Flamurtari lë pas krizën, fiton ndaj Luftëtarit

Fjala krizë nuk do të përmendet më te Flamurtari për të paktën disa ditë. Vlonjatët lanë pas 3 humbjet radhazi mes kampionatit dhe kupës duke u rikthyer te suksesi në Superiore. Kuqezinjtë e Gentian Mezanit triumfuan 2-1 në Vlorë përballë Luftëtarit, duke iu larguar zonës së rënies nga kategoria dhe duke u ngjitur kështu në vendin e 7-t të renditjes në kuotën e 20 pikëve. U mbyll me një fitore të bukur por njëkohësisht dhe shumë të vuajtur, të Flamurtarit java e 20 e kampionatit.

Në Vlorë zbrisnin në fushë dy prej skuadrave që luajnë futbollin më të bukur në kategorinë Superiore dhe pavarësisht terrenit të rënduar dhe mungesave të shumta që kishte Flamurtari, u zhvillua një ndeshje me të vërtetë spektakolare. Kuqezinjtë dëshironin ta fitonin me çdo kusht këtë ndeshje dhe trajneri Mezani propozonte që nga minuta e parë treshen sulmuese, të përbërë nga Fazliu-Alvesh dhe Busic. Në krahun tjetër kundërpërgjigjej me të njëjtën monedhë Mladen Milinkovic, me trajnerin serb që ashtu si në pjesën më të madhe të ndeshjeve të këtij sezoni hidhte në fushë treshen Abazaj-Bregu-Rexhinaldo, në repartin e avancuar. Sinjalin e parë e dha Haxhi Neziraj pas vetëm 60 sekondave lojë, por goditja e mesfushorit ishte pasaktë. Flamurtari ishte më kërkues në minutat e para dhe në të 4-tën Alesio Hyseni, mesfushori i talentuar i skuadrës vlonjate iu afrua golit por goditja e tij potente u ndal nga Ruci. Vlonjatët të etur për pikë kishin një marsh më shumë se gjirokastritët dhe në minutën e 15-t, Flamurtari pretendoi për një penallti për një mbajtje ndaj Bushic në zonë, në një aksion ku mbeti i dëmtuar edhe portieri i Luftëtarit, Shkëlzen Ruci, por gjyqtari Hamiti, lejoi vazhdimin e lojës. Gjithsesi vlonjatët ia dolën më në fund të zhbllokonin shifrat për meritë të mbrojtësit Franc Veliu. Në të 26-ën ky i fundit ekzekutoi mjeshtërisht një goditje standarde duke mos i dhënë asnjë shans portierit Ruci i cili u gjend i papërgatitur në momentin e goditjes së Veliut. Festa e mbrojtësit për golin e realizuar ishte e gjitha me trajnerin Mezani. Në të 33-ën,Danilo Alvesh provoi nga një pozicion i prirët por priti në pozicion Ruci. Në të 41-ën tentoi Busic me kokë por asnjë vështirësi për gardianin e Luftëtarit. Përpjekjet e Flamurtarit për të gjetur edhe golin e dytë u konkretizuan në minutën e fundit të pjesë së parë. Ishte Tomislav Busic që i asistuar nga Danilo Alvesh la pas me një  lëvizje të bukur mbrojtësin duke goditur tokazi për të mposhtur për herë të dytë në këtë ndeshje Rucin. Në pjesën e dytë ishte një tjetër Luftëtar ai që zbriti në fushë. Skuadra e Milinkovic nuk u dorëzua dhe provoi me çdo kusht të barazonte rezultatin. Në të 56-ën, provoi fluturimthi nga distanca Kristal Abazaj, por Frashëri reagoi shumë mirë. 4 minuta më pas sërish Abazaj por këtë herë sulmuesi i bluzinjve nuk gjeti kuadratin. Goli i parë i Luftëtarit ishte në ajër dhe skuadra gjirokastrite e gjeti atë në minutën e 63-të me Eduard Rrocën, goditja e të cilit nga distanca u devijua edhe nga Veliu duke mposhtur, Stivi Frashërin. Në të 69-ën, Danilo Alvesh goditi me kokë pas një harkimi nga këndi por topi përfundoi jashtë. Deri në fund ishte Luftëtari që provoi me të gjitha mënyrat për të barazuar shifrat por nuk ia arriti dot, me Flamurtarin që regjistroi një fitore shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë.