Veliaj: “I hapëm rrugën kredive të buta, përfitojnë 1 mijë familje”

Mbështetja për shtresat në nevojë ishte fokusi i mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Për vitin 2017, Bashkia e Tiranës do të japë 1.000 kredi të buta për familjet e reja apo në vështirësi ekonomike, për të mundësuar lehtësimin e strehimit të tyre. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot kriteret e reja të programit social të strehimit për “Subvencionimin e interesave të kredisë”. Votave pro të këshilltarëve të PS-së iu bashkuan edhe këshilltarët e LSI-së dhe të PDIU-së, të cilët e vlerësuan si një nismë tepër pozitive.

Përfitues potencialë të programit do të jenë individët/familje me në përbërje çifte të reja, me synim përmirësimin e kushteve të cilësisë së jetesës së tyre. Programi do të ketë një kohëzgjatje një vjeçare dhe numri i përgjithshëm i përfituesve, të cilët do të mbështeten financiarisht, do jetë rreth 1.000 familje. Financimi i programit është parashikuar tashmë në buxhetin e vitit 2017 në shumën 95 milionë lekë dhe masa e subvencionit të interesave të kredisë, për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga ky program, do të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes së nënshkruar me bankën, me interesin prej 3% që paguan familja mbi principalin e kredisë.

 Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se ky program do të ketë një impakt pozitiv edhe në ekonominë e Tiranës. “Sot kemi mbërritur në një produkt konkret që ka të bëjë me kreditë e buta. Është zhbllokim i një procesi që prej disa vitesh ishte pezulluar prej falimentit të bashkisë, prej faktit se shumë prej ish deputetëve dhe ish zëvendësministrave, ish zyrtarëve, abuzonin me kreditë e buta. Dua shumë që ky projekt të funksionojë sepse nëse funksionon, na mundëson që të vazhdojmë edhe vitin tjetër, edhe në të ardhmen”, tha Veliaj.

 Gjithashtu, sot u miratua dhe vendimi për shpërndarjen e 1048 bursave për nxënësit në institucionet arsimore publike, si dhe për studentët në institucionet e arsimit të lartë publik për vitin shkollor 2016-2017”. Edhe këtë vit, Bashkia pritet që t’i kushtojë një vëmendje të veçantë nxënësve dhe studentëve me probleme sociale apo ekonomike duke i mbështetur në studimet e tyre. Më konkretisht, Këshilli miratoi listën me 1001 nxënësit në institucionet arsimore publike, që përfitojnë bursë shteti për vitin shkollor 2016-2017. Nën drejtimin e kryebashkiakut Veliaj, Bashkia e Tiranës riktheu pas një ndërprerje 4-vjeçare edhe bursat për nxënësit ekselentë. Janë 2230 nxënës ekselencë që kanë përfituar bursa nga Bashkia e Tiranës, ndërsa kryebashkiaku Veliaj ka premtuar se kjo mbështetje do të vijojë edhe këtë vit.

 Ai deklaroi se Bashkia e Tiranës do të investojë më shumë fonde për qytetin dhe për përmirësimin e shërbimeve. Ai tha se për herë të parë Tirana do të ketë një buxhet prej 15,3 miliardë lekësh, krahasuar me një buxhet prej 12.4 miliardë lekësh në vitin 2016, ose 24% më i madh. Veliaj bëri edhe një panoramë të investimeve dhe projekteve të Bashkisë, ku deklaroi se Plani i Përgjithshëm Vendor dhe Buxheti i Bashkisë për vitin 2017 janë dy instrumente shumë të rëndësishme për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe për të projektuar Tiranën e gjeneratës tjetër.

“Me Planin e Përgjithshëm Vendor ‘Tirana 030’, Bashkia e Tiranës ka më në fund një inventar të plotë të të gjitha problemeve, potencialeve dhe aseteve të Tiranës, por edhe të mënyrave sesi këto mund të shfrytëzohen në të mirë të qytetit. Ndryshe nga sa ka ndodhur më parë, ky plan nuk është një dokument që përcakton njolla ndërtimi e koefiçientë, por një instrument që do të na lejojë t’i japim Tiranës një identitet të ri urbanistik. Edhe pse ka kaluar vetëm një muaj e gjysmë nga miratimi i këtij plani në Këshill, kemi filluar tashmë punën për realizimin e disa prej projekteve kryesore që parashikohen aty, siç është për shembull Pylli Orbital, projekti për ndërtimin e 20 shkollave të reja në Tiranë, projekti për transformimin e transportit publik në kryeqytet, rrjeti i korsive të biçikletave apo autobusëve”, tha ai.

