Emisioni BOOM: Posta në ngërç, pakot nga jashtë vonohen me muaj të tërë

Shqetësimet e qytetarëve mbi shërbimet e ofruara nga Posta Shqiptare, duket se nuk kanë të sosur. Emisioni “BOOM” në RTV Ora News ka arritur të sigurojë denoncime të shumta të qytetarëve shqiptarë me banim në vende të ndryshme të botës që kanë probleme me mbërritjen e dërgesave në destinacion. “BOOM” solli fakte konkrete edhe mbi mosrespektimin e orareve të shërbimeve nga ana e punonjësve të filialeve të Postës Shqiptare, kryesisht për shërbime si tërheqje pensioni, invaliditeti dhe leje lindje.

Posta Shqiptare ka shënuar një numër rekord denoncimesh në redaksinë e emisionit “BOOM”.

Shqiptarë nga vende të ndryshme të botës kanë nisur pako dhe thonë se ato nuk kanë mbërritur tek të afërmit e tyre dhe dhe se nuk kanë asnjë përgjigje nga përgjigje nga Posta Shqiptare.

“BOOM” publikoi rastin e zonje e cila denoncoi nga Franca se kishte nisur një pako për miken e saj në Tiranë në muajin nëntor 2016, duke paguar për shërbim 6 deri në 7 ditor.

Personi pritës kishte shkuar disa herë dhe nuk kishte mundur ta merrte atë.

Fatbardha Rada në telefon nga Franca: Kam dërguar një pako koli me 23 nëntor të 2016, është nisur dhe me 24 e ka lënë Francën. Nga ajo ditë deri më sot, personit që i është drejtuar nuk e ka marrë. Ka shkuar zonja në Postën Shqiptare, ato i kanë thënë që nuk ka ardhur gjë. Posta këtu më ka thënë që shkon për 6-7 ditë. Ajo është drejtuar tek një Postë tek St. i Trenit. Kjo i ka dhënë numrin, sepse unë kam një numër që e kam postuar. U ka dhënë numrin atyre dhe vajza që ka qenë në pritje ia ka dhënë një djali që ka thënë se pako e kaluar Francën por nuk ka ardhur këtu.

Gazetarja: Çfarë kishte pakoja zonjë? Kishte gjëra me vlerë?

Fatbardha Rada: Pakoja ishte 1 kile e 600 gram. Kishte dy shishe plastike që kishin vitamina dhe një pako njëkilëshe me çokollata.

Gazetarja: Zonjë, sa keni paguar për pakon dhe sa ka qenë afati i mbërritjes?

Fatbardha Rada: Unë kam paguar 21 euro. Posta këtu më ka thënë që pakoja shkon për 6-7 ditë.

Gazetarja: Vetëm një herë ka shkuar personi që e priste pakon për t’u interesuar.

Fatbardha Rada: Ka shkuar disa herë. Unë kam shkuar tek Posta franceze ku e kam nisur dhe kam pyetur.  Përgjigja ka qenë kjo: ne e kemi nisur. Po e reklamojmë dhe do shohim. Ata më kanë thënë se pakoja ka arritur në Shqipëri por shqiptarët nuk tregojnë se ku është pakoja.

Pas interesimit që gazetarët bënë në filialin e Postës rezultoi se pako kishte ardhur me gati dy muaj vonesë dhe sipas punonjëses një vonesë e tillë ndodhte për shkak të ngarkesës me rastin e festave.

Gazetari: Më shiko një çikë këtë porosinë përse nuk më ka ardhur? Është nisur që me 26 nëntor 2016. Do më thuash pak arsyen.

Punonjësja e Postës: Francë është? Po. Ka ardhur.

Gazetari: Zonja thotë pse më është vonuar kaq shumë…

Punonjësja e Postës: Nuk të është vonuar fare, kanë qenë festat e Vitit të Ri, Krishtlindjet. Gjithmonë ka vonesa. Të Francës…nuk kanë ardhur akoma të Anglisë.

