Klara Buda ringjall Mitrush Kutelin në Francë!

Botimi në 110 vjetorin e lindjes

 Në 9 shkurt 2017, në 110 vjetorin e lindjes, botohet në Francë për herë të parë në një libër më vete, rrëfenja “Fshati im e pi rakinë” i Mitrush Kutelit e përshtatur në frëngjisht dhe e paraqitur për lexuesin francez nga Klara Buda. Parathënien e librit e firmos Christian Gut, albanolog dhe latinist i njohur, antar i Akademisë së shkencave të Kosovës.

Me këtë rast, një seancë autograf i rrëfenjës Fshati im e pi rakinë është organizuar nga Editions Fauves më 9  shkurt 2017, në orën 19:00, në théâtre, Lucernaire, 53 rue Notre Dame des Champs 75006 Paris, Metro Notre-Dame-des-Champs.

Mitrush Kuteli (1907-1967) është  shkrimtar i veçantë i letërsisë shqipe. Pjesë e elitës shkencore dhe letrare, ai u dënua, u persekutuar dhe u reduktua në heshtje nga regjimi totalitar shqiptar. Pas daljes nga burgu e deri në vdekjen e tij të hershme në vitin 1967, ai u detyrua të punojë si përkthyes duke iu nënshtruar normës së shtëpisë botuese Naim Frashëri (që shkonte nga  4 – 8 faqe A4 përkthim në ditë). Botimi i veprave personale nuk ishte ndaluar zyrtarisht, por kjo u bë realitet pak nga pak.

 Kështu pjesa kryesore e veprave që na ka lënë ky autor është shkruar dhe botuar para periudhës totalitare, të “realizmit” të indoktrinuar që u quajt realizëm socialist. Kjo vepër, një gjerdan ku ka të paktën mes të tjerash disa perla, tridhjetë në total, ku mund të permendim Vjeshtën e Xheladin Beut, E madhe është gjema e mëkatit, Fshati im e pi rakinë, Xinxifillua, Rina Katarinella, etj.

Stili dhe metoda e tij e veçantë përben një risi në prozën narrative dhe shënon lindjen e prozës moderne shqipe. Sot Kuteli konsiderohet si një nga mjeshtrit e fjalës shqipe, kontributi i të cilit është i pamohueshëm dhe i padiskutueshëm.

 

Kuteli qe një kritik, dhe kritik me vlerë, përkthyes i veprave të mëdha të letërsisë botërore, me dëshirën që t’i lexonte populli i tij; qe poet dhe autor novelash, disa prej të cilave vlejnë sa një roman i gjatë dhe janë gjithmonë të ushqyera me letërsinë popullore të atdheut dhe sidomos të krahinës së tij, duke tejkaluar kufirin e atij që ai me modesti e quante Rrëfim.

Mitrush Kuteli është shkrimtar përfaqësues i kohës së tij, i prirjeve të pandryshueshme të letërsisë moderne shqipe dhe sidomos, poet i vargut dhe prozës, i ushqyer me letërsinë popullore. Ai ishtë piktor i jetës së një atdheu të përjetshëm.

Rrëfenja kuteliane, për nga stili, proçedetë letrare dhe elementët ethnografikë të përdorur, përbën risi në prozën e shkurtër shqipe. Në rrëfenjën “Fshati im e pi rakinë” që botohet në sesonin letrar francez, gjejmë qartë proçedetë tipike të Kutelit, të stilit të tij oral (ligjërues) dhe elementë të veçantë të një letërsie të ushqyer nga tradita popullore, të lloji të Baladës sipas konceptit të ethnografeve gjermanë. Tek kjo rrëfenjë ai ka përdorur edhe proçedenë surrealiste të shprehjes automatike duke respektuar rrjedhen normale të mendimit.

Klara Buda është gazetare dhe shkrimtare që ka punuar për UNESCO-n, BBC-në dhe në Radio Francë Internacionale si Drejtore e Redaksisë shqipe, deri në mbylljn e kësaj të fundit pas luftës së ftohtë.

Pas studimeve të letërsisë moderne dhe të krahasuar në Sorbonnë, ajo ka kryer  studime akademike mbi veprën e Mitrush Kutelit në Shkollë e Studimeve të Larta (E.P.H.E.) Paris, ku është lauréate e një masteri (DEA) në Histori Arti. Puna e saj mbi këtë autor sjell një analizë të nuancuar mbi teknikën e tij të vecantë të rrëfenjës, të bazuar në shkrimin e një gjuhe “sikur flasim” të destinuar për tu treguar.

