Bora mbulon vendin, krerët e institucioneve “në këmbë”: Tregoni kujdes, mos lëvizni pa zinxhirë

0

Reshjet e dëborës kanë rinisur mbrëmjen e sotme në pjesën qendrore të vendit, duke mbuluar rrugët në Tiranë, Elbasan e Durrës. Ndërsa prej mëngjesit, reshjet kanë vijuar në zonat malore e në jug të vendit.

Nisur nga situata e krijuar, institucionet e vendit kanë përcjellë këshilla për qytetarët, duke u bërë apel drejtuesve të mjeteve që të mos lëvizin pa zinxhirë.

Ministria e Transporteve njofton se asnjë aks kombëtar nuk është i bllokuar, por bën apel që të tregohet kujdes gjatë lëvizjes.

“Kujdes gjatë qarkullimit me automjete. Ka reshje bore në Shqipërinë e Mesme, përdorni zinxhirë. Shmangni lëvizjet deri në normalizimim e situatës. Aktualisht asnjë aks kombëtar nuk është i bllokuar. Lëvizja Tiranë-Durrës dhe anasjelltas kryhet me zinxhirë”, thuhet në njoftimin e MTI.

Sakaq, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duke këshilluar “kujdes në rrugë, me makinë dhe në këmbë”, teksa njofton se “policia është në shërbim të qytetarëve”

Edhe Policia Rrugore njofton gjithë drejtuesit e automjeteve se lëvizja Tiranë-Durrës dhe anasjelltas të kryehet me zinxhirë.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj thotë se nata e sotme parashikohet të jetë e ftohtë me temperatura nën zero, duke bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes me ngricat.

“Kujdes në rrugë, me makinë dhe në këmbë. Bora 5 cm, më shumë reshje në zonat rurale. Sot, nata e ftohtë me temperatura nën zero. Nata e mëngjesi do kenë ngrica në rrugë dhe trotuare. Bashkia e Tiranës ka mbi 1200 veta në terren. Tregoni kujdes në lëvizje, kufizoni shpejtësinë”, shprehet kryebashkiaku Veliaj.

/BW