Ahmet Isufi: “Çështja Haradinaj” po e çon Kosovën drejt destabilizimit”

Flet për “Koha Jonë”, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi

Intervistoi: Marjana Doda

“Rasti Haradinaj” ka shpërfaqur politikën e brishtë dhe të paaftë të institucioneve të Kosovës sepse edhe pas ndalimit të zotit Haradinaj, përfaqësuesit institucionalë të Kosovës deklarohen për vazhdimin e dialogut me Serbinë pa i vënë kushte për heqjen e listës së pjesëtarëve të UÇK-së nga INTERPOL-i ,-kështu shprehet në një intervistë për “Koha Jonë” nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi. Sipas tij, “Çështja Haradinaj” po e çon Kosovën drejt destabilizimit sepse qytetarët janë të bindur se procesi s’ka të bëjë asgjë me drejtësinë, është kryekëput politik madje, revolta po shtohet çdo ditë. Më tej, ai flet dhe për demarkacionin, duke e quajtur një pretekst për shantazh dhe presion ndaj deputetëve dhe ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës ndërlidhjen e saj me liberalizimin e vizave. “Demarkacionin me Malin e Zi nuk mund ta lejojmë të kalojë sepse ka të bëje me cenimin e territorit, i cili është i sanksionuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, -shton z.Isufi. Në lidhje me zgjedhjet lokale që Kosova pritet t’i mbajë në vjeshtë të këtij viti, për nënkryetarin e AAK-së, në situatën aktuale do ishin më të nevojshme zgjedhjet parlamentare.

-Pas 2 muajsh nga ndalimi i Ramush Haradinaj në Francë, gjykata e Colamarit vazhdoi qëndrimin edhe për një muaj. Z.Haradinaj është shprehur se: “Jam peng politik”. Çfarë do të thotë kjo deklaratë jo e zakontë?

Vendimi për vazhdimin e qëndrimit të Ramush Haradinajt deri më 6 prill tashmë dihet se është vendim politik. Prolongimi i këtij procesi me arsyetimin se po priten informatat shtese nga ana e Serbisë është absurd dhe e pa drejtë për arsye se zoti Haradinaj është ballafaquar për të njëjtat akuza dy herë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe ka fituar pafajësinë.

A mendoni se nga institucionet më të rëndësishme të Kosovës, por dhe të Tiranës zyrtare janë bërë të gjitha përpjekjet e duhura pranë autoriteteve serbe, por dhe atyre franceze dhe europiane, se një akt i tillë nuk i shërben dialogut dhe stabilitetit?

Rasti Haradinaj ka shpërfaqur politikën e brishtë dhe të paaftë të institucioneve të Kosovës sepse edhe pas ndalimit të zotit Haradinaj, përfaqësuesit institucional të Kosovës deklarohen për vazhdimin e dialogut me Serbinë pa i vënë kushte për heqjen e listës së pjesëtarëve të UÇK-së nga INTERPOL-i dhe duke pranuar temat e brendshme të Kosovës në bisedime. Edhe angazhimi për rastin Haradinaj është vetëm deklarativ dhe joserioz sepse më shumë janë angazhuar institucionet dhe politika e Shqipërisë se sa ajo e Kosovës. Qeveria e Kosovës në vend se të normalizoj marrëdhëniet me Serbinë përmes dialogut të Brukselit më shumë i ka çrregulluar dhe i ka acaruar këto raporte.

Çfarë pasojash sjell në politikën e Kosovës procesi ndaj Haradinajt?

Për rastin Haradinaj kemi një reflektim të jashtëzakonshëm të shqiptarëve kudo që janë, me anë të solidarizimit dhe protestave të vazhdueshme dhe në anën tjetër kemi një apati institucionale në Kosovë që çon drejt destabilizimit të gjendjes sepse qytetaret janë të bindur se procesi s’ka të bëjë asgjë me drejtësinë, është kryekëput politik madje, revolta po shtohet çdo ditë dhe mund të marrë përmasa të paparashikueshme.

