Nëna del për herë të parë nga shtëpia 20 vite pas vdekjes së dy djemve

Nënë Merushja nga Lushnja ‘dënoi’ veten pas vdekjes së dy djemve 20 vite më parë, duke u burgosur brenda shtëpisë së saj nga dhimbja e madhe.

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, mbesa e saj 20-vjeçare Klevisa, ia doli të nxjerrë për herë të parë gjyshen nga shtëpia, duke realizuar kështu dhe ëndrrën e saj më të madhe: të shihte mbesën në televizor.

E pyetur nga Arditi rreth jetës së saj, nënë Merushja tha se kishte patur një jetë të hidhur. “Nëna, po ikën fëmijët përpara, rron kot”,- u shpreh Merushja e përlotur. Ajo është nënë e tre djemve, njëri u nda nga jeta në moshën 23-vjeçare, ndërsa tjetri pak pasi ishte bërë baba i një vajze të vogël. Mbesa e saj u martua, por nënë Merushja vazhdoi të mos dilte nga shtëpia, dhe nuk mori pjesë në dasmë.

Klevisa, vajza e djalit tjetër ka patur një lidhje shumë të fortë me gjyshen, kjo shpjegon dhe vendimin e nënë Merushes për të dalë nga shtëpia pas aq vitesh e mbyllur.