Nismë kundër aksidenteve/Tahiri: Fushatë sensibilizimi, nisur nga aksidenti rrugor i Ergi Dinit

 Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha në emisionin “Pasdite në Top Channel”, se respektimi i disa rregullave të thjeshta rrugore mund të shpëtojë jetë njerëzish dhe minimizojë aksidentet në rrugë.

Ai publikoi shifrat e aksidenteve që përfundojnë me humbje të jetës duke i quajtur ato si një “bilanc lufte”. Tahiri tha se “300 njerëz në vit humbasin jetën nga aksidentet rrugore. Ky është një “bilanc lufte”. Rrugët tona vuajnë nga një pasiguri e theksuar, gjë që ka ekzistuar prej mjaft vitesh.”

Gjatë ndërhyrjes së tij në emision, ku ishte i ftuar shtetasi Dashamir Dini, babai i këngëtarit Ergi Dini, i cili humbi jetën para 2 muajsh në një aksident rrugor, ministri Tahiri i shprehu përkrahjen për nismën e ndërmarrë nga ky qytetar për ndërgjegjësimin e shoferëve në lidhje me respektimin e rregullave të trafikut.

“Unë i garantoj bashkëpunimin z.Dashamir Dini personalisht dhe institucionalisht. Unë dua ta ndihmoj me ekipin tim dhe Policinë e Shtetit, për ta kthyer një histori personale e familjare, në një nxitje për të shpëtuar jetë njerëzore. Historitë e aksidenteve në rrugë mund të kthehen në histori të fuqishme ndërgjegjësimi për qytetarët”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Këngëtari Ergi Dini humbi jetën bashkë me shokun e vetë, duke udhëtuar me motor, pa kaskë mbrojtëse, gjë që u kushtoi jetën gjatë aksidentit.

Babai i tij Dashamir Dini ka folur për nismën e tij, të cilës i janë bashkuar edhe Ministria e  Brendshme dhe Policia e Qarkullimit.

Në ndërhyrjen gjatë emisionit, ministri shtoi se siguria në rrugë nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por duhet të jetë një angazhim i të gjithëve. “Të kemi një ndërgjegjësim të të gjithë qytetarëve, për përdorimin e rrugëve. Kjo duhet të nisë me edukimin në shkolla të fëmijëve në lidhje me rregullat e trafikut”, deklaroi ai.

Tahiri nënvizoi se vendosja e rripit të sigurisë, respektimi i limitit të shpejtësisë, mospërdorimi i alkoolit, shmangia e celularit, kujdesi për këmbësorët, janë rregulla të lehta për t’u zbatuar, por që shpëtojnë jetë njerëzore.