Enver Hoxhaj: I qëndroj deklaratave për rolin e Ramës në rajon

0

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë të gjatë për emisionin “Arena” nga Dritan Hila në Rtv Ora News, ka rrëfyer se si ka hyrë në politikën kosovare dhe hapat historik të Kosovës gjatë dekadës së fundit.

Gjatë intervistës, Hoxhaj flet për marrëdhëniet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me homologun serb Vuçiç. Hoxhaj thotë se i qëndronte deklaratave të vitit të shkuar rreth rolit të qeverisë shqiptare në rajon.

“Deklarata ime e vitit të kaluar më shumë ka pas të bëj me atë që unë kam bërë përpjekje që ti jap një lloj përgjigje Beogradit, i cili mendonte se mund të foli për tema rajonale dhe ne në Kosovë e kem një lloj ndjeshmërie të veçantë në raport me Serbinë, në raport me Beogradin meqë ky është një vend i cili edhe më tutje projekton një politikë dominante në rajon dhe ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që kudo që Serbia shfaq ambicie të tilla sidomos në raport me Kosovën ne ta mbrojmë ekzistencën e shtetit të Kosovës”, thotë ai.

Intervista: 

Dritan Hila: Mirëmbrëma!Më 17 shkurt Kosova bënë nëntë vjet pavarësi. Ne kemi ardhur të intervistojmë një nga figurat më të njohura dhe le të themi fytyrën evropiane të qeverisë së Kosovës. Ministrin e jashtëm z. Enver Hoxhaj.

Z.Hoxhaj mirëserdhe në Arena dhe mirë se ju gjeta në zyrën tuaj.

Enver Hoxhaj: Faleminderit për ftesën z.Hila. Kënaqësi

Dritan Hila: Kush është Enver Hoxhaj?

Enver Hoxhaj: Unë kam lindur në 4 tetor të vitit 1969 në një komunë të vogël të Kosovës që thirret Suarek dhe pjesën e rinisë së hershme e kam kaluar këtu.Një pjesë të madhe e kam kaluar në Prishtinë dhe më shumë në Vjenë, Austri.

Dritan Hila: Juve keni studiuar në Vjenë për histori?

 Enver Hoxhaj: Unë kam studiuar në Vjenë mes viteve 1993 deri më 1 shtator të vitit 2000. Kam qëndruar në Austri dhe më pas me përfundimin e doktoraturës më ambicie për të bërë karrierë akademike dhe me ambicie për të pasur një rol dhe një ndalim në jetën akademike të Universitetit të Prishtinës vendosa që të kthehem në Prishtinë dhe kam qenë profesor në shkenca politike deri në vitin 2007 në mënyrë aktive por edhe sot kam një pozitë të profesorit të cilën për shkak të pozitave në qeveri nuk kam mund që ta ushtroj.

Dritan Hila: Kur filloj ingranimi juaj në politik?

Enver Hoxhaj: Zyrtarisht jam bërë pjesë e jetës politike në 1 korrik të vitit 2004 dhe mandej u bëra dhe deputet i kuvendit të Kosovës .Unë edhe presidenti Thaçi kemi një histori të përbashkët si koleg të studimeve në universitetin e Prishtinës dhe më pas si koleg në universitetin e Vjenës, edhe z.Thaçi ka qenë për disa muaj në Austri para se të shkoj për studime në Zyhri të Zvicrës dhe për shkak të këtij raporti personal por dhe për shkak të interesimit tim për politikën ,për shkak të ambienteve që ta shof Kosovën më mirë vendosa që ti bashkohem jetës politike.

Dritan Hila: Ministër i arsimit dhe ministër i jashtëm 2 herë. Kjo është hera e dytë si ministër i jashtëm apo jo?

Enver Hoxhaj: Po kjo është hera e dytë.

Dritan Hila: Dhe keni dhe një mandat të plotë si ministër i jashtëm ?

