Ekonomi: Po lehtësojmë barrierat për regjistrimin e bizneseve

Qeveria po bën gjithë përpjekjet e mundshme për të lehtësuar procedurat e regjistrimit dhe çregjistrimit të bizneseve. Kjo jo vetëm përmes krijimit të mundësisë për të aplikuar në një ndalesë të vetme siç është QKB, por dhe përmes vendosjes së sistemeve inovative  në këto zyra që rrisin transparencën dhe mundësinë për aplikime online të bizneseve.

Këto deklarata Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi i bëri gjatë një vizite inspektimi  të zhvilluar sot në Qendrën Kombëtare të Biznesit, institucion varësie i kësaj Ministrie.

Ministrja Ekonomi tha se arsyeja e kësaj vizite lidhet me sipërmarrjen turistike. “Në bazë të ligjit “Për turizmin” dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave për të ndarë dy aktivitete, që janë operatori turistik dhe agjencia turistike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Biznesit, ka hartuar një udhëzues ku ndan mënyrën e licencimit të këtyre dy aktiviteteve. Procesi ka filluar dhe vazhdon normalisht. Ne dëgjuam që ka pasur fluks regjistrimesh dhe riregjistrimesh për këtë periudhë, si dhe kuptuam që komunikimi me biznesin, sipas kësaj që raportohet, është një komunikim normal”, u shpreh Ministrja Ekonomi.

Ministrja përshëndeti dhe krijimin e sportelit të veçantë në QKB që vjen nga zyra e Tatimeve, që synon të lehtësojë sorollatjet e biznesit për ta çregjistruar aktivitetin e tij.

Ministrja shtoi se falë sistemeve të reja, që ka aplikuar QKB, sot ecuria financiare e ndërmarrjeve është transparente për çdo agjenci që ka nevojë për informacionin që vjen nga bilanci ekonomik i aktivitetit të një sipërmarrje shqiptare.

Ndërsa drejtoresha e QKB, znj Pranvera Behushi u shpreh se për 2016 suksesi më i madh i QKB ishte shkrirja e QKL dhe QKR në një qendër të vetme, tashmë në 2017 janë disa projekte të rëndësishme, që synojnë të lehtësojnë barrierat e regjistrimit si për subjektet juridike ashtu dhe për personat fizikë, shtetas shqiptarë apo të huaj, por gjithashtu synojnë të rritet transparenca dhe besueshmëria e bizneseve ndaj institucionit të QKB.

 

Fjala e plotë e Ministres Ekonomi për mediat:

Vendosëm të vizitojmë sot sportelet e Qendrës Kombëtare të Biznesit, e cila ka përmirësuar punën e vet falë disa risive që kanë ndodhur gjatë kohëve të fundit, ku mund të përmendim bashkimin e regjistrimit dhe licencimit të biznesit (pra QKR dhe QKL) në një qendër të vetme (QKB). Siç e vutë re, sportelet ishin në funksionim të plotë dhe ndërkohë kuptojmë që në këtë Qendër të gjithë projektet po zënë vend. Aktualisht po përpiqemi shumë që biznesit t’i lehtësojmë punën në momentin e regjistrimit dhe të ketë vetëm një ndalesë. Madje, jo vetëm në momentin e regjistrimit, por edhe në momentin kur ai vendos të çregjistrohet. Siç e vumë re, këtu në QKB ka një sportel të veçantë që vjen nga zyra e Tatimeve, që të japë informacion të plotë një biznesi që kërkon të mbyllë aktivitetin.

Arsyeja për të cilën ne erdhëm këtu sot nuk lidhet vetëm me ecurinë e përgjithshme të Qendrës Kombëtare të Biznesit, por edhe me një fakt tjetër që lidhet me sipërmarrjen turistike. Në bazë të ligjit “Për turizmin” dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave për të ndarë dy aktivitete, që janë operatori turistik dhe agjencia turistike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Biznesit, ka hartuar një udhëzues ku ndan mënyrën e licencimit të këtyre dy aktiviteteve. Procesi ka filluar dhe vazhdon normalisht. Ne dëgjuam që ka pasur fluks regjistrimesh dhe riregjistrimesh për këtë periudhë, si dhe kuptuam që komunikimi me biznesin, sipas kësaj që raportohet, është një komunikim normal.

