Berat, Sinaj: Dyfishim të rezultatit të LSI në qarkun e Beratit

Fundjava që sapo u mbyll ishte mjaft e ngjeshur për strukturat e LSI-së në qarkun e Beratit, kjo pasi ka startuar fushata elektorale për zgjedhjet e 18 qershorit. Në këtë kuadër, strukturat e kësaj force politike në bashkinë e re të Beratit, kanë nisur punën organizative për përgatitjen dhe ndërmarrjen e gjithë hapave organizative me qëllim një rezultat sa më dinjitoz në këto zgjedhje.

Slogani por edhe qëllimi së bashku me pritshmëritë mbetet mjaft domethënës. LSI-ja do të dyfishojë votat jo vetëm në Berat por në gjithë qarkun. Ky është një objektiv elektoral i cili ka vënë në lëvizje gjithëlevat dhe strukturat në Berat. Tashmë puna ka nisur dhe gjatë dy ditëve të fundit janë zhvilluar takime me gjithë rajonet dhe njësitë administrative të bashkisë. Puna që nisi me caktimin e koordinatorëve, ka vijuar me përpilimin e listave sipas çdo qendre votimi dhe më pas me votuesit derë më derë. Nga ana tjetër, LSI-ja do të përqendrohet tek thithja e votuesve indiferentë dhe të lëkundur, duke i bërë me dije në çdo rast votuesit beratas se, LSI-ja është partia e fjalës së mbajtur dhe mbi të gjitha ajo forcë politike që neutralizon bipolaritetin në politikën shqiptare.

Kreu i LSI-së në Berat, Petrit Sinaj, në këto takime e ka vënë theksin tek rëndësia e forcimit të punës së strukturave të partisë si garanci për rezultat optimal në18 qershor. Ai gjithashtu theksoi momentin e veçantë ku ndodhet politika shqiptare ku LSI-ja e ka treguar veten si forca e dialogut, integrimit dhe vizionit për të ardhmen. Nga ana tjetër kreu i LSI-së në Berat i kërkoi strukturave dhe koordinatorëve kontakte të menjëhershme me bazën e partisë dhe një fushatë energjike për anëtarësimet e reja.

Kreu i LSI-së në Berat kërkoi rritjen e rolit të strukturave të LRI dhe LGI si garanci në mirëfunksionimin e degës së LSI-së. Po ashtu pranë degës së LSI-së Berat, tashmë është ngritur edhe shtabi elektoral i cili ka hartuar planin e veprimit të strukturave deri në zgjedhjet e 18 qershorit.