Enver Hoxhaj: Kam qenë mes viteve 2011-2014 një mandat të plotë si ministër i jashtëm .Në këtë mandat të dytë kishim një situatë politike të brendshme ku u formua qeveria aktuale dhe z.Thaçi ishte në pritje e sipër që të kaloi në pozitën e presidentit dhe për një vit e gjysmë z.Thaci e mori postin e ministrit të jashtëm dhe unë u bëra pasuesi i tij dhe ky është mandati i dytë.

Dritan Hila: Keni qenë ndër ministrat më të suksesshëm të Kosovës. Sa shtete kanë njohur Kosovën në mandatin tuaj?

Enver Hoxhaj: Procesi i njohje së Kosovës është një proces i cili ndërlidhet me disa situata dhe disa rrethana politike ku jo patjetër në një kohë të caktuar mund ti vishet njohja një njeriu dhe unë nuk dua që të marr këtu merita personale. Në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008-2009 Kosova kishte një valë të njohjeve ku ishin mbi 50-60 vende të cilat e njohën Kosovën që në muajt e para. Pothuajse të gjitha këto vende që morën vendimin që ta njohin Kosovën qoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ,qoftë shtete anëtare të Bashkimit Evropian si Britania e Madhe, Britania, Franca, Shqipëria dhe vende të tjera. Kishin të bënin me faktin që këto vende ishin pjesë e procesit politik të shtet ndërtimit të Kosovës, ishin pjesë e ndërtimit të shumë shtet ndërtimeve të cilat ndodhën në ish Jugosllavi si Slloveni,Kroaci,Bosnje,Mali i ZI kështu që kjo valë e njohjeve 2 viteve të para ka qenë rrjedhojë e një angazhimi politik të këtyre vendeve ,pastaj shumë vende që e njohën Kosovën dy vitet e para kanë qënë vende demokratike të cilat kanë menduar që nëse njihet Kosova zgjerohet paqja liberale në botë,zgjerohet koncepti i ekonomisë së tregut ,ka stabilitet rajonal ballkanik dhe stabilitet evropian.

Dhe unë kur e mora postin e ministrit të jashtëm në vitin 2011 ,një vit më parë në vitin 2010 kishte një lloj ngecje të njohjeve dhe atë votë e mora me vendosmëri të madhe që axhenda e njohjeve të vazhdoj më tutje. Mund të them që janë mbi 47 shtete me të cilat unë kam pas një angazhim personal deri sa ka ndodh njohja por natyrisht që njohja e Kosovës është njohje e meritës së një vendi për të qenë i pavarur jo punë e dikujt individuale.

Dritan Hila: Unë e kam lexuar librin tuaj “Ngritja e një shteti” dhe si njeri i cili ka një lloj eksperience diplomatike më ka pëlqyer shumë sepse ka qenë një lloj manuali për diplomacinë e vendeve të vogla. Dhe eksperienca juaj pikërisht këtë përshkruan. Ju e thatë edhe vet që keni pasur vështirësi. Nuk ishte problem që ta njihnin Kosovën ato vende që kishin përkrahur edhe bombardimin e Serbisë por problemi fillon më mbrapa. Besoj që me disa prej vendeve të Gjirit Persik keni hasur vështirësi .Por si do të shkoj si procedurë ky proces i vështirë ?

Enver Hoxhaj: Mendoj që duhet të kuptohet në thelb se çfarë ka ndodh dhe cila është qasja e jonë, për atë unë kam bërë përpjekje dhe në kaptinën e librit që ta zbërthej në thelbin e saj rrugën e Kosovës.

Dritan Hila: Dua ta inkuadroni librin se ne kemi një klasë diplomatësh të vogël në vendin tonë rreth 500 por është e nëvojshme që ta lexojnë të gjithë.

