Arrestimi i Haradinajt, pse bota po përbuz shqiptarët?

…Këto burgosje dhe këto përbuzje që i bëhen shqiptarisë, nuk tregojnë vetëm fytyrën e shëmtuar të Evropës, e cila jo njëherë e ka shpërblyer kriminelin për ta bërë atë të mire dhe, e ka dënuar të mirin, duke e ditur se s’ka si bëhet i keq, por këto burgosje e padrejtësi që i bëhen Kosovës…

Nga Kim Mehmeti

“Po, disa vende të Evropës vazhdojnë t’i burgosin heronjtë shqiptarë të Kosovës, duke u mbështetur në dosjet e Serbisë! Dhe kjo ndodh edhe shkaku se ne kurrë nuk reaguam kur po kjo Evropë – vetëm që të na barazojë të gjithëve në krime – vendosi që të mos i nxirrte përpara drejtësisë vetëm strategët dhe ekzekutorët e gjenocideve, por edhe viktimat e tyre, edhe ata që nuk donin asgjë më shumë se liri për popujt e vet!

Po pra, Kosova i ngjanë një getoje, ku banojnë dy milion shqiptarëve, pa të drejtë të lëvizin lirshëm nëpër kontinentin ku jetojnë, e në ndërkohë duke ua hekur vizat edhe kriminelëve serbë, që sot shëtisin lirshëm nëpër botë, si të ishin misionarë bamirës! Por edhe burgosjet, edhe vizat për kosovarët, nuk kanë të bëjnë vetëm me dystandardin e botës së ‘civilizuar dhe humane’, por edhe me pafytyrësinë e disa drejtuesve kosovarë, të cilët bënë çmos për të mirën e vetvetes, por thuajse asgjë për mirëqenien e popullit të vet dhe për ta bërë Kosovën shtet që do e meritonte respektin e të tjerëve.

Po pra, këto burgosje dhe këto përbuzje që i bëhen shqiptarisë, nuk tregojnë vetëm fytyrën e shëmtuar të Evropës, e cila jo njëherë e ka shpërblyer kriminelin për ta bërë atë të mire dhe, e ka dënuar të mirin, duke e ditur se s’ka si bëhet i keq, por këto burgosje e padrejtësi që i bëhen Kosovës, kanë të bëjnë edhe me ata ‘çlirimtarët’ tanë të djeshëm, e politikanë të sotëm, të cilët para se ta mbronin shtetin dhe popullin e vet, mbrojtën hajdutin në vetvete, atë hajdutin që ishte arrogantë dhe i pamëshirshëm ndaj popullit të vet, por aq servilë dhe aq i përulur përpara të huajve sa, më shumë i gëzohej një shtrëngim duarsh me shërbëtorët e deridjeshëm të Millosheviqit, se sa me kundërshtarët e vet politik shqiptarë!

 Po pra, një pjesë e botës së civilizuar sillet me përbuzje dhe mospërfillje ndaj nesh edhe shkaku se lejuam të na drejtojnë dhe përfaqësojnë edhe ata që nuk mërziten e nuk lodhen pse u rrënohet shtëpia, por kanë gajlen se do u zbulohet hajnia!” (