Arsyet e goditjes së Ymer Dishnicës nga Enver Hoxha

DOSSIER/Komiteti i Partisë së Beratit, në gjurmët e armikut të partisë

 Nga Nuri Dragoj

 Në vitin 1943, Sejfulla Malëshova kishte shkuar në bazë, pasi Enver Hoxha, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha nuk dëshironin ta kishin pranë. I trembeshin nivelit të tij intelektual, pasi Malëshova i mahniste bashkëbiseduesit me idetë përparimtare dhe mënyrën e organizmit të Luftës Nacionalçlirimtare. Duke njohur cilësitë e tij, Ymer Dishnica mori guximin t’i shkruante Enver Hoxhës, mbi nevojën e tërheqjes së Sejfullaut në qendër, pasi efektiviteti i punës së tij do të ishte më i madh. Ai e dinte që Sejfulla Malëshova qe angazhuar me lëvizjen komuniste në vitin 1928. Madje, qe bërë publik dhe mbledhja e zhvilluar më 25 gusht të vitit 1928, nga grupi komunist i shqiptarëve në Moskë, në të cilën merrnin pjesë Sejfulla Malëshova, Tajar Zavalani etj. Por Hoxha nuk u pajtua me propozimin e tij. Ai i kujtonte Dishnicës më 24 korrik 1943, se për Sejfullaun ka shkruar 2-3 herë, ku tregonte se nuk pajtohej me disa veprime të tij. Insistimin e doktorit për të shkuar Malëshova në Tiranë, Hoxha e quante të nxituar. Sipas tij, Malëshova ishte i sëmurë dhe e kishte gabim që mendonte se duhej të drejtonte vetëm nga lart. Prandaj e këshillonte doktorin të mos e mbështeste, në të kundërt do të binte dhe vetë në gabime. Madje do të bënte mirë që të mos nisej nga simpatia personale, por të shihte të metat e tij dhe ta ndihmonte të korrigjohej. Por Sejfullau nuk pajtohej me veprimet banditeske që kryente Partia Komuniste, për të cilën në plenumin e Beratit ai numëroi një sërë aktesh terroriste të kryera gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe deklaroi se “Partia Komuniste po degjeneron në një parti banditësh dhe terroristësh”.

Pasojat nga mbledhja e Mukjes

Ymer Dishnica pati rastin e mirë për të dhënë kontributin e vetë në bashkimin e shqiptarëve, por njëkohësisht dhe fatin e keq, pasi mbrojti një çështje që nuk pëlqehej nga jugosllavët. Më 26 korrik 1943 u organizua takimi i Tapizës, në shtëpinë e Ihsan Toptanit, ku u ra dakort për krijimin e një organizmi të përbashkët, që u quajt “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë”, i cili synonte të organizonte luftë immediate kundër okupatorit, garantimin e indipedencës së plotë të Shqipërisë në kufijtë e vitit 1913 dhe bashkimin e gjithë viseve të banuara nga shqiptarë, bazuar në parimin e përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, që garantohej nga Karta e Atlantikut. Po ashtu, u kërkua të punohej për një Shqipëri indipendente dhe demokratike të vërtetë, ndërsa forma e regjimit të përcaktohej nga vetë populli me anë të një asambleje konstituente. Mbledhja vazhdoi dhe më 3 gusht palët ranë dakord të dilnin me një proklamatë, e cila i bënte thirrje popullit për bashkim dhe luftë të menjëhershme kundër pushtuesve, përkrah aleatëve të mëdhenj.

Vendimet e Mukjes u pranuan nga të dy palët. “Zëri i Popullit” shkruante se “..tani, para dëshirave të gjithë popullit shqiptar, nevojitet që i gjithë populli të jetë i bashkuar”. Ymer Dishnica pohonte në atë kohë se “ajo që na intereson më tepër është se një pjesë e mirë e popullit që rrinte jashtë luftës, duke iu trembur përçarjes, sot s’ka se si të rrijë neutrale”.