Enver Hoxhaj: Në vitin 2007 kur ish i dërguari i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Martti Ahtisaari i cili ishte përgjegjës që të ofronte një plan për një zgjidhje të statusit final të Kosovës dhe ne kishim për dy vite Negociata në Vjenë. Pas bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë ,pas rezolutës 1244, pas një administrimi 7 vjeçar të Kosovës dhe pas një pjesmarrje aktive të Kosovës dhe Serbisë por edhe të partnerëve Evropian dhe Amerikan ai doli me propozimin që zgjidhja e vetme afat gjatë për Kosovën është Kosova e pavarur. Ne e dimë që në atë kohë në këshill të sigurimit në vitin 2007 për 7-8 muaj Rusët kërcënonin me përdorimin e vetos .E përmend këtë ngjarje pasi ka dy mënyra sesi janë themeluar shtetet: një mënyrë është që shtetet kanë shpallur pavarësinë dhe kanë pasur një fat apo rrethanë gjeopolitike të favorshme ku janë anëtarësuar në OKB, dhe me anëtarësimin e tyre në OKB njohjet individuale nuk kanë qenë të nevojshme.

Kjo i ka ndodhur Malit të Zi dhe shumë republikave ish-Jugosllave dhe shumë shteteve të tjera në botë. Ndërsa për shkak të kërcënimit rus, të pakos së Ahtisaarit si plan ndërkombëtarë për pavarësinë e Kosovës ne kemi qenë të detyruar që të ndjekim një rrugë graduale të forcimit të sovranitetit. Kjo nënkupton që ne kemi qenë të detyruar që të marrim njohje individuale në vend të njohjeve kolektive që do ti merrnim nëse do të anëtarësoheshim në OKB dhe është fakt që republika e Kosovës është njohur deri më tash nga 113 shtete ,që njohja ka qenë një rrjedhë e pandashme ,që gjeografia e njohjes është globale ,që ka shumë vende që e njohin sot e kësaj dite Kosovën si të pavarur .Në mesin e tyre është edhe vendi i fundit që e ka njohur Singapori që është një fuqi e rëndësishme ekonomike në Azi .Ne kemi vendosur që të anëtarësohemi në Organizatën Ndërkombëtare dhe shume vende të cilat anëtarësohen në Organizatën Ndërkombëtare fillimisht janë anëtarë të OKB –së dhe pastaj anëtarësimi është pothuajse një proces i pandalshëm.

Dritan Hila: Ju po detyroheni të “hyni nga penxherja” ?

Enver Hoxhaj: Saktësisht. Dhe ne deri tani kemi arritur që të anëtarësohemi deri në 50 organizata të ndryshme ndërkombëtare,por rruga e anëtarësimit tonë ka qenë e vështirë, ka qenë një lloj bilanci i forcave midis shteteve pro Kosovës dhe shteteve që e kundërshtonin Kosovën. Më pas kemi forcuar marrëdhënien tonë me Bashkimin Evropian përtej asaj që 5 vende anëtare të BE –së nuk e njohin Kosovën .

Dritan Hila: A ka shenja zbutjeje me këto vende z.ministër ?

Enver Hoxhaj: Këto vende që përkundër asaj që në këto 7 vitet e fundit nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë mbështetur ndërtimin e një raporti të mirëfilltë të Kosovës me BE –në dhe ne e pranojmë për një lloj respekti që i kanë dhënë vendit tonë dhe na kanë mundësuar që të kemi një marrëveshje të Stabilizim -Asocimit me Bashkimin Evropian sikurse e ka Shqipëria apo vendet e tjera të rajonit .Mirëpo në 2-3 vitet e para kur vendim-marrja në këto vende ishte më e lehtë që ta njohin Kosovën ka pas forca politike të cilat kanë qenë hezituese .Aktualisht po punojmë që të krijohet një situatë e favorshme,një lloj pike kthese. Kemi raporte të shkëlqyera me Greqinë dhe Greqia edhe pse nuk e ka njohur Kosovën sillet në raport me Kosovën si një vend njohës, e mbështet Kosovën në planin bilateral, në planin multilateral.

