KLD rrëzon Fatmir Xhafën: Kemi respektuar Kushtetutën dhe ligjin

1

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka drejtuar një letër Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta në lidhje me pretendimet e kreut socialist të Komisionit për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj sa i përket përzgjedhjes së kandidaturave të gjyqtarëve për shortin e anëtarët të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka rrëzuar pretendimet e Fatmir Xhafës, ndërsa në letrën e përgjigjes thuhet se është respektuar pikë për pikë ligji sa i përket përzgjedhjes së kandidaturave. Gjithashtu Këshilli i Lartë i Drejtësisë thekson se lista është hartuar me transparencë të plotë dhe për 128 gjyqtarë janë evidentuar të gjithë të dhënat personale.

KLD i ka dërguar një letër presidentit Nishani, ku theksohet se lista i është dërguar Kuvendit në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit. Sipas KLD mungesa e respektit institucional pengon zbatimin e reformës, ndërsa institucioni udhëhiqet vetëm nga korrektesa, transparenca dhe respektimi i ligjit, ndërsa KLD nuk interpreton por zbaton në mënyre strikte dhe rigoroze Kushtetutën.

Të hënën kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, në cilësinë e ish-kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, e ka cilësuar të paligjshëm procesin e zgjedhjes së Këshillit të Emërimeve në drejtësi.