Dueli Frangaj -Bushati

Nga Nikoll Lesi.

Aleksandër  Frangaj është një ish-gazetar “Koha Jonë”, ish-ortak dhe ish-mik i imi. E ka filluar profesionin e gazetarit që student, me një palë këpucë të grisura si dhe unë; punoi, iu privua liria me burg bashkë me kolegun dhe mikun tim Martin Leka në kohën e Berishës së I-rë. U ndamë në korrikun e vitit 1996 për arësyet që tashmë i kam bërë të ditura publikisht dhe që këto ditë, më në fund, del nga shtypshkronja libri im “Kështjella e Medias”, ku edhe Sandri mbetet pjesë e rëndësishme e librit dhe e historisë të së parës media të lirë në Shqipëri, “Koha Jonë”.

Po i tregoj të gjitha këto si një hyrje se pse po futem në këtë debat të ditëve të fundit ku Aleksandër Frangaj me TV Klan dhe Abc News po bëhet epiqendra e debatit publik. I sqarova për një lexues që nuk e njeh historinë e medias së pas vitit ’90. Jo për Andi Bushatin dhe miqtë e mijë, kolegë, miq apo jo miq.

Sandri është bashkëprodhim i të gjithëve ne. Edhe i joti miku im Bushati. Siç jemi edhe ne bashkëprodhim të njëri- tjetrit, të cilët vijmë nga ai brez gazetarësh i pas’viteve ’90. Atëhere ishim idealistë, kurajoz, pasionantë, disi profesionalistë, nuk shikonim nëse gazeta ishte e imja me Sandrin, por edhe ju, si të gjithë, e ndjenit veten “bashkëpronarë”. Dhe natyrisht që ato lekë, aqsa vinin nga shitja dhe reklamat ndaheshin pothuaj bashkë, përveç rrogave që ishin detyrim. “Koha Jonë”, ti e di se u bë më e madhja e medias së shkruar, asokohe. Arriti në 88 mijë kopje shitje në një ditë, në kohën që Ben Blushi ishte kryeredaktor. Apo jo miku, Bushati?

Ishte kohë për gazetari!

Ndonëse u ndamë, edhe me ju, prapë mbetem miq. Jeta ofroi mundësi të reja, edhe për Klan-in tuaj. Dhe ecët mirë, profesionalisht. Ju shkuat me Sandrin. Ti dhe disa miq të mijë shumë të mirë. Unë bëra gabim që u futa edhe në politikë. E bëra atë gabim dhe nuk do më varni, besoj! Por ama kërkova në parlament që të bëhet një ligj për hetimin e burimeve financiare në media. Besoj e mbani mend? Dolën gazeta të reja në treg në vitin 1998 e më pas. Tregu i medias u bë më plural, lajmi ishte më i bollshëm për publikun. Konkurenca u hap, porse në pak muaj u dreqos. Disa botues të ardhur nga bota e biznesit e sakatuan tregun e medias. Ne mund të kishim gabime, por konkurenca ishte te cilësia dhe kurajo e shkrimeve.  Nuk kemi përdorur, as unë e Sandri, konkurencë të padrejtë. Të paktën deri kur nuk kishte hyrë në media bota e biznesit, sidomos biznesi kriminal.

Sandri nuk vjen nga bota e biznesit. Vjen si ti dhe unë, pa biznes, pa lekë. Por me kurajo, idealizëm, profesion. Natyrisht që zgjerimi i medias dhe konkurenca e pandershme, për fajin tonë që nuk luftuam fort, për fajin e politikës që donte ta denigronte forcën e pushtetit të katërt, për fajin dhe të ndërkombëtareve të cilët kurrë nuk kërkuan një “dekriminalizim” në media; pra sollën një denatyrim të tablosë mediatike shqiptare. Natyrisht që Sandri për ti bërë ballë këtij ekspansioni biznesi shantazhues, por edhe kriminal që hyri në media pa rregulla ligjore konkurence, u detyrua të përshtatej ose thuaj pak më troç, manovroi në një treg kaosi të cilin e solli kastile politika.

Më vonë, pushteti i mikloi, pothuaj të gjithë. Nga pak, porse hodhi kocka për mbijetesë për mediat e pa kapura, në formë reklamash të diktuara.

Unë qëndrova në median time me idenë utopike të dikurshme, por që mundohesha të lundroja nëpër dallgët e një konkurence brutale antiligjore.

Edhe Sandri ishte në një betejë për jetë a vdekje si media, si profesion me hyrjen e biznesit, siç ta thashë, bile po e përsëris, biznesit kriminal. Nuk po them për të gjithë, porse për një pjesë të madhe të biznesit që hyri në media jo për kënaqësi profesioni apo për t’i shërbyer publikut. Hyri për tenderime, ofertime, për miliona dollarë pazare me pushtetin në këmbim të shërbimit mediatik ndaj klasës politike në fuqi.

Nëse nuk do lejohej nga media, ligji, kurajo jonë, pra e të gjithëve do të kishim tablo tjetër mediatike. Do ishte si në Perendim, pothuaj. Konkurenca mund të më nxirrte jashtë loje, edhe mua. Edhe Sandrin. Edhe të tjerë. Por do të ishte nxjerrje me rregulla loje, ligjore.

Saliu i II-të, kur unë dola nga media i dorëzuar prej kësaj konkurence të pandershme, ndryshoi taktikë. Jo më dajak, si dikur. Me flirte me botues e biznesmenë-botues. Deti i ndotur i medias së “lirë” u mbush plotë me varkëtarë mediatikë biznesmenë. Apo jo zoti Bushati? Edhe Sandri do mbijetonte. Ose do dorëzohej si unë. Ai nuk u dorëzua.

fevzo

Më pas “deti meditiak” u mbush plot “peshkaqenë”. Të gjithë donin të hanin, donin ushqim. Duheshin lekë për zhvillim teknologjik, para për rrogat, për naftë, për gjithçka. Biznesmenët e firmave të ndërtimit dhe me tenderime me fonde bashkisë së Tiranës apo rrugësh nacionale, po ktheheshin në “balena mediatike”. Hanin edhe “peshkaqenin”. Media u bë me digjitale, më e sofistikuar, por fatkeqsisht, edhe më e pistë. Në shumicën e rastëve. Jo të gjithë.

Tani  “peshkaqenët” lodrojnë e lundrojnë duke u bërë njësh me pushtetin.

A ka zgjidhje? Natyrisht që po, por të dhimbshme. Si dekriminalizimi në politikë ka nevojë, para se gjithash, dekriminalizim në media.

A do bëhet zoti Bushati ky dekriminalizim? Fatkeqsisht besoj se jo.

A bëra gabim, dikur, që mundësova largimin tuaj dhe të Shkullakut në korrik 1996, ndonëse kur shkarkova Sandrin, pikërisht Shkullakun propozova për kryeredaktor? Gabim fatal! A humbi pikë dhe kredibilitet Sandri me shkarkimin e Shkullakut në janar 2017 dhe largimin tënd disa vite me parë? Padyshim, shumë.

frangaj

Në foto: Nga e djathta, Andi Bushati, Aleksandër Frangaj, Armand Shkullaku dhe Nikoll Lesi , viti 1995 (në shtypshkronjë, duke pritur daljen e gazetës “Koha Jonë”)