Ahmetaj: Opozita kërkon të kompensojë humbjen me protesta dhe pseudo-alarme

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj në përgjigje të akuzave të opozitës deklaroi nga foltorja e Kuvendit se institucioni i ri për rivlerësimin e pasurive është një risi.

Ai pohoi se deri më tani janë bërë 27 mijë aplikime nga qytetarët, ndërsa nga ky shërbim janë kursyer 1 miliard dollarë.

Nga ana tjetër Ahmetaj tha se opozita kërkon të kompensojë gjithë këtë me protesta dhe pseudo-alarm për vjedhje votash.

“Në institucionin e ADISA ka shumë aplikime. E vizitova vet atë shërbim, u takova vet me qytetarët, të cilët shprehën falënderim për këtë shërbim që u jepet nga institucioni që është risi. Është një shërbim publik i ndjerë nga 27 mijë familje. Ka 27 mijë aplikime për rivlerësim të pasurisë së tyre në bazë të ligjit të rivlerësimit. Kanë përfituar një formalizim të vlerës së pasurisë së tyre me një diferencë 1 mld dollar. Shqiptarët në letrat e tyre të shtrenjta të tapive nëse doni janë 1 mln dollarë më të pasur. Nuk mund t’i mësojë askujt aritmetiken. Kemi dy avanca dhe risi, kursimi për qytetarët dhe formalizmi i një vlere prej 1 mln dollarësh dhe një shërbim publik shembullor. Këtu dikush tha: “Është dështim, ndaj e shtyni”. Pra suksesi qenka dështim. Kjo është qesharake në gjithë platformën e opozitës para zgjedhjeve. Këtë kërkojnë ta kompensojnë me protesta dhe pseudo-alarm për zgjedhje votash. Është bërë e njëjta politikë dhe në 2011. Këtu ose ka një standard ose ka ca njerëz që gënjejnë. Ata ftojnë në protestë kundër reformës në drejtësi, megjithëse sjellin shembullin e Rumanisë. Nëse do ishit shembulli i Rumanisë do duhej të kishit mbështetur Vettingun. Rol i opozitës është që të flas, aq më mirë i bën vetes dhe qeverisë. Por kur flet me politika dhe fytyra të vjetra dhe i sheh si risi, ky jeni qeveri e vjetër e qeverisë së vjetër. Ju dolët me tam-tam për lirinë ekonomike, kjo ishte qesharake.”, tha Ahmetaj.