandati i ri – vazhdueshmëria e qeverisjes normale të vendit – është nën kërcënim nga kërcënimi i opozitës për të mos u bërë palë në zgjedhje. Në të gjitha rrethanat, vota është e drejtë, por jo detyrë dhe detyrim dhe nëse opozita nuk e ushtron këtë të drejtë, mund të ketë teorikisht zgjedhje, por ato nuk do të prodhojnë zgjidhje. Do të afrojnë legjitimitet numerik, por jo legjitimitet politik dhe moral, çka do të helmonte klimën për çdo skemë të re qeverisëse në raport me moralin dhe me vetë opozitën e qytetarëve kundër, të papërfaqësuar në institucione. Media është në turrën e druve si një nga aktorët, autorët dhe fajtorët dhe si shkak për pasojën që po jeton gjithë shoqëria. Edhe ajo është tashmë një pushtet që i është cenuar rëndë besueshmëria. Sidomos në një kohë kur mungojnë apo nuk dallojnë autoritetet morale, jashtë tre pushteteve kushtetues dhe medias.

Edhe kësaj here, si përherë ngjan se zarat janë hedhur për t’u luajtur të gjitha për të gjitha. Me zgjedhjet e qershorit në prag, natyrisht janë të lidhur shumë fate individualë politikanësh. Edhe kësaj here si përherë qershori ngjan si beteja finale e një lufte finale. Për disa individë në politikë, mund të jetë edhe kështu. Parë nga kjo optikë, duket se kursi i përplasjes mes qeverisjes dhe të qeverisurve është i pashmangshëm. Por parë nga një optikë tjetër, nga pranimi i aksiomës se Shqipëria është padyshim shumë, shumë më e madhe se një mandat qeverisës, gjithçka ngjan tërësisht e stisur dhe artificiale.

Në këtë krizë kohe ka ende thërrime kohe në dispozicion për të shmangur të ligën. Vlen më shumë një kujdes i ekzagjeruar, sesa një ndërhyrje e mëpasme e vonuar, më mirë parandalimi sesa kurimi. Sepse nuk ja vlen të preket fundi për të pritur të rinisë ngritja. edhe për fitimtarët, edhe për humbësit. Sepse në një rast të tillë, humbasin të gjithë! (Javanews.al)