Sylvain Gamber ose vartësi poshtë ambasadores së BE, Romana Vlahutin

Nga Nikoll Lesi.

Reforma që po bëhet në drejtësi është një gjë e shumëkërkuar nga të gjithë. Kurdoherë ka nevojë për ndryshime, reforma, etj pasi vetë shoqëria është në reformim dhe zhvillim. Shqiptarët e duan me tepër ritmin drejt Europës, paçka se vetë Europa ka qenë skeptike dhe jo e drejtë në histori me shqiptarët. Në vitin 1913 e copëtoi Shqipërinë pikërisht Europa. Edhe me vonë e la larg, pavarësisht se kombe e shtete me pak të vogla e me shumë pak histori për Krishterimin e Europës, se sa Shqipëria, janë futur në BE. Komunizmin nuk e shpiku Shqipëria dhe as nuk e deshi 50 vite komunizëm, por ky që fati ynë i keq. Ndërkohë Europa bënte dashuri me ish-Jugosllavinë e Millosheviçit dhe nëpërkëmbte Kosovën, bile dhe vetë shqiptarët. Po të mos ishte SHBA dhe presidentët Bill Clinton e Xhorxh Bush nuk do kishim sot Kosovë të pavarur dhe as Shqipëri në NATO.

Ne, shqiptarët, i falemi Amerikës. Europën e duam, por nuk vdesim shumë për BE, sepse edhe ajo nuk “ftohet” për ne. Ne e duam integrimin, duam gjithçka nga Europa e mirë, por nuk kemi parë lider europian që të veprojë si Bill Clinton e Xhorxh Bush. Asnjë! Të gjithë vijnë kur kanë ndonjë interes për llogaritë e tyre në Bruksel apo për të marrë dietat e radhës nga Brukseli në Tiranë. Apo për të sjellë fonde për shoqerinë civile dhe i rruajnë për vete gjysmën e fondeve. Ndaj edhe reagimi i ambasadores se BE Romana Vlahutin e më pas të një vartësi poshtë ambasadores,  me një emër Sylvain Gamber, nuk frikëson dhe vë në siklet njeri, të paktën në Shqipëri. Kur flet Donald Lu gjithë shqiptarët mbajnë shënim. Ai, po. Flet drejt, me pasion, kurajo, me emra, ai përfaqëson Amerikën, e cila për ne është e shenjtë.

Vartësi i ambasadores së BE-së në Tiranë, Sylvain Gamber me detyrë, shef politik i delegacionit të BE-së tha se segmente të caktuara po bëjnë fushatë kundër Vetingut. “Vettingu është kushti kryesor për hapjen e negociatave dhe pavarësisht kush është ambasadorja e Brukselit në Tiranë, ky proces do të zbatohet. Kjo fushatë anti-vetting synon të njollosë të gjithë faktorët e përfshirë në reformën në drejtësi”, deklaroi ndër të tjera, Gambert.

Na duhet të sqarojmë paksa Gamberin e BE në Tiranë. Ku ka mësuar ai leksione demokracie në Europë që ose duhet patjetër të recitosh përmendësh çfarë thotë një njeri sado i rëndësishëm ose ndryshe je armik i reformës? Ku e ka lexuar Gamberi që nëse një media, një shoqatë civile apo kushdoqoftë, edhe një njeri i thjeshtë, thotë diçka në formë kundërshtimi apo debati, dhe të quhet armik? Ku e ka lexuar Gambi ynë, që rri poshtë Romanës si hierarki, që në një demokraci ka mendime të kundërta, ka debat, polemika, mosdakortësi, protesta; të drejta apo të padrejta dhe dikush, pra Romana Vlahutin apo  Sylvain Gamber, kanë gjithë drejtën të përcaktojnë ata që janë pro reformës dhe ata që nuk e duan. Kush ia jep të drejtën, të dyve? Po pse ky Gamberi, poshtë Ambasadores, nuk flet se si ka mundësi se çmimi i rezidencës se ambasadores Vlahutin është 4700 euro metri/ katror, ndërkohë që vilat e tjera janë me 800-1000 euro metri/katror? A kemi të drejtë të pyesim se si ka mundësi me katërfish? A është korrupsion? Pse nuk paskemi të drejtë të themi ato çka mendojmë, ne shqiptarët, edhe për zyrtarët e BE në Tiranë, apo jemi “popull i vogël, ne shqiptarët”?!

Gamberi i BE ka nevojë të flasë me emra për krimin, korrupsionin, politikanët banditë, etj siç flet ambasadori amerikan Donald Lu. Nuk ka nevojë të fshihet pas fustanit të ambasadores Vlahutin. Ai, thonë, që sapo ka ardhur në Tiranë, por për dreq, mësoi zanatin e parardhësve të zyrës se BE. Nëse Gamberi thotë me kurajo se rezidenca e BE ka dyshime korruptive për vlerën e tokës, atëhere po, e besojmë se qenka ndryshe. Ose të paktën të shikojë ambasadorin Lu se si flet, me një patos për shqiptarët.

Tani duke e mbyllur, i detyruar nga zyrtarët e BE në Tiranë, po them se në këto 27 vite që punoj në media e në politikë nuk kam parë zyrtarë të KE, BE apo OSBE që të “vdesin” për popullin tim. Asnjë !

Kam parë ambasador të OSBE apo përfaqësues europianë që kur në Tiranë kishte luftë civile, ata laheshin në pishinën e hotel Rognerit, ndërkohë që ambasadori amerikan ishte nëpër Shqipëri për të qetësuar gjërat dhe gjetur zgjidhje për popullin tim.

Ndaj mos jepni leksione demokracie për reformën!