Bashkëshortja e z.Haradinaj deklaronte pak ditë më parë se politika dhe shteti i Kosovës nuk e ka mbështetur sa duhet çështjen “Haradinaj” këto dy muaj. A po përdoret arrestimi i Haradinajt për interesa të politikës së ditës në Kosovë?

Kjo deklaratë e znj.Haradinaj nuk është vetëm opinion i saj, por gjithë qytetarët janë të mllefosur dhe të indinjuar me indiferencën dhe mënyrën e sjelljes së institucioneve të Kosovës. Franca është një ndër shtetet e para që ka pranuar shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës dhe ndalimi i zotit Haradinaj me një fletë-arresti të vitit 2004 nga një krijesë që nuk ekziston me Serbi -Mal i Zi nuk ka se si të kuptohet ndryshe që të mos ketë një reagim më energjik dhe më të fuqishëm në drejtim të shtetit francez që të mos lejohet të influencohet nga trillimet dhe fabrikimet e Beogradit.

– Provokimet e vazhdueshme serbe me kërkesën për arrestimin e z.Haradinaj, provokimi me trenin, si dhe ndërtimi dhe më pas rrëzimi i murit në Mitrovicë, e ka sjell Kosovën sërish në vëmendje ndërkombëtare. A mos është veprimtari e organizuar dhe e qëllimshme, ashtu si dhe në provokime tjera, për të krijuar pështjellim në faktorin shqiptar që së fundmi po bëhet tejet përcaktues për stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkan?

Politika e Kosovës në raport me Serbinë që në start të bisedimeve ka qene e gabuar. Në vend se të përpilohet një strategji paraprake për të hyre në bisedime duke pasur konsensus nacional, përfaqësuesit e Kosovës kanë pranuar axhendën e përcaktuar nga Brukseli të imponuar me ndërhyrje të Serbisë dhe në tavoline janë ofruar të gjitha temat që kanë të bëjnë me interesat e brendshme të Kosovës dhe jo për normalizimin e marrëdhënieve reciproke të dy shteteve. Serbia ka përdorur strategjinë e imponimit të temave të cilat kanë pasuar me veprime operacionale, destruktive të drejtpërdrejta në territorin e Kosovës duke keqpërdorë pakicën serbe dhe duke shfrytëzuar politiken balancuese të Bashkimit Europian. Në vend se shteti serb të paguaj dëmshpërblimet e luftës që ka shkaktuar në Kosovë, të kthej mbetjet e të pagjeturve, të kthej kursimet e qytetarëve të Kosovës të plaçkitura në Bankat e Kosovës dhe së fundmi të kërkoj falje për të gjitha të bëmat gjatë luftës në Kosovë në bisedime dialogu është zhvilluar duke shantazhuar palën e Kosovës dhe duke tentuar që të realizoje qëllimet e veta, Serbia në Kosovë. Sa herë ka pasur bisedime për një temë të caktuar që është obliguar Serbia, ajo ka bëre një veprim praktik, dekstruktiv në territorin e Kosovës në mënyrë që të tërhiqet vëmendja nga tema kryesore dhe institucionet e Kosovës dhe ato të Brukselit të merren me pasojën e ka shkaktuar Serbia në Kosovë.

 

A keni besim në gjykimin dhe vendimin e drejtë të autoriteteve franceze, një ndër vendet lider në BE e NATO, për më shumë të një vendi me demokraci të zhvilluar, se nuk do bjerë pre e mentalitetit të vjetruar?