Nëse aplikojmë që të antarësohemi në ndonjë organizatë kemi një shkëmbim shumë të mirë edhe politik edhe ekonomik .Në Rumani kemi pas situata në varësi të qeverive të ndryshme ,këto ditë ky vend ballafaqohet me trazira dhe ne kemi pasur shpresë që me qeverinë aktuale të kemi raport më intensiv .Sllovakia ka qenë po ashtu mbështetëse. Ndërsa Qipro she Spanja kanë qenë vende më precize në raport me Kosovën. Për mendimin tim ka qenë një lloj qasje e gabuar sidomos e spanjollëve që për arsye totalisht të pa qëndrueshme, historike, politike kanë bërë përpjekje që Kosovën herë pas here ta shndërrojnë në një temë të brendshme që nuk përkon fare me rrethana të krijimit të shtetit të Kosovës,të krijimit të shteteve të tjera në hapësirën ish Jugosllave dhe të politikës së brendshme Spanjolle. Unë besoj që nëse ne në një raport të normalizimit të marëdhenieve me Serbinë apo në një raport të forcimit të lidhjes tonë Bashkimin Evropian mund të ketë një situatë të favorshme që dy nga këto vende ta njohë Kosovën. Të paktën qasja jonë ka qenë që cdo herë marrëdhënia jonë e avancuar në Bruksel të përdoret dhe si një platformë e mundshme e njohjeve

Dritan Hila: A ka qenë ndihmuese Shqipëria në procesin e njohjeve ?

Enver Hoxhaj: Padyshim. Diplomacia shqiptare fillimisht ka pas një rol vendimtar në internacionalizimin e çështjes së Kosovës. Ka qenë prioritet i politikës së shtetit shqiptar, për 100 vitet e fundit pavarësisht që kush ka qenë në pushtet,pavarësisht natyrën e sistemit politik apo karakterin e qeverisjes, pavarësisht rrethanave të brendshme të krizave me të cilat është ballafaquar shteti Shqiptarë, ka qenë prioritet mbi prioritetet e shtetit Shqiptarë avancimi i çështjes së Kosovës, sikurse edhe liria dhe pavarësia e Kosovës. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve edhe sa i takon njohjeve shteti Shqiptarë ka merita të veçanta.

Unë mund të them prej përvojës time personale që të gjitha qeveritë të cilat kanë qenë në pushtet në Shqipëri nga viti 2007 -2008 kur unë kam pas fatin dhe nderit që të bashkëpunoj me shumë ministra të jashtëm por edhe me shumë president e kryeministra dhe me shumë kryetarë të kuvendeve ka qenë prioritet mbi prioritete njohja e Kosovës, dhe disa prej vendeve që e kanë njohur Kosovën janë meritë e kontakteve të shtetit Shqiptarë, lidhjeve personale përmes politikës së politikanëve të shtetit shqiptarë me vende të caktuara.

 

Dritan Hila: Mos kemi filluar të bëhemi pak të bezdisshëm në raport me Kosovën? Mos kemi një lloj ndenjeje patriotizmi?

Enver Hoxhaj: Mendoj se jo. Mendoj që edhe Kosova edhe Shqipëri e kanë arritur që pas shpalljes së pavarësisë ta tejkalojnë këtë raportin patronalist të cilin e ka pas Shqipëria deri në vitin 2007 i cili ka qenë i natyrshëm meqë ne nuk kemi qenë shtet por kemi qene një çështje ,dhe politika një çështje dallon shumë nga politika e jashtme e një shteti. Unë nuk e kam pas asnjëherë ndjenjën që shteti shqiptar ka një lloj roli të një patrealizmi të tepruar. Ka koordinim , ka shkëmbim të pikëpamjeve, ka dallime shpesh herë në situata të caktuara, jo dallime të qëllimshme por ne jemi shtet sovran dhe i pavarur dhe një shtet i pavarur është i detyruar që në situata të caktuara të shohë se ku mund të klasohemi më mirë. Por ka një koordinim ditorë të rregullt për çdo temë të politikës së jashtme.

Dritan Hila: Si e shikoni marrëdhënien e fundit të kryeministrit Rama me kryeministrit serb Vucic?

Enver Hoxhaj: Gjatë vitit të kaluar unë kam shfaqur disa pikëpamje të cilat në Tiranë dhe në Prishtinë edhe janë interpretuar.