Për lexuesin francez Klara Buda zgjodhi të përkthejë pikërisht rrëfenjën Fshati im e pi rakinë, pasi duke qënë në stilin e Boccaccio-s, Rablai-së, apo Servantes-it, kjo rrëfenjë, që ngërthen, një realizëm grotesk i flet lexuesit francez me një gjuhë universale. Por duke pasur edhe një përdorim në shkallë të gjerë të procedeve të tregimeve gaztore popullore, me ngjyra lokale, të kthyera në art nga Kuteli, ajo i sjell këtij lexuesi edhe të veçantën, “marken” shqiptare. Gjithë duke qënë në nivelin dhe “stilin e Gargantuas-ë” teksti kutelian, i shkruar me një distancë në kohë është më i latuar se ai i këtij autori fetish francez.

 

Klara Buda mbi botimin e Kutelit në Francë

Më dt. 9 shkurt 2017, në 110 vjetorin e lindjes, botohet në Francë për herë të parë në rrëfenja Fshati im e pi rakinë e Mitrush Kutelit.

 Pse zgjodha të përkthej dhe përshtat në frëngjisht dhe ta paraqes për lexuesin francez, pikërisht këtë autor shqiptar ?

Mitrush Kuteli është një autor shumë i dashur për mua, më ka mrekulluar gjithmonë stili dhe gjetjet e tij. Mendoj se Vjeshta e Xheladin Beut është jo vetëm një perlë e letërsisë shqipe por edhe e letërsisë botërore.

Unë kam punuar mbi Kutelin në kuadrin e studimeve universitare, ku kam analizuar prozën e shkurtër, rrëfenjën. Kuteli është i paarritshëm për groteskun e tij të veçantë të ushqyer me parodine dhe tregimet gaztore popullore, qe e bejne specifik tekstin e tij. Njohës i prodhimit letrar bashkëkohor, ai është një autor që ka qënë në lartësinë e kohës së tij, dhe kjo duket nga procedetë letrare që përdor, por në një Shqipëri që dilte nga feudalizmi ai ka ditur të përshtatet në kushtet e vendit të tij dhe të përdorë një gjuhë të thjeshtë.

Dhe kjo e fundit është arsyeja që shpesh grotesku i tij të bën të mendosh për Boccaccio-n apo Rabelaine, por ai madje i ka tejkaluar ata, edhe per faktin se ai nuk qe asnjehere aq direkt.

Mitrush Kuteli është një shkrimtar i veçantë i letërsisë shqipe. Pjesë e elitës shkencore dhe letrare, ai u dënua, u persekutuar dhe u reduktua në heshtje nga regjimi totalitar shqiptar. Pas daljes nga burgu e deri në vdekjen e tij të hershme në vitin 1967, ai u detyrua të punojë si përkthyes duke iu nënshtruar normës së shtëpisë botuese Naim Frashëri (që ishte munduese pasi shkonte nga  4 – 8 faqe përkthim në ditë). Botimi i veprave personale nuk ishte ndaluar zyrtarisht, por kjo u bë realitet pak nga pak, kështu një nga penat me të ndritura të letërsise shqipe u përkushtua vetëm në perkthime.

Ky është botimi i parë i Kutelit në një liber më vete në një gjuhë kaq të rëndësishme europiane, si frëngjishtja?

Është e paimagjinushme që gati tri dekada pas rënies së totalitarizmit, “Fshati im e pi rakinë” është botimi i parë i Kutelit në një libër më vete në frëngjisht. Përkthime kane ekzistuar e janë botuar ne një Antologji të prozës shqipe në France, të përzgjedhura nga Aleksander Zotos, por cilësia e përkthimit e firmosur nga një Luan Gjergji ( pseudonim), linte për të dëshëruar. Është një sekret polishineli që përkthimi i keq e dëmton një autor më shumë se sa mos përkthimi.

Mendoj se përkthimi i teksteve të autorëve të “ndaluar” e shuar si Musine Kokalari, ose të mënjanuar si Mitrush Kuteli, do të qe mirë të promovohen nga shteti. Ishte një iniciativë e mirë e Ministrisë së Kulturës të financojë botimin e veprave të autorëve bashkëkohorë shqiptarë në perëndim. Do të ishte bukur nëse kjo iniciativë do të mund të shtrihej edhe për autorët që kanë vepra cilësore të ndaluara apo mënjanuara nga totalitarizmi. Kur cilësia e tyre, si në rastin e Kutelit, i bën të përshtatshëm per eksport, do të ishte mirë të mbështetej nga shteti.

Madje shteti do të qe mirë të fillojë e ti botojë në shqip e ti fusë këta autorë në programet shkollore. Më ka bërë përshtypje që sa herë kam kërkuar vepra të autorëve të ndaluar si Musine Kokalari, për shembull, i kam gjetur në botime të shtëpisë Buzuku në Kosovë dhe më rrallë për të mos thënë fare në Shqipëri.