Jemi të befasuar nga një vend, i cili konsiderohet shembull i demokracisë dhe sundimit të ligjit që t’i marrë për baze fabrikimet dhe trillimet më banale dhe më të paqëndrueshme të Beogradit, akuza, të cilat janë rrëzuar nga gjykata më speciale dhe më profesionale juridike siç është Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, e cila ka qenë e angazhuar jo vetëm për krimet e kryera në Kosovë, por për gjithë territorin e ish -Jugosllavisë. Prandaj, askush nuk mund të na e heq dyshimin se rasti Haradinaj është krejtësisht i ndikuar politikisht qoftë nga influenca e shtetit serb, qoftë nga ata që po shërbehen me të pavërteta dhe me materiale të fabrikuar apo qoftë edhe nga ata që për shkak të proceseve të ndjeshme që po ndodhin në Kosove e që nuk duan të ketë ndikim prezenca e Haradinaj. Megjithatë, drejtësia mund të vonojë, por do të triumfojë.

-Pamjet nga gazi lotsjellës në Kuvend u vërshuan në mediat ndërkombëtare, si dhe u sinjalizua BE-ja dhe SHBA-të për gjendjen alarmante në Kosovë, duke zbehur disi imazhin e opozitës. A e ka humbur mbështetjen ndërkombëtare opozita?

Ne si opozitë e kemi konsideruar si më të rëndësishme, më jetike funksionimin e shtetit të Kosovës në të gjitha segmentet si shtet normal dhe funksional duke u bazuar në përvojat me të mira dhe më avancuese të shteteve që kanë kaluar tranzicionin e demokracisë. Angazhimi ynë që nga fillimi është dhe do të jetë që të mos lejojmë ndërhyrjen e Serbisë për të dëmtuar interesat e shtetit të ri të Kosovës. Si shembull mund te merret Asociacioni i Komunave me shumice serbe (Zajednica), e cila ishte teme e bisedimeve që rezultuan me marrëveshje në Bruksel. Ne e kundërshtuam me të gjitha metodat dhe mjetet demokratike duke mos lejuar që të kaloj një projekt i tillë ogurzi për Kosovën sepse në këtë marrëveshje kishte krijim të pushtetit të tretë dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Serbisë në Kosovë. Presioni ynë bëri që kjo marrëveshje të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për t’u bërë vlerësimi i saj si rezultat i këtij presioni Gjykata Kushtetuese mori për bazë zbërthimin e kësaj marrëveshje dhe gjeti shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 23 nene. Imazhi i gazit lotsjellës nuk ishte i pëlqyer, por i domosdoshëm për të ndaluar marrëveshjen, e cila do mundësonte ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë. Për ne më i rëndësishëm është shteti, pavarësia, integriteti dhe sovraniteti se sa një imazh i momentit. Po ashtu marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi nuk mund ta lejojmë të kalojë sepse ka të bëje me cenimin e territorit i cili është i sanksionuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në bazë të vlerësimit të eksperteve me eminent që ka Kosova me këtë version të Demarkacionit dhe me këtë marrëveshje që ka bërë Qeveria e Kosovës humben mbi 8200 hektarë tokë të territorit të Republikës së Kosovës dhe humben pikat strategjike, Qakorr dhe Kulle e Zhlepit që datojnë nga demarkimi i vitit 1945 e këtej. Protestat, peticioni, gazi lotsjellës dhe reagimet e tjera qytetare e në veçanti deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm të opozitës bënë që të mos kalojë ky demarkacion. Imazhi jo i mire në dukje është i momentit, por vendimet për përcaktim të kufijve janë të përhershme dhe nuk mund të ndërrohen përveçse me luftë në bazë të përvojave historike që kemi, prandaj neve më shume na intereson cilësia e jetës së qytetareve tanë, tërësia territoriale e Kosovës, funksionimi institucional e shtetëror se sa improvizimet e dobëta balancuese që sjellin pasoja për të ardhmen e vendit dhe të popullit tone.

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, është trumbetuar edhe si kusht për liberalizim vizash dhe sipas BE-së duhet ratifikuar demarkacioni në mënyrë që vizat të liberalizohen. Opozita është akuzuar nga qeveria se është bërë pengesë e liberalizimit të vizave. Cili është komenti juaj?

