Ja si do zgjidhen kandidatët për deputet në PD

Demokratët kanë ndezur motorët për zgjedhjet parlamentare. Shumë emra qarkullojnë si kandidatë të mundshëm për deputet. Deri më 15 shkurt (pra brenda 3 javëve), lideri demokrat Basha do të ketë në dorë një listë shumë të gjatë me emra.

Por si bëhet përzgjedhja?

Përmes një udhëzimi të dalë nga zyrat qendrore të PD-së, anëtarët duhet të angazhohen në një dialog të hapur me mbështetësit dhe simpatizantët e Partisë Demokratike dhe komunitetin në tërësi, shoqërinë civile, botën akademike dhe studentore, sipërmarrjen, të përndjekurit politikë dhe pronarët.

Në propozimet e tyre, kryetarët e degëve duhet të zgjedhin individë të spikatur nga të gjitha fushat, me integritet të lartë moral dhe shoqëror, me kontribute dhe arritje profesionale të njohura, dhe që gëzojnë respekt në komunitetin vendas dhe më gjerë.

Por ka edhe një mënyrë tjetër të lançuar sëfundi nga PD: “Deputeti online”.

Në faqen “pd.al/propozo- deputetin-tënd”, qytetarët mund të vendosin emrat e personave që mendojnë se duhet të jenë kandidatë për deputetë. Kjo është një metodë e re dhe nuk dihet se sa do funksionojë.

Ajo që dihet është se Basha do të shqyrtojë një listë të gjatë kandidatësh dhe nuk do të mjaftohet me ata që sillen rreth selisë së partisë.