Një mesazh për mësuesen time të klasës së parë

E di që sot jeton në Tiranë, vitet të rëndojnë mbi supe, më ka marrë malli të të shoh. Po a mund të japësh vetëm një orë mësim në atë klasë, në atë klasë ku dje u bë në denoncim, që një pseudo mësuese, në mënyrë shtazarake trajtonte vogëlushet…

Nga Manjola Zeka

Tek shikoj rastet e denoncimit, ditë pas dite, tek shikoj fëmijë që goditen, shahen, ofendohen në shkollë, nga këto pseudo-mësues (janë aq të vegjël dhe të pafajshëm), natyrshëm më kujtohet fëmijëria ime.

Edhe ne kemi bërë gabime kur ishim të vegjël, në klasë të parë, jo të gjithë dinim..ca ishin rrëmujxhinj, disa të tjerë më të kujdeshëm. Por mbi kokë na qëndronte një person i dashur, një zë i ëmbël që ju fliste të gjithëve njëlloj. E mbaj mend si sot, po, po e mbaj mend zërin e saj. “Të dashur nxënës shkronjat duhet të mësojmë ti shkruajmë bukur, të duken si rruaza”…të duken si rruaza..gjithë jetën me shoqërinë.

Ah, moj mësuese Agetina (Tina) mësuesja ime e shtrenjtë e klasës së parë, si nuk na qëllove një herë të vetme, as kur boja derdhej mbi libra, e bishtagypin , (penën) shpesh herë e kafshonim dhe na thyej?! Si nuk na godite njëherë as kur rruazat shtremberoheshin e dilnin nga rreshti, si nuk na the një fjalë të rëndë as kur, me apo pa dashje, kishim harruar ndonjë libër apo fletore në shtëpi?!..të mbaj mend gjithmonë buzagaz, me ato flokët e gjata shpesh të mbledhura dhe radhë të binin mbi supe, që vije herët në klasë dhe në kohe dimri, ndizje stufën (sobën) dhe zjarri bubulak ngrohte gjithë klasën. Ata që e kishin shtëpinë më larg dhe ishin të lagur, merrnin një të ngrohur pastaj uleshin në bankë..nuk të mbaj mend ta ngrije zërin apo ta trashje, as kur njërit nga ne i shkohej në tualet, të vëgjel ishim….

Kurrë nuk të pashë që atë bukën që e mbështillje me letër për ta ngrënë në pushim të madh, ta haje para fëmije, kurrë, as dhe një herë të vetme.

Po, e di për çfarë ishe e rreptë ti e mira zyshTina jonë, ishe e rregullt e pastër. Të njëjtën gjë doje edhe nga ne. Ani, se jo të gjithë ishin me rroba të reja dhe të bukura, se ashtu ishin mundësitë, por ama të ishin të pastra.

Eh, më kujtohet kur me rreshta kontrollonim nëse me vete e kishim shaminë e hundeve apo kishim prerë thonjtë? Dënime nuk kishim jo, thjesht kujtesë për herën tjetër.

Dëgjoj se shumë mësues i linin fëmijët te tabela me kurriz nga klasa dhe me një këmbë, të ne jo, nuk ka ndodhur. Mësuesja jonë na ka bindur me fjalë..kurrë me dënime. Janë shumë, shumë gjëra që më kujtohen, por sot dua të të bëjnë një pytje mësuese Tina?

Po sikur këta fëmijët që mësojnë sot në klasa të para, mos të kenë këto mjetet moderne (stilolaps me gome që fshin gabimet shpejt), por të kishin ato shishet e bojës dhe ato bishtagypet e gjatë, dhe boja të përhapej në libër, bankë, pllaka do i qëlloje në kohën e sotme??Do i ulurisje?? Une them Joooo me zë të lartë, pasi koha nuk e ndryshon njeriun, mendoj se është vetë i tillë. E, të edukosh fëmijët nuk është e lehte, duhet takt të punosh me fëmijët. E pra, më duket se këtye të sotmeve ju mungon ky takt, ato punojnë me dhunë me fëmijet, duke i bërë prindërit me zemër, duke i tjetërsuar vogëlushet, duke i mbyllur në vetvete, duke humbur besimin në një institucion ku duhet të merret edukim në fakt, por që mesazhi është i kundërt.

Përpara se ta mbyll unë kam një mesazh për ty mësuese Tina.

E di që sot jeton në Tiranë, vitet të rëndojnë mbi supe, më ka marrë malli të të shoh. Po a mund të japësh vetëm një orë mësim në atë klasë, në atë klasë ku dje u bë në denoncim, që një pseudo mësuese, në mënyrë shtazarake trajtonte vogëlushet, jam e sigurt që fëmijëve do ju kthesh qetësinë, besimin, se klasa e parë është fillimi i dijës së tyre. Jam e sigurt se zëri yt i ëmbël do i shoqërojë gjithë vitin. Unë e di se ti mund ta bësh këtë! Unë po të lutem dhe po pres!