NATO të mbrojë Kosovën, agresioni i Serbisë “kërcënon” rajonin

0

Shqipëria dhe Kroacia i kanë kërkuar NATO-s, që të rishikojë planet për misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, duke thënë se retorika nacionaliste nga politikanët serb kërcënon të destabilizojë rajonin.

Tabloiti “The Express Tribune”, shkruan sot se: “Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës erdhën nën tendosjen e përtërirë kur Beogradi dërgoi një tren me parullën “Kosova është Serbi” në kufi”.

Presidenti i Serbisë ka akuzuar autoritetet në Prishtinë se kanë plane për të filluar një luftë, ndërsa homologu i tij në Kosovë ka thënë se Serbia mund të përdor modelin e Rusisë, që të aneksojë pjesën veriore të Kosovës. NATO e sheh rritjen e mprehtë me sulmet kibernetike shtetërore të mbështetura.

Mimi Kodheli dhe Damir Krsticevic, ministrat e mbrojtjes së Shqipërisë dhe Kroacisë, i shkruajtën Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se dënojnë “retorikën nacionaliste nga politikanët serbë dhe veprimet e tyre konkrete në kufi”.

Ministrat theksuan se ato veprime synojnë që të “shkelin sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe të destabilizojnë situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”.

Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO është parë nga të dy institucionet, si një mënyrë për të garantuar paqen në një rajon ende të plagosur nga luftërat që pasuan kolapsin e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990.

Ministrat thanë se Stoltenberg mbështet transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila është e armatosur lehtë dhe e angazhuar në reagimin ndaj krizave, mbrojtjes civile dhe asgjësimin e municioneve, në një ushtri me të drejta të plota.

Por për të krijuar ushtrinë, Kosova ka nevojë për mbështetjen e minoritetit serb në parlament, përfaqësues të së cilës e kundërshtojnë këtë lëvizje. Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën në vitin 1999, kur NATO e bombardoi atë për të ndalur spastrimin etnik serb në një luftë kundër rebelimit. NATO ende ka rreth 4,500 trupa të stacionuara në Kosovë për të ruajtur paqen e brishtë.

Mbështetur nga SHBA dhe shteteve të mëdha të Europës perëndimore, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Shqiptarët etnikë përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullsisë së 1.8 milion në Kosovë.

Përshtati: Redjon Shtylla/Koha Jonë