Përplasja po vjen, dikush të ndërhyjë!

0

Ndërsa pritej që pas 19 ditësh proteste, opozita dhe mazhoranca, të gjenin një marrëveshje për krizën politike, pakti mes tyre duket shumë larg. Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj vendosën përshkallëzimin e protestave në gjithë vendin. Në deklaratën e përbashkët mes aleatëve opozitarë theksohen dy qëndrimet. I pari është mos heqja dorë nga qeveria teknike. Opozita shprehet se vetëm një qeveri teknike mund të realizojë dekriminalizimin, luftën ndaj drogës dhe të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Qëndrimi i dytë i kampit opozitar ka të bëjë me shtrirjen e protestës në gjithë qytetet e vendit. Për këtë qëllim është menduar krijimi i Kuvendeve Qytetare për zgjedhjet e lira, të cilat do të jenë aktive në çdo qytet për të vijuar betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është e paqartë sesi do të funksionojnë këto Kuvende që të kujtojnë Komitetet e famshme të Shpëtimit Kombëtar në vitin 1997, ku u bëhej thirrje qytetarëve të organizoheshin, pasi shteti nuk garantonte asgjë. Duket si krahasim jo i duhur, porse këtë simbolikë po iu jep PD-ja, pra sikur nuk ka shtet.

Vendimi i opozitës vjen pas takimit që kreu i selisë blu, Lulzim Basha zhvilloi dje me ambasadorin e SHBA-ve, Donald Lu. Ky është takimi i parë publik mes diplomatit Lu dhe kreut të opozitës që nga nisja e protestave të demokratëve më 18 shkurt. Më shumë se një shtrëngim duarsh mes diplomatit dhe kryeopozitarit të vendit, takimi pritjet të jepte sinjale dhe mesazhe konkrete. Për shkak të rolit  që  SHBA ka mbajtur për miratimin e reformës në drejtësi, pas takimit u prit një reflektim dhe ndryshim kursi nga ana e opozitës. Menjëherë Lulzim Basha mblodhi gjithë krerët e partive aleate, ku jo vetëm nuk tregoi tërheqje nga kushti për largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike, por foli dhe për shtrirje të protestave në gjithë vendin.

Në tubimin e zhvilluar pasdite në çadër, Basha përsëriti qëndrimet e tij lidhur me bojkotin e zgjedhjeve. Duke përdorur një lojë fjalësh ai tha se, “nuk ka bojkot nga opozita, por zgjedhje fasadë nuk do të ketë. Rama i ka bërë llogaritë pa popullin”. Një qëndrim i tillë do të thotë mospjesëmarrje në zgjedhje. Sepse për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën, që zgjedhjet të mos jenë fasadë ka vetëm një kusht, qeveri teknike dhe largimi i Edi Ramës. Në funksion të këtij qëndrimi është jo vetëm axhenda e re e opozitës e shpallur dje publikisht nga PD-ja dhe aleatët, por edhe plani jo publik i  opozitës. Në rast se deri në datën 10 prill nuk do të ketë asnjë reflektim nga ana e maxhorancës për kushtet e opozitës, edhe ato parti opozitare që janë regjistruar në KQZ pritet të tërhiqen nga gara elektorale.

Ky skenar që po diskutohet gjithnjë e më tepër brenda radhëve të opozitës do të nxitet edhe nga protestat që po planifikohen në gjithë vendin. Mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje moralisht rrëzon gjithë procesin. Dhe jo vetëm moralisht, por edhe juridikisht, pasi nuk mund të zhvillohen zgjedhje pa opozitën. Nuk ka sens dhe nuk do lejohen nga opozita. Kjo është vendosur, edhe sikur të ketë përplasje me popull ditën e votimeve.

Ndërkohë që, edhe në kampin e majtë kanë nisur të bëjnë llogaritë për zgjedhje pa opozitën. Ka një vendosmëri të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama për të mos marrë parasysh asnjë kusht të PD-së. Kjo u duk edhe dje, teksa Kryeministri ironizonte në Facebook kushtet e PD-së me shprehjen: “Ne nuk ecim me parimin hapi rrugën budallait”.  Në kampin mazhorancës po riaktivizohen gjithë partitë e qendrës dhe me program të djathtë për t’u përfshirë në fushatë elektorale si “kundërshtare” të qeverisë. Argumenti që ka nisur të përdoret në mënyrë naive brenda koalicionit është se: “PD-ja nuk mund të ketë monopolin e opozitës në vend” dhe zgjedhjet do të bëhen. Pra, po thërrasin disa parti të vogla që t’i bëjnë opozitë! Kjo do ta radikalizojë situatën. Në fakt me këtë skemë vetëm për zgjedhje që nuk mund të flitet më.

Të gjithë skenarët e fundit që qarkullojnë te çadra e PD-së dhe tek Zyra e Qeverisë kanë vetëm një gjë të sigurt; përplasjen. Palët janë hedhur në sulm duke mos pranuar asnjë negociatë dhe marrëveshje duke shtuar vetëm tensionin dhe afrimin e kaosit politik. Në këtë situatë, me politikën rrëmujë dhe gjithë sistemin e drejtësisë që ka ngelur në ajër nga reforma e papërfunduar, vendi rrezikon të shkojë drejt destabilitetit.  Është koha që palët të ulen dhe të mendojnë seriozisht për atë që po i shkaktojnë dhe pasojat që mund t’i sjellin vendit. Basha të uli tonet e kërcënimeve dhe Rama ta marrë më seriozisht situatën, pasi vendi është në krizë dhe kriza nuk zgjidhet nga Facebook-u. Por nëse e kanë të pamundur të lëshojnë pozicionet, është koha që dikush tjetër të ndërhyjë.

Pas pak javësh shteti mbetet pa President Republike, sepse do t’i mbarojë mandati, pushteti i drejtësisë në kaos, pushteti parlamentar ka degraduar, rendi publik do rëndohet përditë e më shumë pasi politika do t’i japë krah krimit, ekonomia do rrëzohet, biznesi do tkurret.

Nuk ka kohë, ndaj reflektim nga Rama dhe Basha ose dikush të ndërhyjë për të gjetur të “mesmen e artë”. Ndryshe përplasja po vjen vrullshëm.

Qamil Xhani