Gjoka optimist: Kukësi do luftojë deri në fund për titullin

Kukësi është gati për të rinisur misionin titull. Nga aeroporti Nënë Tereza, pas kthimit në Shqipëri trajneri Ernest Gjoka vlerësoi përgatitjet e skuadrës në minifazën përgatitore të dimrit që u zhvillua në Antalya, duke shtuar se ai mori atë cfarë kërkonte nga seancat stërvitore në tokën turke.

“Mendoj që kjo ishte një minifazë për të rikarikuar forcat, për ti dhënë skuadrës një freski fizike dhe për të rregulluar ato gjëra që ne nuk arritëm ti bënim në dy fazat e para.Mendoj se Kukësi do të jetë po i njëjtë por skuadra do të ketë një marsh më shumë dhe duhet të jemi gjithmonë të përqëndruar dhe të vëmendshëm. Kjo fazë u përgatit për këtë qëllim”.

Te Kukësi në këtë merkato janë afruar zyrtarisht dy lojtarë të rëndësishëm, mbrojtësi i majtë Simon Rrumbullaku dhe mesfushori brazilian Elton Cale. Me këta dy futbollistë merkatoja e skuadrës verilindore mund të konsiderohet praktikisht e mbyll. Dicka të tillë e konfirmoi trajneri Gjoka i cili gjithsesi nuk përjashtoi ndonjë goditje të momentit të fundit.

“Unë mendoj që dy përforcimet që kërkonim me patjetër i kemi marrë. Mund të them që jemi drejt mbylljes së merkatos edhe pse në orët e fundit mund të ketë edhe ndonjë tjetër afrim por mbetet për tu parë. Unë e kam skuadrën të kompletuar. Mendoj që Kukësi nuk ka nevojë për përforcime të tjera”.

Sipas Gjokës Kukësi i ka cilësitë për të fituar titullin në këtë sezon, ndërkohë që trajneri kryqytetas i mbylli dyert e skuadrës së tij, Gjergji Muzakës.

“Ne mendojmë që Kukësi është një ekip shumë i fortë, një ekip që do të jetë në garë për titullin deri në fund. A do të transferohet Muzaka te Kukësi? Muzaka ka problemet e tij dhe nuk ka zgjidhur ende kontratën me Tiranën kështu që ne nuk do të tentojmë të afrojmë një lojtar që ka ende një cështje për të zgjidhur”.

Për minifazën përgatitore të dimrit në Antalya foli edhe sulmuesi Pero Pejic.

“Bëmë një fazë shumë të mirë, u përgatitëm fort, dhe luajtëm tre takime miqësore ndaj tre skuadrave me shumë cilësi.Regjistruam 2 humbje ndaj Istanbul Basaksehir dhe Kairat Almaty-it, ndërsa në fund fituam ndaj Neftcit.E rëndësishme në këtë fazë ishte që skuadra të merrte ngarkesën e duhur fizike dhe jo rezultatet në takimet miqësore”.

Pejic në fund të fjalës së tij vlerësoi maksimalisht dy blerjet e reja të Kukësit mbrojtësin Rrumbullaku dhe brazilianin Elton Cale.