7 Marsi – Basha: Katër vjeçari i Ramës me skandale rrënqethëse në arsim

Për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, arsimi në katër vitet e qeverisjes Rama ka njohur ditët e tij më të errëta.

Duke folur nga çadra e protestës për 7 Marsin, Basha tha se kurrë më parë në histori nuk ka rënë kaq poshtë figura e mësuesit dhe pedagogut.

Basha: Në këto katër vite si asnjëherë më parë janë zbuluar skandale rrënqethëse, ku mësuesve u është kërkuar jo vetëm të paguajnë për vendin e punës por deri edhe favore seksuale ndaj pushtetarëve të babëzitur dhe të degjeruar. Kurrë më parë në histori nuk ka rënë kaq poshtë figura e mësuesit, figura e pedagogut. Kurrë më parë nxnënësit nuk kanë qenë kaq të braktisur, të harruar, kaq të lënë pas dore dhe në mëshirë të fatit nga një qeveri që ka ngritur në piedestal modelin e krimit dhe kriminelit në pushtet.

Basha kujtoi se kombi shqiptar është kombi që harxhon më shumë për arsimimin sesa çdo komb tjetër europian.

Basha: Sot ditën e mësuesit është vendi të kujtojmë se pse shqiptarët e adhurojnë kaq shumë arsimin dhe dijen. Jemi kombi, ku familjarët  harxhojnë më shumë se çdo komb tjetër për arsimin. Shqiptari heq nga buka e gojës për të investuar në arsimimin  e fëmijëve. E dimë që rruga drejt të ardhmes kalon prëmes dijes, arsimit, shkencës.

Por përkundër këtij modeli, shtoi Basha, Rama vuri përballë antimodelin e kriminelit në pushtet.

Basha: Përkundër këtij modeli historik që na nderon si komb, qeveria e Ramës ndërtoi antimodelin e vesit më të pistë në historinë tonë kombëtare. Në vend të modelit të pedagogut, mësuesit, studentit, nxënësit, shkencës, ai solli modelin e diplomës falso, modelin e të pashkollit, nepotizimit, të korruptuarit dhe gjëma më e madhe, modelin e kriminelit me pushtet.