Kulla: Shqipëri-Kosovë asnjë negocim me Serbinë pa liruar Haradinajn. Do të preket i gjithë Rajoni

Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë nuk duhet të bëjë asnjë negocim me Serbinë derisa kjo e fundit të lirojë Haradinajn dhe të heqë të gjitha urdhër arrestet.

Kështu ka deklaruar analisti Ilir Kulla në studion e lajmeve të Ora News.

Kulla argumentoi se arrestimi i Hardinajt është një absurd politik dhe juridik që nga ana e Serbisë kërkohet konflikt në Ballkan.

Kulla: Është edhe politik edhe juridik. Është politik sepse kemi të bëjmë me një personalitet politik, ish-kryeministrin e Kosovës, kryetarin e një partie dhe njeriun më të përfolur nga pikëpamja e të hetuarve nga Gjykata e Hagës, i cili është vetëdorëzuar për ti gjykuar për këto akuza dhe ka dalë dy herë i pafajshëm.

Franca si shtet anëtar me të drejta të plotë të KS të OKB ka votuar në krijimin e kësaj gjykate speciale për ish-Jugosllavinë, në rastin konkret ku është përfshirë edhe Kosova.  Është shteti që ka njohur Kosovën si të pavarur dhe ka marrëdhënie diplomatike. Absurde është fakti se pavarësisht se e njeh Kosovën dhe pavarësisht se e njeh këtë historik politiko-juridik të Haradinajt Franca e ndalon Haradinajn me një urdhër arresti të Serbisë kur dihet mirë që Serbia nuk ka më juridiksion mbi Kosovën, pra është një juridiksion i pretenduar nga ana e Serbisë.

Ka një element tjetër që nëse është e vërtetë që të gjithë anëtarët e tjerë të ish-UÇK janë përfshirë në listat e kërkimi nga Serbia ose zhvlerësohen këto lista dhe kemi të bëjmë këtu me ministra, ish-ministra etj ose dy vendet tona, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërpresin të gjitha marrëdhëniet me Serbinë derisa të zhvlerësohen këto urdhër arreste, sepse nuk ka kuptim. Çkuptim ka të ecet përpara bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, kur Beogradi gjysmën e klasës politike të Parlamentit të Kosovës e ka në listën e kriminelëve të luftës. Përvecse veprimi është absurd është edhe pa sens.

Unë mendoj se është momenti për të reflektuar se çfarë do të bëjë Serbia me këtë veprim?! Praktikisht është Serbia ajo që ulet në tavolinë dhe thotë jemi për bisedime, pastaj gjysmën e klasës politike kërkon ti fusë në burg për krime lufte dhe në Mitrovicë ngre murin e ndarjes. Pra në këtë lloj forme Serbia kërkon konflikt.

Tani çfarë duhet të bëjë klasa politike shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri?! Nga një anë duhet të jetë e qartë dhe mos ketë asnjë lloj dëshire për të negociuar me Serbinë derisa Serbia të tërheqë këto urdhër arreste dhe nga ana tjetër tja bëjë të qartë BE, OKB të gjithë partnerëve në NATO që kjo punë nuk mund të shkojë kështu, sepse nëse shkon kështu është një pretendim i qartë për të shkuar drejt konfliktit.

Nëse nuk lirohet Haradinaj do të preket i gjithë Rajoni

Kulla: Unë mendoj se disa vende të BE, ose disa aktorë të BE tolerojnë Serbinë sepse duke e toleruar Serbinë do të mbajnë në fuqi njërin politikan ose tjetrin përpara zgjedhjeve dhe nuk do t’i çojnë ata drejt hetuesisë. Por ky është një naivitet. Kemi të bëjmë rastin konkret Haradinaj, do të ketë zgjedhje presidenciale në Serbi këtë vit dhe një mendim është që Vuçiçi do të bashkojë zgjedhjet presidenciale me ato të përgjithshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe meqë BE nuk i jep dot zgjerim Serbisë sepse e ka bllokuar Kroacia, atëhere ti japim oksigjen dhe të bëjmë monedhën shkëmbimi Haradinaj…! Po kjo do të thotë ti vëmë zjarrin gjysmës së Ballkanit. Politikanët në Kosovë dhe në Shqipëri ngurojnë të thonë të vërtetat. Nuk mund të bëhen shqiptarët monedhë shkëmbimi  sepse BE nuk do të humbasë Serbinë të iki drejt Rusisë. Kjo nuk do të thotë që të vazhdosh të mbash një konflikt 20 vjet të tjera.

Unë shpresoj që Haradinaj pas disa ditësh të kthehet në Kosovë, ndryshe kjo ngjarje do të prekë gjithë rajonin. Si fillim do të bllokojë procesin e dialogut mes Serbisë Kosovës, Shqipëria do të kishte një stepje. Do të ndikonte për Malin e Zi, por edhe për situatën në Bosnje. Këto përpjekje të faktorit ndërkombëtar për ti zgjidhur duhet të respektojnë rregullat e lojës, dhe një nga rregullat e lojës është që në momentin që jepet  një vendim nga gjykata ndërkombëtare, Haga nxori të pafajshëm edhe Sheshelin, kjo nuk do të thotë që Kosova duhet të arrestojë, pavarësisht se cfarë mendojmë ne shqiptarët.

Shqipëria e ka detyrë kushtetuese ti dalë zot shqiptarëve kudo që janë përfshi edhe Haradinaj që është një qytetar i Shqipërisë.