Sondazhi i “Koha Jone”/ Analistët: Po, Ilir Meta është Politikani i Vitit 2016

2

Për “Politikanin e Vitit 2016” media të ndryshme nxorën emra të ndryshëm, në mediat e tyre. Mbrëmë te emisioni i gazetares së mirënjohur Eni Vasili në News 24 ishin të ftuar emra të spikatur nga media shqiptare, të njohur për qëndrime të ndryshme, bile kontraverse. Ylli Rakipi drejtues i emisionit “Të Paekspozuarit”, Alfred Lela drejtor i gazetës “MAPO”, Arian Çani drejtues i emisionit të shumëshikuar “Zonë e Lirë” dhe analisti Lorenc Vangjeli.

Debati ishte se cili nga politikanët e Vitit 2016, të shpallur në media të ndryshme, ishte me të vertetë më i pranueshëm nga publiku. Të katër analistët dhe gazetarët e njohur ranë në një emërues të përbashkët se në kushtet e Shqipërisë, ku ende demokracia ka probleme e ku konflikti është parimi, Politikani i Vitit 2016, që kontriboi në arritjen e konsensusit dhe ruajtjen e një balance politike të pranueshme, falë aftësive personale, ishte Ilir Meta, kreu i Parlamentit shpallur nga gazeta “Koha Jone” pas një sondazhi online një mujor si “Politikani i Vitit 2016”. Në vend të dytë u rendit Edi Rama, në vend të tretë Ben Blushi.

Kronika e “Koha Jone” datë 30 dhjetor 2016

Pse Ilir Meta? Sepse duhej Ilir Meta! Të paktën kështu menduan mijëra lexues të “Koha Jonë”, të cilët votuan për mbi një muaj dhe e shpallën Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë si politikanin e vitit në Tiranë. Sipas tyre, 2016-a, një vit përpara sprovës së përgjithshme elektorale, ishte vit i shënjuar më së shumti prej tij.

Si rregull, vendimi popullor, edhe kur ai është një sondazh gazete, nuk kundërshtohet, por vetëm komentohet. Dhe ne si redaksi thjesht po tentojmë të gjejmë arsyet se pse në Tropojë, Tiranë ,Tepelenë a kudo, lexuesit tanë i dhanë votën Metës. Me gjasë edhe pa qenë anëtarë apo simpatizantë të partisë së tij. Ndoshta, edhe pse emri i tij afron diçka më shumë se vendi që zë në spektrin politik, më shumë se Lëvizja politike që përfaqëson nën siglën e LSI-së.

LSI është partia e tretë e rëndësishme e vendit. Ajo ishte arsyeja e vetme që i dha të djathtës së Doktor Berishës një mandat të dytë në 2009-ën dhe shkaku kryesor i ardhjes në pushtet i të majtës për mandatin e parë të Edi Ramës.

Me të gjitha llogaritë e numrave është edhe kushti i parë dhe i vetëm për emrin dhe ngjyrën e shumicës së nesërme qeverisëse. Deri këtu nuk ka asgjë të re apo diçka të vështirë për t’u kuptuar. E rëndësishme është që të kuptohet se çfarë kërkon publiku. Çfarë pret dhe çfarë mendon se meriton ai në një të nesërme të afërt.

Mes duelit të vazhdueshëm të titanëve politikë të Tiranës, që të armatosur me kazma dhe sëpata i sulen njëri-tjetrit për t’i nxjerrë njëri-tjetrit edhe gurin e themelit (dhe gjithë Shqipërisë më pas), qytetarët kanë zgjedhur të pranojnë tezën e Metës “Me qetësi dhe dashuri!”. Në një vend si Shqipëria politike, ku urrejtja dhe jo dashuria, ku kazma dhe jo lopata, ku hakmarrja dhe jo bashkëpunimi kanë qenë karburanti i gjithë politikës, Ilir Meta ngjan i panatyrshëm. Dhe pikërisht për këtë, është dhe zgjedhja e publikut të lodhur nga një tranzicion i gjatë në të cilën Fatos Rama dhe Sali Basha bashkë me Edi Nanon dhe Lulzim Berishën, kanë aksionet e tyre të shumta dhe kryesore.

Ilir Meta arriti, falë durimit dhe qetësisë së tij, të ul PD dhe PS në konsensus, gjë që as mendohej nga njeriu me optimist në Shqipëri. Meta ia arriti dhe për këtë ka meritë krejt personale.

Duket se qytetarët kërkojnë qetësinë, edhe pse nuk mund të gjejnë dot gjithmonë dashurinë. Politika është një e keqe e domosdoshme.

Duke gjykuar kryesisht nga ato që janë bërë në këto katër vjet që po mbyllen. 2013-a u hap me shprehjen e Edi Ramës: “Prisni se nuk keni parë gjë akoma”! dhe vazhdoi me kërkesën e Ilir Metës për konsensus sa më të gjerë të mundshëm, për sfidat më të mëdha që kalon vendi. “Prisni, se nuk keni parë gjë akoma, se frytet e konsensusit vonojnë, por nuk harrojnë”, mund të jetë martesa e lumtur politike për katër vjetët e ardhshëm.

Publiku i ka dashur gjithmonë të fortët e politikës kur e kanë qeverisur. Sa për të përmendur ca emra, e kanë dashur Zogun, Enverin, Saliun, Fatosin. Kur kanë ikur, i kanë harruar ose i kanë urryer. Sepse kanë dashur pushtetin e tyre dhe jo individët dhe mënyrën sesi ata e kanë ushtruar pushtetin. Me Ilir Metën duket se qenka ndryshe. Qetësia dhe pastaj edhe dashuria duket se janë zgjidhja e vetme në një vend të lodhur nga urrejtja dhe zhurma e pareshtur e tranzicionit me pak demokraci.

Ndaj lexuesit e “Koha Jonë” votuan sot kështu, siç do të votojnë shqiptarët nesër.

Viti 2016 ishte viti i Ilir Metës.