Henri Çili: Jo qeveri teknike, por një ministër i Brendshëm me profil teknik

Ndërkohë që opozita është ngujuar përpara Kryeministrisë, duke kërkuar një qeveri teknike për zgjedhjet e qershorit, analisti Henri Çili shkruan në një editorial në Mapo se qeveria mund të bëjë një lëshim.

“Qoftë edhe sikur dyshimet e opozitës apo opinionit publik të ishin të kota, nuk është asnjë problem sikur qeveria të ofrojë një lëshim, një ministër të ri të Brendshëm, me profil teknik dhe i pa përfolur dhe i dakordësuar edhe me partnerë ndërkombëtar, për të qetësuar obsesionin opozitar për ndikimin e krimit në zgjedhje.

Kjo nuk e ndërpret karrierën politike të Saimir Tahirit si ministër i vlerësuar nga kryeministri i tij apo partia e vet, kjo e shtensionon situatën dhe na bën të ecim drejt një procesi të besueshëm zgjedhor dhe rikthen procesin politik te thelbi i tij, tek alternativat dhe argumentet. Pas zgjedhjeve të certifikuara si të lira dhe të ndershme, çka janë një detyrë e qeverisë, ai gëzon të drejtën e çdo karriere politike, madje dhe rikthimin aty ku ishte,” shkruan Çili.

Lexoni më poshtë tekstin e plotë:

Nuk na duhet qeveri teknike, na duhet ministër i Brendshëm teknik

Nga Henri Çili

Në shesh është ngulur çadra e opozitës dhe ironikisht jemi 120 ditë para zgjedhjeve të 18 qershorit, pra thjesht 75 ditë para fillimit të fushatës elektorale. Përtej retorikës së palëve që në sheshin para kryeministrisë ëndërrojnë Mekën e ndërrimit të pushteteve, socialistët dje demokratët sot, ajo që ka interes publik është: A janë të rrezikuara realisht standardet e zgjedhjeve të 18 qershorit, në kushtet kur niveli i trafikut të drogës dhe prania në jetën publike të figurave qendrore apo lokale me rekorde kriminale të vërtetuara është fakt?

Është absurde të pretendohet të kemi një qeveri teknike, kryeministër tjetër apo të tilla marrëzira në kushtet e një qeverie të ligjshme dhe të një kryeministri legjitim, që gëzon të drejtën e finalizimit të mandatit kushtetues, bashkë me pretendimin e një mandati të dytë para popullit shqiptar. Siç është po ashtu absurde që nuk ka asnjë bazë apo nuk ka arsye të shqetësohemi për zgjedhjet dhe influencën potenciale të krimit dhe drogës në rezultatin e zgjedhjeve.

Si e tillë, protesta e opozitës e cila përveç se mund të kualifikohet si akti i parë real i Lulzim Bashës si lider i opozitës, dhe i përforcimit apo ngritjes së figurës së tij si udhëheqësi i nesërm i Shqipërisë, alarmi i hershëm për zgjedhjet e lira ka vlerë publike, ka logjikë, është i arsyeshëm. Ashtu si profilaksia është më e mirë se shërimi i një sëmundjeje, edhe një paralajmërim i hershëm është më i dobishëm se një alarm “post fakt”. Është më ekonomike dhe më e shëndetshme për shoqërinë.

Në këtë kuptim mund të konceptohej një zgjidhje në frymën e dhënies ose shtimit të garancive, qoftë edhe dhënies së garancive të tepruara. Rrotull kësaj mund të shihej zgjidhja e ngërçit aktual, përfshirja e opozitës në procesin zgjedhor dhe mbi të gjitha një proces zgjedhor me garanci paraprake, qoftë dhe të shtuara për t’iu përgjigjur dyshimeve të shtuara mbi pikat e dobëta të një sistemi të standardit të zgjedhjeve, që vërtitet rreth kriminalitetit, drogës, trafiqeve, shkurt rreth Ministrisë së Brendshme.

Në vend që të fliste në mënyrë irrealiste për një qeveri teknike 75 ditë para fillimit të fushatës, për publikun e gjerë ka interes të flitet për mungesë të bilancit të qeverisjes apo mashtrimet e qeverisë, për alternativën e djathtë, sepse zgjedhjet janë vetëm 120 ditë larg. Ndaj si vijim logjik i këtij arsyetimi, në vend që të flasim për një qeveri teknike mund të flasim për një ministër të Brendshëm teknik. Për t’iu përgjigjur situatës sui generis të kriminalitetit në vend, situatës së rënduar të trafikut të drogës, dyshimeve të shtuara për impaktin potencial të parasë së pisët dhe trafiqeve në votën e 18 qershorit.

Qoftë edhe sikur dyshimet e opozitës apo opinionit publik të ishin të kota, nuk është asnjë problem sikur qeveria të ofrojë një lëshim, një ministër të ri të Brendshëm, me profil teknik dhe i pa përfolur dhe i dakordësuar edhe me partnerë ndërkombëtar, për të qetësuar obsesionin opozitar për ndikimin e krimit në zgjedhje.

Kjo nuk e ndërpret karrierën politike të Saimir Tahirit si ministër i vlerësuar nga kryeministri i tij apo partia e vet, kjo e shtensionon situatën dhe na bën të ecim drejt një procesi të besueshëm zgjedhor dhe rikthen procesin politik te thelbi i tij, tek alternativat dhe argumentet. Pas zgjedhjeve të certifikuara si të lira dhe të ndershme, çka janë një detyrë e qeverisë, ai gëzon të drejtën e çdo karriere politike, madje dhe rikthimin aty ku ishte.

Si përfundim opozita dhe opinioni publik meritojnë të marrin një garanci, qoftë kjo e dhënë nga qeveria sikur ajo propagandon, si heqje alibie. Kaq mund të ishte një vlerësim realist dhe në favor të interesit publik të protestës së Lulzim Bashës, të nisur të shtunën, 75 ditë para hapjes së fushatës, për largimin e kësaj qeverie. Gazeta MAPO