Dritan Hila: Mendoj që është rasti ti sqarojmë….

Enver Hoxhaj: Mendimi im është që kryeministri Rama si kryeministër i shtetit shqiptar natyrisht në raport edhe me Serbinë edhe me Maqedoninë dhe me Malin e Zi por dhe vende të tjera të rajonit është mirë që ndjek një politikë pro aktive rajonale

Dritan Hila: Rama është kritikuar në Shqipëri jo vetëm nga opozita por edhe nga segmente të shoqërisë Shqiptare për një lloj personalizimi të politikës me Serbinë, shmangie të interesave të Kosovës për ato që i quajnë thelbësore dhe një lloj amatorializmi në politikën e jashtme dhe aq më tepër ndaj Serbisë .Ju vet si e shikoni këtë politikë të z. Rama ?

Enver Hoxhaj: Nuk është detyra ime që të jap vlerësime për një kryeministër të një shteti …

Dritan Hila: Por a ju pengon në marrëdhëniet që keni me Serbinë se ju jeni në proces bisedimesh ?

Enver Hoxhaj: Qasja ime vitin e kaluar mbetet e njëjtë se nuk është vetëm qasje e ministrit të jashtëm por është dhe qasje e presidentit dhe e kryeministrit dhe e kuvendit të Kosovës dhe e çdo kujt. Ne e shohim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dialog ndërshtetëror. Dhe ne mendojmë që në këtë dialog ndërshtetëror nga Bashkimi Evropian për shkak të rolit ndihmues që ka në këtë proces mund ta ketë rolin e tij. Partnerët tanë amerikan për shkak të ambicies tonë që të bëhemi shtet anëtarë i OKB –së, por edhe shtete të tjera të mëdha mund ta kenë një rol mbështetës sikurse dhe Shqipëria mund ta ndihmon këtë dialog. Deklarata ime e vitit të kaluar më shumë ka pas të bëj me atë që unë kam bërë përpjekje që ti jap një lloj përgjigje Beogradit, i cili mendonte se mund të foli për tema rajonale dhe ne në Kosovë e kem një lloj ndjeshmërie të veçantë në raport me Serbinë ,në raport me Beogradin meqë ky është një vend i cili edhe më tutje projekton një politikë dominante në rajon dhe ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që kudo që Serbia shfaq ambicie të tilla sidomos në raport me Kosovën ne ta mbrojmë ekzistencën e shtetit të Kosovës

Dritan Hila: Ngjarjet e fundit treguan që as kanë mësuar gjë dhe as duan të mësojnë gjë nga historia serbët.

Enver Hoxhaj: Ngjarjet e fundit tregojnë se Serbia nëse deri në qershorin e vitit 1999 ka ndjekur një politikë armiqësore kundrejt popullit të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë ndjek një politikë armiqësore me shtetin e Kosovës jo me qytetarët dhe kjo politikë armiqësore përbëhet nga përpjekja e Serbëve për ta minuar shtetësinë tonë brenda për brenda territorit ,për ta izoluar Kosovën ndërkombëtarisht, prandaj edhe ne bëjmë përpjekje që në politikën tonë të rajonale dhe ndërkombëtare të shfaqemi si një subjekt, si një zë i fuqishëm i artikuluar në raport me pritjet që i kemi. Shoqëria Serbe nuk ka ndryshuar, Serbia nuk ka ndryshuar por ne jemi të detyruar si njerëz në politikë që vakuumin mes një të kaluare të hidhur ta mbyllim me një urë dhe kjo urë është një proces i normalizimit të raporteve. Një dialog ndërshtetërorë për të cilin ne besojmë që do duhet të përfundojë me një njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë

Dritan Hila: Pavarësisht deklaratave që kanë bërë? Nikolic psh ka thënë që nuk do ta njohim kurrë Kosovën.

