Shkarkimi i Manjanit, Noka: Koha për revolucion. Në vend po instalohet diktatura e krimit

Për nënkryetarin e Komisionit të Sigurisë Kombëtare Flamur Noka deklaratat e sotme të ministrit të shkarkuar të Drejtësisë, Ylli Manjani përbëjnë fakte tronditëse për një shtet demokratik.

Për Nokën, është rasti i parë në këto 25 vite që partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar shkarkimin e ministrit të Brendshëm me akuzën e përfshrjes së tij në krim të organizuar, trafik droge dhe korrupsion.

Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Noka deklaron se në vend po instalohet diktatura e krimit, dhe se Shqipëria është në rrezik, pasi kartelet e drogës dhe kapot e krimit organizuar drejtojnë Ministrinë e Brendshme.

Për këto arsye, deputeti i Partisë Demokratike bën thirrje për revolucion, pasi siç thotë ai, nesër do jetë shumë vonë.

Reagimi i plotë i Flamur Nokës

Ministri Manjani sot bëri me dije fakte tronditëse për një shtet demokratik. Për herë të parë në 25 vjet partnerët i kanë kërkuar kryeministrit shkarkimin me urgjencë të ministrit të brendshëm për përfshirje në krim të organizuar, në trafik droge e korrupsion. Nga ana tjetër për herë të parë në 25 vjet ministra të qeverisë e drejtues të policisë bëjnë qejf në kompleksin e Eskobarit të Ballkanit, ndërkohë që partnerët prisnin që ai të arrestohej. Për herë të parë në 25 vjet Policia në vend që të ndjekë dhe survejojë krimin e kriminelët, siç ja ka ngarkuar detyra e ligji, ajo survejon prokurorët e gjyqtarët … Opozita e ka lëshuar me kohë këtë alarm, por kur kjo konfirmohet nga një anëtar kabineti qeveritar merr formë zyrtare. Dhe kryeministri as që reagon ndaj kësaj kërkese?! Kuptohet se të dy janë peng i krimit. Shqipëria është në rrezik: Kartelet e drogës dhe kapot e krimit organizuar drejtojnë Ministrinë e Brendshme. Në vend po instalohet diktatura e krimit. Vetëm revolucioni demokratik e rikthen këtë në binarët e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale. Nesër do jetë vonë.