Një fakt i rëndësishëm që duhet të përmendim është edhe reformimi pozitiv që po bën Qendra Kombëtare e Biznesit përsa i përket sistemeve inovative. Sot në regjistër ne mund të gjejmë edhe ecurinë financiare të ndërmarrjeve shqiptare. Por ecuria financiare, përveçse bëhet transparente, bëhet dhe e përdorshme nga të tjera agjenci që kanë nevojë për informacionin që vjen nga bilanci ekonomik i aktivitetit të një sipërmarrje shqiptare.

Gjithashtu, vlen të theksohet edhe reformimi që po i bëhet programit dhe sistemit, për të kuptuar më mirë bashkëveprimin e sipërmarrjeve në ato aktivitete që janë ndërkufitare. Ne flasim për të hapur Ballkanin si një treg të vetëm, por ndërkohë nuk mund të jetë vetëm ky koncept. Ky koncept duhet të jetë një koncept, i cili bëhet i aplikueshëm dhe në çdo agjenci që vepron me sipërmarrjen. Dhe, arsyeja për të cilën jemi këtu sot është për të parë nëse aplikimet dhe raportimet e biznesit që punon në aktivitete ndërkufitare kanë një ecuri normale.

Falënderoj në mënyrë të veçantë gjithë punonjësit e QKB, që janë të përfshirë në ndjekjen e këtij procesi, por në mënyrë të veçantë Drejtoreshën znj. Behushi, e cila po e ndjek me shumë përkushtim këtë përmirësim në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Drejtoresha e QKB, znj. Pranvera Behushi:

Ministrja e bëri panoramën e plotë. Desha të shtoja vetëm dy gjëra të vogla. Ashtu siç e përmendi dhe ministrja, kulmimi dhe risia e vitit 2016 ishte bashkimi i QKR dhe QKL në një qendër të vetme, dhe kjo përkthehet, me fjalë të tjera, në lehtësi për biznesin, pra shkurtimi i barrierave administrative. Pyetja që lind normalisht është, po në 2017? Viti 2017 nis me projektet e tjera, me pjesën e projekteve në planin financiar të dorëzimit. Jo se nuk kanë ekzistuar. Ato deri më tani kanë ekzistuar. Ajo që do të jetë risi e vitit 2017 janë dy gjëra. E para, jo vetëm për një kategori të bizneseve, siç janë personat juridikë, por do të jetë e tillë edhe për personat fizikë. Nëse deri tani ajo ka qenë vetëm e pashme. Tani e mbrapa do të jetë edhe e editueshme, që do të thotë rritja e transparencës, rritja e besueshmërisë, jo vetëm për pjesën e subjekteve vendas, por sidomos për investitorët e huaj. Projekt tjetër, ndoshta në pamje i vogël, do të jetë edhe aplikimi i drejtpërdrejtë për shtetasit e huaj që janë rezidentë në Shqipëri, që nuk kanë një kartë identiteti, por në portalin e-albania mundet të bëjnë dhe ata një aplikim online.

Do të ishte me interes dhe një reformë tjetër në fushën e regjistrimit, megjithëse ne jemi pararojë në pjesën e fushës së regjistrimit. Po punohet në një projekt të përcaktuar akoma më shumë për shkurtimin e barrierave dhe sidomos kjo është e lidhur me afatet e ankimimit. Ndërsa përsa i përket procesit të licencimit, po punohet me një projekt të Bankës Botërore për një listë fundore të licencave, lejeve dhe autorizimeve në Republikën e Shqipërisë. Në fund fare, gjithçka shërben vetëm për pakësimin e barrierave administrative. Këto janë projektet e QKB për 2017.