Berati prej tre ditësh pa ujë për shkak të zëvendësimit të tubacioneve

Punimet për zëvendësimin e tubacionit të Ujësjellësit të Beratit, i ka lënë  banorët pa ujë të pijshëm. Këta të fundit thonë se për të pirë po blejnë ujë, por problem mbetet plotësimi i nevojave të përditshme në shtëpi. Nga e saj Ujësjellës Kanalizime thotë se punohet edhe gjatë natës për të përmbyllur sa më shpejt punimet.

Prej të paktën tre ditësh qyteti i Beratit, përveç spitalit, nuk furnizohet me ujë të pijshëm.

Banorët thonë se kanë boshatisur dyqanet duke blerë ujë të ambalazhuar për të pirë, ndërsa shtojnë se nuk dinë se si ta përballojnë situatën për shërbime të tjera.

“Nuk është hera e parë që ne për ditë të tëra rrimë pa ujë në shtëpitë tona. Mirë ujin për të pirë po e blejmë, por si do të plotësojmë kërkesat e tjera për të larë dhe për pastrim”,  shprehen banorët.

Drejtori teknik pranë Ujësjellës Kanalizimeve Berat, Lulzim Sino, thotë se ndërprerja e ujit është bërë për shkak të punimeve për zëvendësimin e tubacioneve, që vijojnë edhe gjatë natës për t’i përfunduar sa më shpejt.

Sino: Në kuadër të projektit të reabilimit të ujsjellësit Berat-Kuçovë po bëhet zëvendësimi i linjës kryesore nga stacioni i pompave në Uznovë deri tek Ura e Varur me tubacion të ri.  Këto punime bëhen për të eleminuar humbjet e mëdha të ujit në rrjet dhe për ta zëvendësuar këtë tub që ishte i amortizuar.

Përfaqësues të Ujësjellës Kanalizimeve Berat japin garanci se në rast se punimet do zgjasin më shumë nga parashikimi do të bëhet furnizimi i qytetarëve me ujë të pijshëm me anë të boteve.