FIAA: Korrupsioni në Shqipëri është rritur ndjeshëm

Investitorët e huaj deklarojnë publikisht  se korrupsioni në Shqipëri është rritur në mënyrë galopante duke përkeqësuar klimën e biznesit. Një vrojtim i kryer nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, e vendosi korrupsionin si pengesën e dytë më të madhe për të bërë biznes, pas gjykatave.

Por krahasuar me një vit më parë, korrupsioni është një nga faktorët që ka rritjen më të madhe. Më konkretisht nëse në vitin 2015 ishin 60 për qind e investitorëve të huaj, që e shihnin korrupsionin si një pengesë serioze, në 2016-ën shifra kërceu në 72 për qind.

Rritja me 12 pikë përqindje, demonstron se gjatë vitit të kaluar, korrupsioni është rritur ndjeshëm duke mbytur sipërmarrjen.

Klima e biznesit u përkeqësua

Mbi 64 për qind e investitorëve të huaj deklarojnë se mjedisi i të bërit biznes në Shqipëri, është i papërshtatshëm. Vrojtimi i kryer nga IDRA është realizuar në 70 kompani të rëndësishme që u përkasin sektorëve të ndryshëm, përmes intervistave ballë për ballë.

Problemet kryesore që shqetësojnë biznesi janë: sistemi gjyqësor, korrupsioni, eficienca e Gjykatës Administrative, si dhe ndryshimi i vazhdueshëm i ligjeve tatimore.

Më konkretisht, rreth 78% e investitorëve të huaj mendojnë se pengesa kryesore për të bërë biznes në Shqipëri janë gjykatat, nga 66% që ishin vitin e kaluar.

Korrupsioni është raportuar si pengesë serioze nga 72% e të anketuarve, nga 60% në anketimin e vitit 2015.

Edhe eficencën e Gjykatës Administrative e shohin si problematik 68% e të anketuarve nga 48% vitin e mëparshëm.

Ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit dhe procedurat e taksave vijojnë të mbeten problem për 67% të të anketuarve.

Image