 Veliaj theksoi se falë mirëmenaxhimit të financave, buxheti i Bashkisë ka pësuar rritje pa ndryshuar taksat për qytetarët e Tiranës. “E vetmja gjë që ka ndryshuar janë procedurat të cilat, nga 1 janari po thjeshtohen e standardizohen, duke përgjysmuar dokumentacionin që i kërkohet biznesit dhe duke shkurtuar kohën. Me pak fjalë, këtë vit kemi më shumë para për të investuar për qytetin dhe përmirësimin e shërbimeve”, tha ai. Veliaj renditi disa prej projekteve të parashikuara në buxhetin e këtij viti. “Që tani kemi filluar punën për të realizuar projektet e parashikuara në buxhet, siç janë riparimi i 48,000 m2 të infrastrukturës ekzistuese apo i rreth 24,000 m2 trotuare, përmirësimi i gjithë sinjalistikës vertikale dhe horizontale në rrugët e Tiranës, ndërtimi i korsive të biçikletave, përmirësimi i mëtejshëm i shërbimit të pastrimit, mbjelljes së pemëve e gjelbërimit, ndriçimi, hapësirat e reja rekreative, projektet e rikualifikimit urban, ngrohjes dhe rikonstruksionit të shkollave, e sidomos projektet e investimet në zonat rurale, që bashkë me ndërtimin e 20 shkollave të reja, do të jenë përparësia e punës sonë për këtë vit”, tha ai.

 Si një nga projektet më të rëndësishme të nisura, Veliaj përmendi dhe atë të strehimit të 50 familjeve rome, me rreth 400 anëtarë. “Projekti jo vetëm që do të garantojë strehimin, por ofron edhe një model shumë të mirë për integrimin e komunitetit rom në shoqëri dhe në tregun e punës. Dy nga kriteret për t’u kualifikuar për përfitimin e strehimit janë ndjekja e detyrueshme e shkollës nga fëmijët dhe ndjekja e programeve të formimit profesional nga të gjithë të rinjtë e moshave 16 deri në 30 vjeç”, tha ai. Ndërkohë, një tjetër prioritet për Bashkinë e Tiranës do të jetë edhe arsimi. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se arsimi do të jetë prioritet për vitin 2017, pasi investimi në arsim është një investim në të ardhmen e qytetit. “Një nga nismat për të cilat jam shumë krenar është shpërndarja e bursave për 2230 nxënësit e ekselencës të Bashkisë së Tiranës, që nuk paguhej prej 4 vjetësh”, nënvizoi ai.

 Veliaj komentoi dhe projektin e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e 20 shkollave të reja. “Brenda këtij mandati do t’u japim fëmijëve dhe nxënësve të Tiranës 20 shkolla të reja me kushtet më të mira për të mësuar dhe zhvilluar dijet e tyre. Do t’i japim fund mësimit me dy turne dhe mbipopullimit të klasave, që mesa e mbaj mend ishin edhe një premtim i paraardhësit tim, i cili natyrisht nuk bëri asgjë sepse kur ia fut gjumit është e vështirë të bësh diçka për qytetin”, tha kreu i Bashkisë, duke sqaruar se ashtu si projekti i çerdheve apo kopshteve, edhe projekti i ndërtimit të shkollave do të jetë fryt i një bashkëpunimi me sektorin privat, ku sektori privat do të ndërtojë shkollat menjëherë dhe Bashkia do t’i shlyejë detyrimet financiare të shtrira në kohë, pa rënduar buxhetin apo prekur investimet e tjera.

 Veliaj theksoi se gjatë muajve janar dhe shkurt ka vijuar puna me një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës, që nga qendra e deri në njësitë administrative më të largëta. “Siç jemi zotuar përpara qytetarëve, por edhe këtu, në këtë Këshill, viti 2017 është viti i investimeve në fshat dhe në zonat periferike. Ne nuk besojmë te një bashki që zhvillohet me dy shpejtësi, ku kemi një shpejtësi më të madhe në qytet dhe një shpejtësi më të vogël në fshat. Jemi vetëm në vitin e dytë të mandatit tonë, por kemi dhënë prova tanimë, se jo vetëm që bëjmë ato që premtojmë, por bëjmë edhe më shumë se ç’kemi premtuar, si për Tiranën fshat, ashtu edhe për Tiranën qytet”, tha ai.

