VIDEO/ Harold Hayes, i fundmi amerikan i një aventure të çuditshme shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore

Nga Auron Tare 

Mbylli sytë i fundit ushtarak amerikan i grupit mjekësor që përjetuan aventurën më të çuditshme në Luftën e Dytë Botërore në territoret armike, Harold Hayes.

I nisur nga aerodromi i Barit me një C4, si pjesë një ekipi mjekësor amerikan, ai e gjeti veten papritur në malet e Shqipërisë, një vend i vogël ballkanik për të cilin askush nuk kishte dëgjuar ndonjëherë.

Ekipi mjekësor prej 30 vetësh kishte ndër të tjera edhe 13 infermiere për të cilat është shkruar pas viteve ‘90.

Aventurat shqiptare të amerikanëve janë shumë interesante dhe kam pasur fatin që të takoj me disa prej protagonistëve të këtij grupi për të cilet politika dhe media amerikane e kohës u angazhua maksimalisht për t’i nxjerrë nga Shqipëria të padëmtuar.

Çuditërisht, kur kam udhëtuar në Jugun e Shqipërisë pas ’90-eë, në malet e Labërisë legjenda e amerikanëve “që lyenin buzët me të kuq dhe kishin çorape najloni”, kishte mbetur ende e gjallë ndër banorët e vjetër të zonës.

Harold Hayes ishte personazhi i fundit i kësaj aventure i cili në moshën 94-vjeçare mbylli sytë përgjithmonë.

Gazeta e famshme, New York Times për të nderuar grupin amerikan të mjekëve që shpëtuan gjallë, i dedikon një artikull Harold Hayes si për të na kujtuar që heroizmat e ushtarakëve të Luftës së Madhe ende nderohen në botën e qytetëruar.