Enver Hoxhaj: Vazhdimisht në Beograd ka pas elita politike, ka pas liderë institucional ,president,kryeministra shkrimtarë…të cilit i ka ndjekur Kosova e pavarur si një lloj fantazme nga mbrapa mirëpo dialogu në këto 5 vitet e fundit ka treguar që ato nëse nuk e njohin shtetin e Kosovës e njohin realitetin e Kosovës të pavarur. Dhe vendimet të cilat janë marr në këto javët e para të janarit të 2017-ës tregojnë për vendosmërinë e shtetit të Kosovës, qoftë një situatë që e kishim me ardhjen e një treni me motive nacionaliste, fetare, politike përpara disa javësh, qoftë edhe çështja e murit …

Dritan Hila: Dua ta shtjelloj më vonë këtë se është një pikë mjaft e rëndësishme. Kosova në vetvete në rrëzimin e murit të Mitrovicës tregoi një sovranitet të papritshëm…Por për temen Kosvë –Shqipëri .A ka një lloj euforie në bashkëpunimin midis dy qeverive por mua më duket se vetëm dy ministritë e jashtme po konkretizojnë diçka të përbashkët sic është hapja e zyrës konsullore të përbashkët,ndërsa në planin ekonomik nuk shof të njëjtin bashkpunim midis Kosovës dhe Shqipërisë. E kanë marrë lehtë këtë pikën e bashkëpunimit ekonomik ,për hartimin e ligjeve lehtësuese financiare import –eksport. Mendimi juaj është që mund të bëhej më tepër për shkrirjen e dy vendeve të paktën ekonomike?

Enver Hoxhaj: Pajtohem që duhet bërë më shumë në planin ekonomik .Në planin politik për shtetin e Kosovës, Shqipëria është partneri më strategjik prandaj dhe unë kam qenë me fat që gjatë mandatit tim të parë dhe këtë mandat me iniciativën tonë por mbi të gjitha me iniciativë të kryeministrit Rama të ministrit Bushati ne kemi një kulturë të re të bashkëpunimit përmes një qeverisje strategjike përmes disa mbledhjeve të përbashkëta të të dy qeverive të të dy vendeve. Dhe nëse Shqipëria për Kosovën është një lloj partneri strategjik Kosova për Shqipërinë është një lloj partneri i natyrshëm. Jemi një popull që jeton në dy shtete.

Dritan Hila:Nuk po arrijmë të rregullojmë as import eksportin e patateve

Enver Hoxhaj: Saktësisht. Në këto tre vitet e fundit mendoj që shumë mbledhje, shumë vizita zyrtare bilaterale që kemi pas kanë kaluar një numër të madh të barrierave që kanë ekzistuar. Në vitin 2011 kur unë jam bërë ministër për herë të parë për mua ka qenë absurde që Kosova ka pas më shumë marrëveshje të nënshkruara bashkëpunimi me Maqedoninë sesa me Shqipërinë dhe tani dilema kryesore që kemi është se si të ketë më shumë bashkëpunim ekonomik. Bashkëpunimi ekonomik duhet të nxitet nga qeveritë, por bashkëpunimi ekonomik duhet të nxitet edhe nga vetë bizneset. Bizneset duhet ta kenë një psikologji të re që ta shohin tregun e Shqipërisë si treg të tyre, që ti shohin investimet në shtetin shqiptarë si investime te barabarta në Kosovë. Duhet të ketë dhe shkëmbim më shumë mes të dy shoqërive dhe institucioneve arsimore dhe kulturore,natyrisht edhe qeveria në Tiranë dhe në Prishtinë mund të kritikohet dhe të ballafaqohet për punë të cilat kanë ndodh apo nuk kanë ndodh .Por mendimi im është që meqë jemi një popull,një shoqëri duhet të shohim sesi të kemi dhe një ekonomi më të integruar dhe të kemi institucione të cilat pa asnjë dallim funksionojnë mes njëra –tjetrës. Unë për këtë arsye dhe librin tim kam vendosur që ta botoj në Tiranë dhe jo në Prishtinë

Dritan Hila: Ju e keni bërë tuajën. Ministria e jashtme e Kosovës është treguar shumë bashkëpunuese.