 Një tjetër synim i Bashkisë do të jetë dhe vijimi i punës për rehabilitimin urban të lagjeve të kryeqytetit. “Investimet për rehabilitimin urban të lagjeve e blloqeve të Tiranës ka vazhduar. Vjet patëm plot 50 ndërhyrje të tilla. Këtë vit do të kemi një numër akoma më të madh. Ka filluar tashmë puna për rrugën Selaudin Bekteshi në njësinë 4 sepse ndërkohë që qeveria qendrore ka ecur me legalizimin, përgjegjësia jonë, si Bashki e Tiranës, ka qenë urbanizimi i këtyre zonave deri dje të lëna krejtësisht pas dore. Kjo është mënyra sesi modernizohet Tirana”, tha Veliaj, duke shtuar se falë ndërhyrjeve të Bashkisë, vlera e pronës është rritur ndjeshëm, nga 15% e madje deri në 40%.

 Lidhur me investimet për furnizimin me ujë të kryeqytetit, kryetari i Bashkisë premtoi përmirësim të mëtejshëm të situatës. “Pas vitesh e vitesh keqmenaxhimi, UKT është sot sërish një ndërmarrje fitimprurëse që po u ofron qytetarëve të Tiranës një cilësi e standarde shërbimi shumë herë më të mira. Mjafton të përmendim këtu që në 2016 janë kryer plot 105 investime, duke ndërhyrë në disa zona shumë problematike të kryeqytetit. Sot që flasim, është dyfishuar furnizimi me ujë duke shkuar në 14 orë në ditë, ndërkohë që 80 000 qytetarë të Tiranës kanë sot 24 orë ujë. Unë dua t’i falenderoj qytetarët për korrektesën me pagesën e detyrimeve ndaj UKT. Të ardhurat në 2016 u rritën me 18% ndërkohë që numri i abonentëve u rrit me plot 26 000”, tha ai duke theksuar se rritja e të ardhurave po japin mundësinë për të kryer më shumë investime.

 “Këto të ardhura po na japin mundësinë të bëjmë disa investime shumë të rëndësishme, që në fakt duhet të ishin bërë dekada më parë siç është shtimi i kapacitetit të Bovillës me 30% çka do të shtojë sasinë e ujit për Tiranën dhe do të na çojë një hap më pranë objektivit të furnizimit të Tiranës me ujë 24 orë. Edhe në këtë rast, besoj se kush ka sy për të parë, mund ta bëjë fare qartë dallimin mes mënyrës së menaxhimit në Tiranë dhe në Kamëz, pasi ne humbasim jo pak, por 1/3 e ujit që prodhon Bovilla gjatë kalimit në territorin e Kamzës dhe Paskuqanit”, tha Veliaj, duke shtuar se një tjetër projekt strategjik i UKT që ka filluar këtë vit është ai i rritjes së kapacitetit të linjave të furnizimit të burimeve të Shën Mërisë që do të rrisë sasinë e ujit për Tiranën.

 Në listën e projekteve madhore, kreu i bashkisë deklaroi se në muajin mars do të hapen disa nga projektet kryesore në Tiranë, siç është Pazari i ri, i cili do të jetë një nga atraksionet kryesore të kryeqytetit dhe po ashtu, edhe parkingjet nëntokësore në Sheshin Skënderbej dhe Bulevardin e ri. “Më kujtohet që puna e vetme që bëri administrata e shkuar në Bulevardin e ri ishte vënia e një tabele ku ankohej për qeverinë, edhe pse për 2 vjet rresht e kishte edhe qeverinë dhe Bashkinë, por prapë nuk bëri asgjë. Na kanë mjaftuar vetëm 500 ditë për të rikuperuar kohën e humbur gjatë atij katër vjeçari. Punimet në Bulevardin e ri kanë ecur shumë mirë, pavarësisht vështirësive sepse aty ku ka vullnet për të punuar e për të kërkuar zgjidhje, gjendet gjithmonë një rrugë për të ecur përpara”, tha ai.

 Një nga prioritetet e punës gjatë muajve janar dhe shkurt për Bashkinë e Tiranës ka qenë transporti publik dhe rritja e lëvizshmërisë në Tiranë.  Buxheti i vitit 2017 parashikon në fakt ndërtimin e 10 kilometrave korsi biçikletash që do të lejojnë një udhëtim të sigurt e të pandërprerë nëpër të gjithë kryeqytetin. “Nuk e fshehim që synimi ynë kryesor është që t’i japim prioritet formave alternative të transportit dhe të kufizojmë sa më shumë lëvizjen me makina”, tha ai. Veliaj theksoi se disiplinimi i parkimit është padyshim një nga elementët kryesorë të strategjisë sonë për mobilitetin. “Gjatë janarit dhe shkurtit, u hapën dy terminale të përkohshme për transportin ndërkombëtar dhe ndërqytetas, në Pallatin e Sportit dhe pranë Qytetit Studenti. Por risia më e rëndësishme e këtyre dy muajve përsa i përket parkimit është vënia në përdorim e skemës së parkimit me sms. Pra, qytetarëve do t’ju mjaftojë të dërgojnë një sms për të patur vendin e tyre të parkimit, çka do të shmangë jo vetëm vonesat, por edhe mundësinë për abuzime me pagesat”, tha Veliaj.

