Posta Shqiptare dhe Insituti Kanadez i Teknologjisë firmosin bashkëpunimi

Studentët do të prekin nga afër praktikat manaxhuese dhe zhvillimin teknologjik

Posta Shqiptare firmosi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin Kandez të Teknologjisë. Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare z. Majlind Lazimi dhe Administratori i Insitutit z. Hamad Ben Abdennabi.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është bashkëpunimi në fushën kërkimore dhe profesionale për të kontribuar në procesin e formimit të studentëve dhe përmbushjen e nevojave të Postës Shqiptare për identifikimin e talenteve dhe zhvillimin e ideve të reja në fushën e ekonomisë por sidomos të teknologjisë, fushë e cila është ekskluzive për këtë institut.

Posta Shqiptare dhe Instituti Kanadez i Teknologjisë nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do të bashkëpunojnë për realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e teknologjisë, por edhe në fusha të tjera të cilat mund të shihen të nevojshme, si nga ana e studentëve në kuadër të praktikave profesionale, ashtu edhe nga ana e Postës për nevojat e saj në risitë teknologjike në funksion të shërbimit më të mirë të saj.

Gjatë këtij takimi Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare mbajti dhe një leksion të hapur me studentët, ku bëri një prezantim të institucionit që ai drejton dhe foli për veprimtarinë dhe shërbimet që Posta ofron. Lazimi foli për proceset e manaxhimit në një kompani shërbimesh si Posta Shqiptare dhe se si kjo kompani  ka arritur që të integrojë teknologjinë në sistemet e saj manaxhuese por edhe në funksionimin e dhënies së shërbimit, për një shërbim më eficent ndaj klientëve, por edhe për një mirëfunksionim të brendshëm. Lazimi theksoi rolin e padiskutueshëm që teknologjia ka patur në sistemin postar jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë, pasi ajo nuk është një kërcënim por një nevojë për kohët që jetojmë sot.

Në fund të fjalës së tij, z. Lazimi tha se Posta Shqiptare do ti këtë dyert e hapura për studentët e Institutit që duan të bëjnë stazhin ose trajnimet pranë saj, në mënyrë që të fitojnë një eksperiencë praktike, të njihen nga afër me sfidat dhe problematikat që ka ky sektor, por edhe të kontribuojnë me ide të reja se si teknologjia mund të jetë një element zhvillimor në vazhdim për Postën.