Tubimi i PD-së, fillimi i betejës për 71-shin

Ndërsa, në qoftë se bëhen 71 vota në Kuvend, për të rrëzuar qeverinë Rama, do të krijohet një qeveri “teknike”, me kryeministër të propozuar nga Meta e të pranuar nga Berisha.

Nga Eduard Zaloshnja
Kërkesa për qeveri teknike, nuk u bë, për herë të parë, në tubimin e PD-së të 18 shkurtit. Gjatë këtyre viteve të qeverisjes së Ramës, atë e bëri për herë të parë Ilir Meta, më 18 korrik të vitit të shkuar. E bëri për hir të gjetjes së njëmendësisë mes qeverisë dhe opozitës, në lidhje me reformën në drejtësi. Gjë që nënkuptonte se qeveria Rama ishte pengesa e njëmendësisë me opozitën, për ndryshimet kushtetuese në kuadër të asaj reforme.

Kërkesa e atëhershme e Metës nuk u materializua, sepse nuk bënë 71 votat në Kuvend, që duheshin për të rrëzuar qeverinë Rama. Kjo gjë nuk u publikua, por në korridoret e politikës e të medias, qarkulluan informacione të bollshme rreth manovrave të Ramës, për t’i siguruar 71 votat pro tij, edhe përmes ndihmës së 2-3 deputetëve jashtë radhëve të PS-së dhe të PDIU-së.

Për muaj të tërë, termi “qeveri teknike” dhe numri 71 nuk u përmendën më, as publikisht e as në korridoret e politikës e të mediave. Por, para disa javëve, ky i fundit u bë kryefjala e debatit politik. Meta lëshoi një bombë publike, duke deklaruar në media që, “nëse PS-ja i ka 71 mandate, LSI-ja është e gatshme të dalë që sot në opozitë”.

Ndërsa, televizioni Top Channel raportoi se Rama kishte thënë në kryesinë e PS-së që,  koalicioni PS-PDIU-FRD-etj., (pa LSI-në) mund të sigurojë në zgjedhje mbi 71 mandate, nëse arrin të marrë votat që ka marrë në 2013-ën.

Vetëm disa javë pas bombës publike të Metës, rreth numrit 71, Basha riktheu në qendër të debatit publik kërkesën për qeveri teknike. Dhe kjo sintoni mund të mos jetë e rastësishme.

Në qoftë se Meta ka ndërmend të rrijë në koalicionin Rama-Idrizi-Topi, kërkesa për qeveri teknike nuk do të kishte kuptim, edhe po të imagjinonim për një çast, se Rama do ta pranonte atë.

Ecuria e votave, në 8 vjetët e fundit, na tregon se koalicioni opozitar e ka praktikisht të pamundur të fitojë ndaj një koalicioni të bashkuar Rama-Meta-Idrizi-Topi-etj., me apo pa qeveri teknike të paanshme (shihni grafikun shoqërues, ku votat e sotme bazohen në një sondazh që zhvillova në fillim të shkurtit).

71-shi, para zgjedhjeve

Fakti që Meta e sfidoi Ramën publikisht me numrin 71, tregon se lëvizjet e fundit që janë bërë për heqjen e mandateve të deputetëve (në kuadër të ligjit të dekriminalizimit), mund të kenë ndryshuar ekuilibrin e votave parlamentare rreth numrit 71. Dhe jo më kot, Vangjel Dule, kryetari i një partie që u largua nga mazhoranca, pasi në të u fut PDIU-ja, i bëri thirrje të shtunën LSI-së, që t’i bashkohet thirrjes së opozitës për qeveri teknike. “Qeveria teknike nuk mund të realizohet në parlament, nëse nuk ndodh një lëvizje nga forca të caktuara politike, që nuk duan ta mbajnë përgjegjësinë me zotin Rama”, – tha ai. Kur u pyet nëse e kishte fjalën për LSI-në, “Natyrisht për LSI-në”, – u përgjigj Dule.

Kuptohet që Rama nuk do të rrijë duarkryq, nëse Meta i bashkohet kërkesës për qeveri teknike, me moton “Qeveria teknike, një zgjidhje që shmang destabilizimin e vendit”. Njësoj si në korrikun e shkuar, Rama do të mundohet t’i sigurojë 71 votat në Kuvend, duke kërkuar ndihmën e deputetëve jashtë sinorit të tij aktual. Ndërkohë, ai mund të ushtrojë trysni ndaj KQZ-së, që ta shtyjë, sa më shumë, vendimin mbi përjashtimin e 6 deputetëve, që prokuroria i ka shpallur në shkelje të ligjit të dekriminalizimit.

Nuk dihet sesi do të përfundojë kjo betejë e nëndheshme midis Ramës e Metës, por një gjë është, pothuaj, e sigurt – nëse Rama siguron 71 vota në Kuvend, nuk do ta pranojë kërkesën për qeveri teknike, sado gjatë të rrinë protestuesit në çadrën para kryeministrisë (ai ka si alibi mostërheqjen e Berishës në një situatë të ngjashme, para 7 vjetësh).

Ndërsa, në qoftë se bëhen 71 vota në Kuvend, për të rrëzuar qeverinë Rama, do të krijohet një qeveri “teknike”, me kryeministër të propozuar nga Meta e të pranuar nga Berisha.

71-shi pas zgjedhjeve

Zhvillimet e fundit tregojnë se, me gjasa, LSI-ja do të garojë më vete në zgjedhjet e ardhshme, duke krijuar një koalicion të pavarur nga PS-ja e PD-ja. Gjithashtu, zhvillimet e fundit tregojnë se, me gjasa, LSI-ja do të krijojë pas zgjedhjeve një koalicion qeverisës me PD-në, nëse dy koalicionet e tyre sigurojnë së bashku, të paktën, 71 mandate.

Sondazhi i sipërcituar tregonte se këto dy koalicione, mund të merrnin 68-72 mandate, nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar në fillim të shkurtit.

Nisur nga ai sondazh, mund të thuhet që, në qoftë se vendin e çon në zgjedhje një qeveri teknike, gjasat janë që numri i mandateve të tyre të anojë nga 72-shi.

Ndërsa në qoftë se vendin e çon në zgjedhje qeveria Rama, numri i mandateve të tyre ka gjasa të anojë nga 68-ta.

Sepse në Shqipëri, kur qeveria ka qenë vetëm 4 vjet në pushtet, era e zgjedhjeve ka fryrë zakonisht në drejtim të kundërt me koalicionet opozitare…afp.al