Treni provokativ, artistët flenë në gjumë

Marko Gjuriq tenton të nxitë debat kur pohon se mbishkrimet janë të njohura edhe nga UNESCO, ndonëse si mbrojtje, por çfarë duhet të bëjë Kosova dhe arti këtu?

Nga Ilir Muharremi

 Artistët tonë shqiptar duhet të improvizojnë përformanca të çuditshme që nganjëherë nuk ndiqen nga ndonjë skenar paraprak, ose e kundërta të jenë paralelë me skenarin paraprak. Nëse janë paralel, atëherë arti është opozitë ndaj veprimit, jetës reale, problemeve politike, ekonomike deri në vazhdimësi.

  Treni i nisur nga Beogradi e i dekoruar me parulla antishqiptare, posedonte edhe simbole fetare, me të cilat krenohen nacionalistët serb, qe planifikuar të nisej nga ora 8:30 e mëngjesit. Ai u nisë dhe si destinacion kishte hyrjen në Kosovë në drejtim të Mitrovicës dhe arritja e tij mendohej kah pasditja. Përbrenda tij, qenë ikonografit serbe, kurse jashtë mbishkrime provokuese nacionaliste, të cilat e fyejnë Kosovën, Evropën dhe botën. Ndonëse këto dyja të fundit nuk preken nga mbishkrimet, por nga ajo çfarë shkruan në shekullin tonë, sepse tashmë Evropa dhe bota i kanë tejkaluar gjërat primitive, nacionaliste, historike, me tendenca shtypëse…

  Marko Gjuriq tenton të nxitë debat kur pohon se mbishkrimet janë të njohura edhe nga UNESCO, ndonëse si mbrojtje, por çfarë duhet të bëjë Kosova dhe arti këtu? Këtë ngacmim ta satirizoj me mjete të lehta artistike demokratike, qoftë në arte konceptuale, apo pikturë, letërsi, ta shohin të gjitha instancat e larta ndërkombëtare, pastaj të presim reagimet e zyrave të tyre. Artistët tonë, përdorin vetëm rrjetet sociale për tu solidarizuar me ndalimin e trenit, thjeshtë mbyllen nëpër atelietë e tyre, pikturojnë nën ngrohje, disa nëpër dhoma të ngrohta. Arti i mirëfilltë për qëllim ka të zbresë në arenë, të hyjë në betejë dhe të fitoj. Mos të harrojmë se ideja dhe koncepti fshihen pas veprës së artit.

    Treni kishte për qëllim bartjen e zyrtarëve dhe gazetarëve serb, e tëra qëndronte në propagandë dhe qëllim të arritjes, porse spektakli qe më i nevojshëm medial. Sipas autoriteteve tona, hyrja e trenit konsiderohej ilegale, andaj edhe u ndalua. Serbët këtë e quanin historike, kurse artistët tonë është dashtë të kundërpërgjigjen se ky gjest është provokativ, nxitës dhe banal nëse analizohet koha e tashme. Satira më së miri ja tregon dhëmbët këtij gjesti, ndonëse nëse është nevojshme edhe me koncepte banale, por që i shkojnë përqeshjes. U përdorë një parullë: ku treni u nisë dhe u dashtë të kthehej më fjalinë “Jebiga”. Por, jo nga artistët, nga njerëzit e zakonshëm, derisa artistët tonë ballafaqohen me kopje, peizazhe, ndikime nga historia e artit etj. Jo ore artistë të mjerë, arti i ri për shtati kohës.

Ky tren më shumë qe fetar, ose kishtar sesa tren, këtu edhe vëreheshin qëllimet. Por, mund të barte edhe armë, ndonëse qëllimi kryesor mendohej të jetë vetëm futja dhe rezistenca u tregua shumë në nivel, porse kjo mund të ndikoj në qetësimin e bisedimeve, si shkak i këtij treni.

     Artisti duhet të jetë i përgatitur për të sulmuar dhe demaskuar çdo tendencë keqbërëse që i kanoset shtetit. Artistët tonë duken si impotentë në këtë rast, sepse artin shumë e lidhin vetëm me personalen, arti synon tërësinë dhe stabilitetin dhe brenda këtij stabiliteti provokon, e vë në diskutim realitetin, porse realiteti është më i madh se arti. Nëse është e nevojshme duhet të vdiset për vend dhe për vepër arti, por asnjë artist i joni nuk e bënë këtë. P.sh ja një vepër arti e guximshme: “Shtylla e shoqërisë” (1926) nga  George Grosz. Në vepër ushtarët mizorë marrshojnë në sfond, ndërsa një prift  bekon me budallallëk gjithçka. Një baron shtypi mban mbi kokë një oturak…. Vepra kritikon me forcë vendin e tyre. Artisti i satirizonte udhëheqësit gjerman, duke i bërë ata qesharak dhe të ligj.

    Përse edhe artistët tonë nuk bëjnë vepra të tilla me mjete konceptuale? Arti shkon në kohë të njëjtë me problemin, nuk është mbrapa tij. Nuk po them që artisti të jetë politik, por ta korrigjoj politikën, të përmbajë apel të qëllimshëm drejtuar në këtë rast Serbisë, ta përdorë ose si oturak këtë tren, ose të tallet me mbishkrime që i posedonte treni i zhgënjyer, i cili tashmë po qanë në vete. Arti tregon sens të madh propagandistik. Përmasat duhet të jenë të mëdha, poashtu edhe guximi i artistit duhet t’i shkoj për shtati. Ne nuk kemi artistë të guximshëm, kemi vetëm artistë të atelieve dhe dhomave të ngrohta.

   Tjetra, ku u tregua forca e artistit. Artisti disident Ai Weiwei solli një piano të bardh në mes një fushë balte në kampin e refugjatëve sirian në Idomeni të Greqisë. Një refugjate po luante në piano para refugjatëve të tjerë. Ajo po pret të bashkohet me burrin e saj. Në çaste të artit shpirti artistik frymon, ndjenjë lirinë dhe harron revoltën, porse edhe gjatë ekzekutimit merr nga revolta. Artisti përdori artin në atë vend të rrezikshëm dhe qëndroj me javë të tëra me refugjatë duke promovuar veprën e artit.

   Si përfundim artisti duhet të hulumtojë, jo ta lë vetëm barrën mbi politikanin, duhet ta konkretizoj se nga kush u ndalu hyrja e trenit, nga udhëheqësia jonë e shtetit, apo nga strukturat e Serbisë? Kjo ndonëse ende mbetet për tu diskutuar.