Por kur u njoh me vendimet e Mukjes, Mugosha dhe Popoviçi lëshuan lum kritikash ndaj Enver Hoxhës dhe pas 4 orë diskutimesh me të, më 8 gusht 1943 nxorën një qarkore në të cilën shkruanin: “Lajmëroheni se u është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur mes Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar (KANAÇ) dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën nacionalçlirimtare dhe disaprovohet nga KQ i Partisë. Prandaj, në rast se nuk e keni shpërndarë, çirreni dhe të mos flitet më për të.

Enver Hoxha akuzoi si tradhtarë e oportunistë përfaqësuesit e Lëvizjes Nacionalçlirimtare në takimin e Mukjes, duke i paditur ata për kapitullim para Ballit. Por Dishnica e konsideronte të nxituar konkluzionin e tij, duke i kujtuar se, “kur je në vend diagnoza bëhet më mirë”. Më pas, kur Ymer Dishnica u njoh me qarkoren e ashpër që ishte nisur në bazë, i shkruante Hoxhës se do të ishte mirë “të na kishit dëgjuar dhe neve para se të merrnit vendime aq të prera”. Dishnica ndihej i befasuar nga ajo që po ndodhte. Në fakt, ai dhe shokë të tjerë, qenë të gëzuar për këtë arritje. Në një letër që i dërgonte E. Hoxhës, shkruante se në Mukje “shkonim për bashkim me Ballin dhe, gjëja më e paktë për të bërë këtë, ishte krijimi i një organizmi të përbashkët politik për të drejtuar këtë bashkim”. Pikërisht për shkak të ndjenjës së lartë të përgjegjësisë, ai e konsideronte vendimin e marrë si një bombë për delegacionin e Mukjes dhe këshillonte se do të ishte më mirë t’i ndreqnim gabimet dhe jo t’i trashnin më tej.

Dënimi i dy intelektualëve të shquar

Tashmë dihet që dy ministrat e qeverisë së parë shqiptare të pasluftës, ministri i Shëndetësisë dhe ai i Arsimit, u dënuan nga Partia Komuniste dhe u dërguan në bazë, duke qenë të privilegjuar pasi shpëtuan dënimit me vdekje. Në maj të vitit 1955, Sejfullau dhe Ymer Dishnica, dy intelektualë të shquar dhe njëkohësisht miq të vjetër, qenë ndarë nga njëri-tjetri, duke u shpërndarë si zogjtë e korbit, disidentë e të pandreqshëm. Sejfulla Malëshova magazinier në Fier dhe Ymner Dishnica inspektor sanitar në Berat.  Ymer Dishnica kujtonte se, në muajin maj të atij viti, Sejfullau i shkruante një letër dhe meqë e konsideronte anëtar nderi të jurisë që do të jepte mendim për poezinë e shkruar prej tij, “Himni i Republikës”, i dërgonte dhe vjershën. Ajo qe njëkohësisht himni i Lirisë, Demokracisë dhe Republikës. Vargjet e saj Dishnicës i pëlqyen shumë. Për muzikën e himnit, autori i vjershës do të mendonte më vonë. Për fat të keq, në qershor të vitit 1955, në vend të kompozitorit të Himnit, në vendbanimin e doktorit të shkolluar në Francë, shkuan tre inspektorë të sigurimit të shtetit nga Tirana, të shoqëruar nga shefi i degës së Punës të Brendshme të Beratit. Sapo e takuan Dishnicën i hodhën hekurat duke i thënë frazën e shpëlarë: Ne emër të popullit jeni i arrestuar! Dhe e dërguan në burgun e Tiranës. Bashkë me doktorin morën dhe një mori shkrimesh që i konsideruan të dyshimta dhe subversive. Sigurisht që morën dhe himnin e Republikës së shkruar nga Lame Kodra. Kështu Dishnica u dënua me 11 muaj burg.

