E-vota apo tre maskarenjtë që denoncon prof.Fuga

Nga Arben Rrozhani

Votimi elektronik për zgjedhjet e 18 qershorit 2017 ka kapitulluar. E çuan partitë kryesore të vendit, sepse u leverdis që të mos ketë votim elektronik, por, me hyzmeqarët e tyre në komisionet e votim/numërimit, t’i bëjnë kashtë e koqe votat e elektoratit shqiptar. E çuan anëtarët e KQZ-së, që dalin në punë vetëm kur ka zgjedhje për t’i dhënë shkelmin e fundit votës së zgjedhësit dhe për të çertifikuar manipulimin e bërë në komisionet zonale. E çuan të ashtuquajturat OJF, që gjoja u ha shumë barku për standardet demokratike të zgjedhjeve dhe që s’kanë thënë asnjë gjysmë fjale për votimin elektronik në Shqipëri, si në të gjithë vendet e tjera demokratike dhe që u intereson masakra e votës ndryshe si do t’i nxijnë raportet e tyre para/paszgjedhore, me të cilat justifikojnë miliona eurot që jepen për demokratizimin e shoqërisë shqiptare. E çuan nëpunësit e huaj të OSBE/ODIHR-it, këta burokratë antishqiptarë që janë lejuar të tallin menderen prej mëse dy dekadash me këtë popull dhe ta paraqesin si tribu të egër indigjenësh, ndryshe nuk përfitojnë shpërblime dhe dieta pse punojnë në këtë vend “me rrezikshmëri të lartë”, kur në orarin zyrtar hartojnë raporte si ai i famshmi që bënë dy vite më parë për politikanët shqiptarë, ndërsa jashtë orarit janë turistët dhe gjezdisësit e vendit, pash më pash.

Kapitulluan me dashje të gjithë, të llogaritur në gjithçka që ky vend të mbetet po ai rezervati eksperimental, siç ka qenë jetë e mot, për të provuar se sa e mban qenia njerëzore urinë dhe etjen për bukën e gojës apo deri te standardet elementare të demokracisë. Dy ditë më parë, vetëkapitulloi edhe akademiku Artan Fuga, ndër të paktët zëra të fuqishëm, që e merr ngasjen për komunikimin me publik, nga ngjarjet më banale deri te politika e lartë. Shkroi dhe dha lajmin e keq se nuk duhet që të këmbëngulim më për votimin elektronik, sepse janë ca robotë idiotë, të cilëve s’mund t’u besojmë votën, edhe pse tha se këtë votë e kanë masakruar tre maskarenj: i forti i lagjes dhe i katundit, pisnesmeni që bën tregti me paret e politikanit dhe militanti që dëshiron që të bëhet nëpunës për ta bërë qytetarin shërbëtor të tij; që të tre në shërbim të kryemaskarait, kryetarit të partisë që shpërndan këto udhëzime. Prof. Fuga është në një mendje me një politolog që deklaroi se me dy ekspertë IT-je e hedh në erë procesin zgjedhor dhe duke bërë paralelizëm me teoritë konspiracioniste për votimet e fundit në SHBA. Mirë ne, po shumë vende të tjera që e aplikojnë si një rutinë, mos janë të shkalluar apo nuk u intereson se si lexohet vota e sovranit? Çfarë mund të thuhet për Belgjikën, Brazilin, Britaninë e Madhe, Austrinë, Australinë, Danimarkën, Estoninë, Francën, Gjermaninë, Holandën, Irlandën, Italinë, Kanadanë, Norvegjinë, Portugalinë, Rumaninë, SHBA-të, Skocinë, Spanjën, Venezuelën e gjithë ato vende të tjera? Si shpjegohet që këto vende, të paktën prej vitit 2000 e më pas, aplikojnë votimin elektronik, pra kanë zëvendësuar anëtarin e komisionit me robotin idiot, siç shkruan prof. Fuga. Dhe pse vetëm ne dhe vendet e tjera me regjim hibrid, ose më troç nën diktaturën e kryetarëve të partive, e kemi më të udhës që të pranojmë komisionet politike, ku hapur manipulohet vota, ku, siç shkruan akademiku, ngjizet militanti që, pasi bën krimet elektorale, është gati të bëjë pastaj çdo gjë që ja kërkon bosi politik; ku militanti nis të ngjisë shkallët e karrierës, sepse e ka të bazuar atë te besnikëria në manipulimet e votave; ku takohen dhe bëhen solidarë, njihen me njëri-tjetrin tre personazhet që shkatërruan Shqipërinë, tre maskarenjtë e Shqipërisë së sotme.