Sa i përket Demarkacionit që është ndërlidhur me liberalizimin e vizave është një absurd dhe një pretekst për shantazh dhe presion ndaj deputeteve dhe ndaj qytetareve të Republikës së Kosovës. Janë tre argumente të cilat tregojnë se Demarkacioni nuk ka asnjë lidhje me liberalizimin e vizave.

E para: Në udhërrëfyesin në fillim të këtij procesi kur është hapur tema e liberalizimit të vizave nuk përmendet askund Demarkacioni.

E dyta: Asnjë shteti deri më tani që ka kryer procesin e liberalizimit të vizave e që ka pasur kontest me ndonjërin nga vendet fqinje për shkak të demarkimit nuk ju është vendosur ky kusht.

E treta: Pikërisht qytetaret e Kosovës e Malit të Zi lëvizin lirshëm pa viza duke kaluar nga njeri territor në tjetrin duke mos pasur asnjë problem njëri me tjetrin.

Për shkak të gabimeve që ka bere Komisioni qeveritarë dhe me marrëveshjen që ka bërë qeveria e kane ofruar si kusht para Bashkimit Evropian për të zmbrapsur opozitën, ekspertet e pavarur, shoqërinë civile dhe qytetaret e Kosovës duke i ditur pasojat kushtetuese dhe ligjore për cenimin territorial të Kosovës, e kjo qeveri po e sakrifikon Kosovën për të shpëtuar vetveten. Edhe qeveria e malit te Zi është deklaruar se është e gatshme për rishikimin e demarkimit kufitar.

Në javën e dytë të marsit do të diskutohet në Parlament për ratifikimin e marrëveshjes kufitare, ndërkohë, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është shprehur se, “nuk ka alternativa të tjera përpos miratimit të tij”. Cila është zgjidhja që ju ofroni?

Ne jemi deklaruar se jemi për Demarkacion me Malin e Zi, por nuk do të lejojmë që të dëmtohet interesi territorial i Kosovës dhe për neve ky version qeveritar i Demarkacionit është i vdekur sepse nuk ka votat as të deputetëve të partive në pushtet, të cilët janë të bindur, të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për mandatin që kanë, ata përfaqësojnë interesin e qytetarit të Kosovës dhe shtetin e Kosovës, ndërsa klani qeveritar ka interesa të drejtpërdrejta utilitare pa marrë parasysh pasojat që po i sjellin vendit për të shpëtuar lëkurën e tyre.

Ky vit është vit i zgjedhjeve lokale në Kosovë. A është gati Kosova për këto zgjedhje dhe ju si forcë politike, keni menduar me kë do të bëni koalicion?

Në vjeshte kemi zgjedhjet për pushtetin lokal dhe jemi duke u përgatitur që të fitojmë në shumicën e Komunave dhe sikur deri më tani struktura udhëheqëse e nivelit lokal është autonome për të zgjedhur partneret e koalicionit në dobi te qytetareve në Komuna. Por në situatën momentale që ekziston Kosova janë të domosdoshme zgjedhjet e parakohshme nacionale sepse kemi një stagnim të zhvillimit në të gjitha sferat dhe po ashtu kemi një degradim të funksionimit të institucioneve të Kosovës. Thirrja në një koalicion të madh i llogaritur në dy partitë më të mëdha plus minoritetet ka treguar jo funksionalitetin dhe anarkinë përbrenda këtij koalicioni në qeverisje. Koalicioni me jofunksional dhe me degradues ne shtatëmbëdhjetë vjetet e pasluftës në Kosovë. Po shpresojmë se zgjedhjet e parakohshme do të prodhojnë një formule tjetër qeverisëse me ndryshime të cilat po i kërkojnë qytetaret me një Parlament që do të marrë vendime të mëdha për shtetin dhe me një qeveri që do të bazohet në program pragmatik, profesional dhe të zbatueshëm në mënyrë që t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.