 Mbi tolerimin ndaj armikut të partisë dhe pushtetit popullor, Ymer Dishnica

Më 23 dhjetor të vitit 1975, Komiteti i Partisë së rrethit të Beratit i shkruante Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë si më poshtë:

“Siç dihet, armiku i partisë dhe i popullit, Ymer Dishnica, prej vitesh banon dhe punon në rrethin e Beratit. Duke përfituar nga ushtrimi i profesionit si mjek, ai është përpjekur që t’i krijojë vetes privilegje që nuk i takojnë, të përhapë opinionin e rremë se gjoja është mjek i zoti etj., për të krijuar simpati personale. Këto kanë çuar në atë që, disa persona, midis tyre dhe komunistë, të komprometohen, duke zbutur qëndrimin klasor revolucionar ndaj tij.

Informacionet që kanë ardhur në Komitetin e Partisë nga qytetarë dhe komunistë të ndryshëm, janë bërë problem i organizatës bazë të partisë dhe kolektivave. Kështu gjatë muajve tetor-nëntor të këtij viti, në byronë e komitetit të partisë së rrethit, si dhe në tre organizata partie, dy prej të cilave në lagje, u diskutua mungesa e vigjilencës dhe shfaqjet oportuniste që kanë mbajtur disa komunistë ndaj armikut të partisë dhe pushtetit popullor, Ymer Dishnica.

Humbja e vigjilencës dhe shfaqjet e oportunizmit ndaj tij, konsistojnë në krijimin e favoreve dhe privilegjeve, duke e furnizuar me artikuj ushqimor defiçitar dhe të një cilësie të lartë, që nuk gjenden në tregun e përditshëm, si dhe në vizitat dhe pjesëmarrjen me rastin e martesës të së bijës së Ymerit.

Kështu kanë vepruar tre komunistë, dy prej të cilëve te ndërmarrja ushqimore dhe një i tregtisë, të cilët me manovrime të jashtëligjshme, duke thyer rregullat e brendshme të ndërmarrjeve, dy-tre muaj përpara kanë përpunuar dhe mbajtur në dispozicion një arkë me 20 shishe vaj ulliri të cilësisë së lartë, për të furnizuar Ymer Dishnicën me rastin e martesës të së bijës. Për të mos rënë në sy të klientëve, ky veprim u krye në marrëveshje me shitësin, kur ky i fundit ishte me leje të zakonshme. U gjend rasti dhe iu dërgua arka me vaj në dyqan dhe, në moment, e mori Ymer Dishnica kundrejt vlerës. Vigjilenca e një qytetari bëri që të zbulohej ky veprim.

Me një herë, me porosi edhe të Komitetit të Partisë së rrethit, ky veprim u diskutua në organizatat e partisë të secilit komunist të implikuar, dhe, me frymë të lartë partie i kritikuan këto veprime. Byroja e komitetit të partisë i ndëshkoi komunistët e implikuar. Dy prej tyre, nga anëtar u kthyen në kandidat partie dhe u dërguan në prodhim. Tjetrin e ndëshkoi me vërejtje të rëndë në kartën e regjistrimit, duke e lëvizur njëkohësisht edhe nga vendi i punës.

Gjithashtu tre organizata partie diskutuan për qëndrimin e disa komunistëve, të cilët bënë vizita ose morën pjesë në darkën që shtroi Ymer Dishnica me rastin e martesës së vajzës. Midis këtyre komunistëve ka edhe nga ata që janë në moshë të vjetër dhe veteran të luftës. Një prej këtyre komunistëve u ndëshkua me vërejtje të rëndë në kartën e regjistrimit, ndërsa të tjerët u kritikuan rëndë nga organizatat e partisë.

Zbutja e qëndrimit ndaj këtij armiku të klasës duket edhe në aktivizimin e tij në një sesion shkencor të shoqatës së mjekëve që do të mbahej në muajin nëntor, duke e caktuar për të referuar një temë.