Gazetari: Ndodh kjo vonesa gjithmonë?

Punonjësja e Postës: Ndodh! Po ti nuk ke ardhur ta kërkosh me këtë emër.

Gazetari: Ja pra fola me këtë gocën.

Punonjësja e Postës: Mimika Peza.

Gazetari: Po!

Të shumta janë dhe denoncimet në faqen zyrtare të Postës Shqiptare në rrjetin social facebook, të cilat në asnjë rast nuk kanë marrë përgjigje.

Një tjetër problem i Postës Shqiptare lidhet me mosrespektimit e orarit zyrtar nga ana e punonjësve në filiale të ndryshme të saj.

Gazetarët në rolin e qytetarëve u interesuan për të tërhequr pagesa si invaliditet, leje lindje, apo pensione, por punonjëset nuk dhanë shërbim me justifikimin se deri në orën 14:30 kryhen pagesat, pasi pjesa tjetër e kohës ju duhej për të sistemuar dokumentat e tyre.

Posta Nr.26

Gazetari: Desha të marrë një çikë lejen e lindjes së nuses.

Punonjësja: Po është shumë vonë, hajde të hënën. Deri në 14:30 kryejmë veprime.

Gazetari: Aaa. Deri në 14:30 punoni se e dija deri në 15:30?

Punonjësja: Jo! Në 15:30 dalim nga zyra, po na duhet një orë të mbyllim veprimet.

Posta Nr.8

Gazetarja: Si ja kaloni? A mund të marrim të lutem një pagesë bashkie invaliditeti?

Punonjësja: Post rri deri në orën 20:00 hapur, por për drita, ujë, kurse për invalidët deri në 14:30.

Gazetarja: Vetëm për invalidët është deri në dy e gjysmë?

Punonjësja: Për pensionet, për funeralet. Në 07:30 ndizet sistemit, se është me sistem.

Gazetarja: Po mirë, po ne tani kemi kohë për të ardhur.

Punonjësja: Po këtu nuk e vë unë orarin e dashur.

Posta Nr. 8/1

Gazetarja: Na thanë se mbyllen veprimet në orën 14:30

Punonjësja: Po në 14:30 mbyllet sistemi. Po ne kur vjen ndonjë këtu i themi hajd…

Gazetarja: Po pse mbyllen në 14:30 se orari është 15:30?

Punonjësja: Ne jemi deri në 16:00, 17:00 po na duhet të bëjmë veprimet e arkës, mbylljen, gjithë financën.

Gazetarja: A, ju duhet ju për të punuar një orë?

Punonjësja: Do mbyllen dokumentet, do çohen në drejtori dokumentet.

Gazetarja: Se edhe ne varet kur e gjejmë mundësinë për të ardhur

Punonjësja: Në 14:30 mbyllim veprimet me klientët.

Emisioni BOOM iu drejtua me një kërkesë Postës Shqiptare në lidhje me shërbimin e orarit.

“Zyrat postare në të gjithë vendin kanë orare të përcaktuara në të gjithë vendin dhe punonjësit e respektojnë këtë orar. Gjithsesi, jemi të hapur për të verifikuar çdo rast të sjellë në vëmendjen tonë dhe nëse do të konstatohen elementë abuzimi nga çdo punonjës i shoqërisë, si në oraret zyrtare posrtare ashtu edhe në shërbimin e ofruar, nga Shoqëria do të merren të gjitha masat administrative dhe ligjore”, thuhet në përgjigjen e Postës Shqiptare.

E si për ti shpërblyer për punën e devotshme, Posta Shqiptare sipas regjistrit të prokurimeve me vlera të vogla për periudhën janar-prill 2016 i ka mundësuar punonjësve të saj një udhëtim me rastin e festës së 8 marsit në Mal të Zi që ka kushtuar rreth 400 000 mijë lekë të reja.