Dhe sot, pesë muaj para votimeve të 18 qershorit, kemi mbetur vendi i vetëm në NATO dhe aspirues për në BE ku zgjedhjet administrohen vetëm nga partitë, të cilat kanë bërë prej 4 vitesh projekte pilote për votim elektronik, por që kanë përfunduar si afera korruptive. Jemi vendi i vetëm në botë që me 1.6 milionë votues, i nxjerr rezultatet (pasi kanë kaluar në duart e pista të komisioneve partiake të numërimit), edhe dy javë pas votimit, kur vende me dhjetëra, apo qindra milionë banorë nxjerrin rezultatet e pamanipuluara vetëm pak orë pas mbylljes së qendra të votimit.

A i kemi pasur ne kushtet për t’u bërë si gjithë të tjerët? Po dhe vetëm po. Në një studim të gati një viti më parë të Institutit të Studimeve Politike, thuhej se votimi elektronik kishte nevojë për disa parakushte, nëse do të aplikohej në zgjedhjet e qershorit 2017: Një databazë të besueshme dhe një sistem identifikimi elektronik kombëtar përmes ID-ve (të cilën e kemi dhe e paguajmë sa frëngu pulën te koncesioni i Berishës); zgjerimin e të drejtës së votimit edhe tek emigrantët, të cilët nuk janë banorë efektivë ditën e zgjedhjeve në Shqipëri duke qenë që jemi vendi i vetëm evropian që ende i ka përjashtuar emigrantët nga vendimmarrja politike (njëri nga dhjetëra pretimet e pambajtura të qeverisjes së Rilindjes, që del dhe lyp vota emigrantësh me autobusë); mjete efektive mbështetëse për jetësimin e procesit, përfshirë burimet e nevojshme dhe alternative të energjisë, si dhe një sistem transparent përpara medias dhe KQZ-së (që e kemi të konsoliduar me gjeneratorë nga qeverisjet gjithnjë në krizë energjetike) ; ndërhyrjen e menjëhershme në Kodin Zgjedhor për t’i dhënë kohë KQZ (të paktën 10-12 muaj kohë) për realizimin e praktikave të nevojshme (blerje pajisjesh, trajnim specialistësh dhe trajnim të individëve të deleguar nga partitë dhe shoqëria civile për ndjekjen e procesit të votimit) (që mund ta kishim bërë me shumë pak vullnet nga partitë kryesore) dhe së fundi, një fushatë informimi publik, sidomos te kategori sociale që nuk janë të familjarizuara me pajisjet elektronike (shumë pak problem për një popullatë ku shumica kanë nga dy-tre smartfonë).

A ishin të mundura këto? Shqipëri me buxhetin copë-copë, harxhon sot rreth 7 milionë euro pagesa për sistemin burokratik partiak të administrimit zgjedhor, zgjedhje që bëhen çdo dy vjet, (parlamentare dhe vendore). Prej kohës së Berishës, gjithçka është folur se do të bëhej me e, dixhitale. Kanë shpikur lloj-lloj shërbimesh për të treguar se e duan teknologjinë, nga e-Albania, te e-shërbime, e-prona, e-pagesa etj., etj.. Vetëm e-vota nuk i intereson asnjë partie në pushtet, asnjë qeverie dhe asnjë kryetari partie. Dhe këtu është ironia e faktit. Nëse gjithë Shqipëria është tentuar që të bëhet dixhitale, që të këputen fijet e korrupsionit, procesi zgjedhor mbetet në fazën primitive, sepse kështu i intereson establishmentit në vend. Ish-deputeti Kokëdhima e cilësonte sistemin elektoral të pabesueshëm, ndërsa kompromentimin e tij dhe vjedhjen e votës si krimet më të rënda që janë kryer në Shqipëri. Ai propozon edhe zgjidhjen: votimin elektronik në qendrat e votimit, administratë zgjedhore jopartiake, lejimin e emigrantëve tanë për të votuar në qendrat e votimit pranë zyrave të konsullatave dhe ambasadave tona, kontrollin e rreptë dhe të plotë mbi financimin e zgjedhjeve dhe një paketë masash ligjore për të kriminalizuar dhe dënuar ashpër çdo shkelje në procesin elektoral, shitjen dhe blerjen e votës, trafikimin, tjetërsimin e devijimin e saj të çdo formë. Cila prej këtyre nuk arrihet të bëhet, nëse politika nuk do të vinte veton, për ta pasur procesin zgjedhor si pronë të vetën? Të gjitha bëhen, si në të shumë vende demokratike, por kjo politikë nuk do të lejojë që të ketë e-vota, derisa të ketë në shërbim të saj tre maskarenjtë, përpara të cilëve kapitulluan të gjithë. Shekulli.com.al