‘Fëmijët e Diktaturës’

Në ditën e kujtesës është rishfaqur për publikun dokumentari ‘Fëmijët e Diktaturës’. Në qendër të tij janë katër personazhe, të lindur apo rritur në kampet e internimit të cilët rrëfejnë vuajtjet e fëmijërisë. Në përfundim të dokumentarit ata u shprehën se shteti shqiptar nuk i ka ndihmuar dhe se ndihen të braktisur e të diskriminuar njësoj si 27 vite më parë.

Janë lindur në familje kundërshtare të regjimit komunist, ka mjaftuar ky fakt që fëmijëria e tyre të shndërrohej në një makth që do t`i ndjekë përgjatë gjithë jetës.

Në ditën e kujtesës, regjisori Besnik Disha dhe Drejtorja e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë Jonila Godole kanë risjellë për pubklikun dokumentarin ‘Fëmijët e diktaturës’.

4 personazhe rikthehen në kampet e internimit ku bashkë me prindërit vuajtën pasojat e një regjimit të egër dhe prej aty rrëfejnë përjetimet e fëmijërisë.

Sot 27 vite pas rënies së komunizmit, ata shprehen se nuk ka asnjë përpjekje për riintegrimin e tyre në shoqëri dhe se vijojnë të diskriminohen.

Regjisori Besnik Disha flet për një dokumentar bio, të vështirë për ta realizuar.

Shoqëria nuk duhet të harrojë të shkuarën, shprehet Drejtorja e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë, Jonila Godole, teksa thekson synimin e dokumentarit.

Realizuesit e dokumentarit parashtruan idenë që filmi të shfaqet edhe në shkolla, në mënyrë që edhe të rinjtë të njihen me historinë jo pak të dhimbshme të vendit dhe paraardhësve të tyre.