 Kreu i Bashkisë së Tiranës prezantoi disa prej masave të ndërmarra për transportin publik.  “Deri një vit më parë 90% e qytetarëve shpreheshin krejtësisht të pakënaqur me gjendjen e transportit publik siç e trashëguam prej jush. Sot, pothuajse 50% shprehen të kënaqur. Dhe ky është një ndryshim i madh! Flota e autobusëve është rritur nga 200 në 290 autobusë, dhe po shkojmë drejt një standardi ku 50% e flotës do të jetë me autobuzë fizarmonikë për të përballuar më mirë fluksin. Duhet theksuar se jo vetëm që janë shtuar mjete të standardeve më të mirë, por edhe mjetet ekzistuese i janë nënshtruar një rinovimi për të arritur standardet më të mirë të komoditetit, sigurisë dhe pastërtisë”, tha Veliaj, duke shtuar se sot ka një riorganizim të itinerareve të linjave, që po garantojnë një mbulim më të mirë, më efikas, me frekuencë më të madhe, të të gjithë territorit të Bashkisë Tiranë.

 “Ne kemi filluar të zbatojmë sot një sistem pikavarazhi, ku kompanive u caktohen 300 pikë në fillim të vitit të cilat mund t’i ruajnë apo mund t’i humbasin në varësi të performancës së tyre. Është një mënyrë për të përcaktuar e kuantifikuar qartë detyrimet e çdo kompanive dhe për të shmangur hapësirën për abuzime e interpretime; Për funksionimin e këtij sistemi të ri, ka filluar integrimi i çdo linje me sistemin GPS për të monitoruar në kohë reale lëvizjen e autobusëve”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë ftoi qytetarët që për çdo shqetësim për transportin publik, të mos hezitojnë që të raportojnë në numrin pa pagesë të vendosur nga Bashkia, 0800-0888.

 Ai deklaroi se viti 2017 ka qenë i mbarë dhe i vrullshëm duke i qëndruar besnik motos për të bërë çdo ditë nga një punë për Tiranën. “Qytetarët na kanë votuar për të punuar për Tiranën dhe jo për t’u marrë me baltën apo sulmet apo sherret politike. Patëm një vit të parë shumë të mirë në 2016 dhe kemi një fillim shumë të mirë të këtij viti. Nëse vitin që shkoi krahasoheshim me bilancin e një bashkie që fjeti gjumë për 4 vjet, gjatë këtij viti duhet të krahasohemi me bilancin e punës sonë gjatë vitit që shkoi”, theksoi Veliaj.

 Në fillim të mbledhjes, këshilltarët e djathtë braktisën mbledhjen e këshillit. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se interesi i PD-së është vetëm pushteti dhe jo interesi i qytetarëve. “Sapo pamë se si partia që do të vijë në pushtet, i hodhi gjithë kreditë e buta, studentët e ekselencës, banesat sociale, se në thelb interesi i tyre kryesor është pushteti, nuk kanë interes t’u shërbejnë qytetarëve, se nuk mund të hidhen vendimet e Këshillit që në thelb, janë OK që i jep ky Këshill kësaj bashkie, që të bëjë këto punë të mira dhe për sa kohë që është ky respekt, unë them që ky këshill i ka punët në rregull. Ne duhet të vazhdojmë t’u shërbejmë qytetarëve, është e vetmja gjë që na mban të nderuar para opinionit publik”, tha ai.

 Kreu i Bashkisë deklaroi se tentativat e PD për të bllokuar mbledhjen e këshillit janë alibi për të shmangur përballjen me koalicionin e majtë. “Edhe pse nuk ka zgjidhje locale së shpejti, edhe pse s’ka asnjë debat konkret me këtë këshill, edhe pse protesta nuk është në këtë këshill, sebepi për të përdorur çdo arsye duke hedhur poshtë edhe kreditë e buta edhe bursat për ekselentë është thjesht një alibi, pasi një forcë që ndihet mirë shkon edhe përballet. Këta, pasi humbën në në mënyrë fatale në Tiranë, sigurisht që me koalicionin tonë s’duan të përballen, sepse një përballje tjetër me koalicionin tonë do t’i çonte ata në fund të historisë si një parti që rrihet sistematikisht nga publiku shqiptar se s’di të shërbejë”, tha Veliaj.