Basha: S’ka kthim në Parlamentin e krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po flet nga “çadra e lirisë”, e cila ndodhet në ditën e 15-të të protestës para Kryeministrisë.

Basha po zhvillon bashkëbisedim me qytetarët për shëndetësinë. Ai ka shprehur bindjen për të vijuar protestën, deri sa të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

Sipas tij, populli e ka marrë vendimin për shkarkimin e kryeministrit Edi Rama.

“Populli e ka marrë vendimin, Edi Rama do shkarkohet me plebishist. Ai po bën gjithçka që më 18 qershor mos të ketë zgjedhje, por të fitojë ai dhe 40 hajdutët e tij. Beteja është që miliardat e drogës, të koncesioneve dhe gjithë pushteti financiar politik t’i vjedhin. Kjo është republika e vjetër. Dhe këta do bëjnë çmos të na mposhtin, që të vazhdojnë të vjedhin. Kjo është pala që kemi përballë. Por, nuk është vetëm Edi Rama që zgjedh, nuk janë vetëm kriminelët që zgjedhin, më 18 shkurt populli mori një vendim, bashkimi më i madh popullor. E pashë me sytë e mi vendimin që iu morët njëzëri dhe që po rritet dita ditës, vendim që më 18 qershor zgjedhjet do jenë vetëm të lira e të ndershme, zgjedhje të tjera nuk do të ketë. Kthim në parlamentin e krimit nuk do të ketë”, tha Basha./