Mick Schumacher në gjurmët e të atit, vijnë dy fitoret e para për 2017-ën

Mick Schumacher pak kohë më parë mori mbështetjen e të gjithë admiruesvë të makinave, por veçanërisht edhe të drejtuesvë të Formula 1, të cilët e inkurajuan që të vazhdonte në këtë rrugë që kishte nisur pasi cilësitë nuk i mungonin.

Nuk ka kaluar shumë dhe sinjalet kanë ardhur. Dy fitore në tri gara të zhvilluara në tri ditë me radhë për pilotin 17-vjeçar gjerman, djalin e 7 herë kampionit të botë në Formula 1, Michael Schumacher.

Në pistën e Buddh International në Delhi, në Indi, Mick arriti të bëjë një paraqitje të shkëlqyer në turneun e MRF Challenge, duke fituar në garën e parë dhe të tretë, ndërsa në garën e dytë u rendit i treti.

Kjo është hera e tretë për Mick që merr pjesë në këtë turne, duke treguar një formë të mirë dhe një progres të dukshëm krahasuar me një vit më parë. Piloti i ri gjerman bëri një paraqitje të mirë në të trija garat, duke dueluar fort me rivalët. Duket qartë që një e ardhme e ndritur e pret Mick Schumacher, që po ndjek gjurmët e babait të tij dhe një ditë pritet të zbarkojë në Formula 1.