Presidenti rumun kritikon qeverinë

Në Rumani, deputetët e Partisë Social Demokratike në pushtet u larguan nga salla, kur Presidenti Klaus Iohannis kritikoi qeverinë në fjalimin e mbajtur para Parlamentit.

Iohannis u tha ligjvënësve se vendi është në krizë politike, pas protestave masive kundër një dekreti të qeverisë, i cili po të vihej në zbatim do të dobësonte ndjeshëm luftën kundër korrupsionit në vend.

Në një fjalim përpara parlamentit, Presidenti Klaus Iohannis tha se shumica e rumunëve mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar, ndryshe nga premtimet e fushatës para zgjedhjeve të përgjithshme të dhjetorit.

“Thuajse 80 për qind e rumunëve mendojnë se Rumania po shkon në drejtimin e gabuar,” tha Presidenti Iohannis.

Ai kritikoi qeverinë e drejtuar nga socialdemokratët lidhur me një dekret për korrupsionin që u bë shkak për protesta masive, më të mëdhatë që nga rënia e komunizmit në vitin 1989.

“Më 11 dhjetor partia Social-demokrate korri një fitore të madhe. Por pas kësaj, zonja dhe zotërinj, me një strategji të çuditshme të tipit kamikaze, ata hynë në një përplasje ballë për ballë me një pjesë të rëndësishme të shoqërisë rumune,” tha Presidenti.

Të dielën, qeveria e Kryeministrit Sorin Grindeanu e tërhoqi dekretin, për të cilin kritikët thonë se do ta kishte sprapsur mjaft luftën kundër korrupsionit në vend. Megjithatë, një pjesë e demonstruesve kanë deklaruar se do t’i vazhdojnë protestat deri në dorëheqjen e zotit Grindeanu.

“Çështja është: çfarë vendi duam të jemi? Dhe, për të gjetur përgjigjen e vërtetë të popullit rumun, unë do të bëj thirrje për referendum,” tha Presidenti Iohannis.

Pas kritikave të Presidentit, deputetët e Partisë Social Demokrate në pushtet u larguan nga salla.

“Unë prisja një fjalim uniteti, i cili të bënte thirrje për qetësi dhe stabilitet. Për fat të keq, presidenti ka zgjedhur të vazhdojë të flasë për ndarje, për deputetë të mirë dhe të këqinj, për rumunë të mirë dhe të këqinj,” tha Liviu Dragnea, udhëheqës i Partisë Social-Demokrate.

Rreth 25 mijë protestues u grumbulluan mbrëmë në Bukuresht, shumë më pak se sa të dielën.

Nuk është e qartë nëse kjo nënkupton se qeveria e ka kaluar stuhinë apo nëse fjala është vetëm për një rënie të përkohshme.-VOA