Byroja e komitetit të partisë së rrethit si dhe organizatat bazë, duke diskutuar këto fenomene negative në drejtim të qëndrimit nga njerëzit tanë, veçanërisht nga disa komunistë, ndaj armikut të deklaruar të klasës, vërejtën se këta komunistë kanë humbur vigjilencën duke u treguar oportunistë. Ata kanë mbivlerësuar punën e këtij armiku si mjek, duke harruar se shërbimi i kujdesshëm mjekësor në Shqipëri, nga secili mjek, është meritë e partisë dhe pushtetit popullor dhe jo e individëve të veçantë.

Byroja e komitetit të partisë së rrethit kritikoi rreptë një komunist, i cili u shpreh se “unë kisha detyrime ndaj Ymerit, sepse ai ka ardhur disa herë në shtëpi, kur kam pasur të sëmurë në familje”.

Mbivlerësimi i punës si mjek i Ymer Dishnicës, vënia e interesave personale mbi ato të partisë, bënë që këta komunistë të humbitnin vigjilencën klasore dhe të pajtoheshin me armikun e klasës, duke i krijuar atij privilegje të jashtëligjshme.

Komiteti i partisë së rrethit të Beratit, dy vite më parë vuri para përgjegjësisë një kuadër komunist, ish-kryetar i kooperativës bujqësore Sheqëz, i cili i çoi në shtëpi Ymer Dishnicës një arkë me fruta të cilësisë së lartë. Por, nëse ndaj tij u mor masë, nuk e bë e njëjta gjë edhe ndaj Ymerit, për ta demaskuar atë si njeri që kërkon privilegje.

Duke nxjerrë mësimet e nevojshme nga këto ngjarje, komiteti i partisë së rrethit, përveç të tjerave ka marrë edhe këto masa:

  1. Në seminarin që u organizua disa ditë përpara me sekretarët e organizatave të partisë në rreth, u kritikuan këto veprime si zbutje e luftës së klasave, humbje vigjilence dhe oportunizëm.
  2. Në një mbledhje të kolektivit të spitalit, ku asistonte dhe Ymer Dishnica, u diskutuan këto veprime. Mjaft diskutantë në kolektiv kritikuan dhe demaskuan Ymer Dëshnicën, i cili korrektesën e partisë në qëndrimin ndaj tij, duke e lejuar të punojë si mjek, e shfrytëzoi për t’i krijuar vetes privilegje në rrugë të shtrembër. Në këtë mbledhje asistoi dhe një anëtar i byrosë së komitetit të partisë së rrethit. Demaskimi i tij u prit mirë nga gjithë punonjësit e qytetit.
  3. Për sesionin shkencor ku do të referonte Ymer Dishnica, komiteti i partisë dha porosi që atij ti hiqej kjo e drejtë.
  4. Në spital u dërgua një grup pune nën drejtimin e një prej anëtarëve të byrosë së komitetit të partisë, për të parë shfaqjet liberale në drejtim të luftës së klasave dhe vigjilencës revolucionare, sepse siç dihet, në spital për një kohë të gjatë, një vjedhës dëmtoi arkën e shtetit me shuma të mëdha lekësh. Konkluzionet e kësaj pune do të diskutohen në byronë e komitetit të partisë së rrethit.
  5. Këtë muaj do të diskutojmë në sekretariatin e komitetit të partisë edhe për dhëndrin e Ymer Dishnicës, që të shkarkohet si shef plani në kooperativën e Lapardhasë, duke e caktuar ekonomist të thjeshtë në një kooperativë tjetër, se bashku me të shoqen, e cila është në Berat mjeke stomatologe.
  6. Theksojmë se nga organizata e partisë dhe individë të veçantë, është ngritur se Ymer Dishnicës i janë bërë privilegje, duke i dhënë të drejtë studimi për shkollat e larta për të tre fëmijëve. Konkretisht, një djalë është inxhinier, një vajzë mjeke dhe tjetra vazhdon studimet e larta”.