Mal Berisha: Koha po tregon rëndësinë historike të  17 shkurtit

Kosova është shumë e  shtrenjtë për diplomatin dhe studiuesin shqiptar, Mal Berisha. Edhe këtë herë, ai ka qenë fatlum tek ka përjetuar  këto ditë festimet e 9 -vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  Ai nënvizon se, rëndësia historike e 17 shkurtit sa vjen e shtohet me kalimin e viteve. Në kryeqytetin kosovar,  ai i ka përjetuar këto festime me emocion të thellë, por mbi të gjitha atij i ka bërë përshtypje një episod shumë i veçantë  spontan – ngazëllimi i dy fëmijëve kosovar që kishin ardhur me prindërit e tyre nga jashtë për të festuar këtë ditë të madhe.  Ai e ilustron këtë moment me një video në Facebook. Përpara shtatores së Ibrahim Rugovës, dy vajza të vogla shfaqen duke recituar plot emocion disa vargje që nxjerrin në pah rëndësinë e kësaj dite të shënuar për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

 “Nëntë vjet Pavarësi! Në ditën e 17 – të, të shkurtit 2008, këtu në Prishtinë u bëmë dëshmitarë okularë të njërës prej ngjarjeve më të mëdha të historisë së kombit tonë:  Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ja tek jemi prapë: Sa më shumë vite kalojnë aq më shumë kuptojmë rëndësinë historike të kësaj date”, thotë statusi i Z. Mal Berisha në Facebook. Ai shton “Pavarësia e Kosovës:  Atë ditë u realizua një pjesë e ëndrrës së bukur shqiptare. Sonte në vigjilje të festës përjetova ngazëllimin e dy fëmijëve që prindi i tyre i kishte sjellë nga Perëndimi në Prishtinë, përpara shtatores së ideatorit të kësaj dite të madhe.

“Gëzuar Pavarësinë Kosovë!”

Mal Berisha ka punuar në Kosovë në kuadrin e UNMIK në vitet 2000-2010 në ndihmë të ndërtimit të institucioneve demokratike të vendit për t’u rikthyer atje vjeshtën e shkuar në një pozicion drejtues tek një ndër kompanitë më prestigjioze të Kosovës.