Kapet gomonia me 700 kg kanabis, vinte nga Shqipëria

0

Policia italiane ka goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike duke sekuestruar një gomone me 700 kg kanabis me vlerë 4 milionë Euro.

Gomonia sipas mediave italiane kaloi ngushticën e Otrantos mesnatën e të hënës duke u gdhirë e martë.

Trafikantët synonin bregdetin e San Foca, por gomonia u pikas nga disa banorë të cilët njoftuan më pas policinë.

Trafikantët, pasi u pikasën e fshehën kanabisin e ndarë në 40 pako të mëdha në disa shkurre afër plazhit.

Policia italiane sekuestroi sasinë e kanabisit dhe një armë zjarri, ndërsa ka nisur hetimet për të zbuluar skafistët dhe rrjetin e trafikut të drogës.

“La Repubblica” shkruan se alarmi për rritjen e trafikut të drogës nga Shqipëria ka nisur në muajt e fundit nga shërbimet sekrete, të cilat gjithashtu kanë theksuar edhe rrezikun e radikalizimit ekstremizmit islamik në Shqipëri.

Ndërkohë që dje në Vlorë u gjet një makinë me targa amerikane në det, e cila dyshohet se është përdorur për trafik droge, pasi mjeti ishte i lidhur me një karrel mjeti ujor prej 5 m.

Por nuk dihet nëse makina e gjetur në det ka lidhje me sasinë e kanabisit që u trafiku përmes Otrantos drejt Italisë natën e së martës dhe që u sekuestrua nga policia italiane.

Aktualisht makina është dërguar në ambientet e komisariatit të Vlorës, për t’ju nënshtruar ekspertizës.
Itali, kapet gomonia me 700
kg kanabis, vinte nga Shqipëria