Kosova pasive, Shqipëria në sulm për Haradinaj

0
Kosovo's former prime minister Ramush Haradinaj gestures during an interview with The Associated Press in Kosovo's capital Pristina Tuesday, April 22, 2008. Kosovo's former prime minister, acquitted of killing Serbs by a United Nations war crimes tribunal called upon ethnic Albanians Tuesday to make a "proper offer" for the Serb minority to overcome their objections to Kosovo's independence. Haradinaj urged governments around the world Tuesday to help peace in the Balkans by recognizing Kosovo's independence. "We call upon other countries to recognize us as an independent state," Haradinaj told the Associated Press in an interview Tuesday. "It would be the right input to normalization and peace in the region". Kosovo's independence has been swiftly recognized by 38 countries, including the United States, Japan, Canada and most member countries in the European Union. (AP Photo/Visar Kryeziu)

Arrestim i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në Francë për akuzat e ngritura nga shteti serb ka vënë në lëvizje gjithë autoritetet më të larta shtetërore në Shqipëri. Si rrallë herë, i gjithë faktori politik në Tiranë ka pasur një qëndrim të përbashkët lidhur me kërkesën për lirimin e tij dhe motivet e ndalimit në shtetin francez.

Presidenti i vendit, Bujar Nishani e cilësoi arrestimin si një veprim të pajustifikuar. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta është politikani që ka qenë më tepër aktiv për këtë çështje. Meta është ndër të parët që reagoi në cilësinë Kreut të Kuvendit dhe kreut të LSI-së për ndalimin e politikanit dhe ish-luftëtarit të UÇK-së në Francë. Vetëm pak orë pas ndalimit të tij në aeroportin n e Francës, Ilir Meta do të deklaronte se arrestimi i Haradinajt në bazë të një urdhri të shtetit serb në vitin 2004 “është i pakuptimtë, i papranueshëm dhe nuk ndihmon frymën e dialogut dhe bashkëpunimit të deritanishëm mes Prishtinës dhe Beogradit”. Përveç qëndrimeve dhe angazhimit institucional në Tiranë, kreu i Parlamentit Meta është i vetmi zyrtar i lartë që vizitoi këto ditë Prishtinë. Në takimet e zhvilluar me politikanë në Kosovë, temë kryesore ka qenë koordinimi i qëndrimeve mes Tiranës dhe Prishtinës lidhur me çështjen Haradinaj.

Një ditë pas arrestimit të Ramush Haradinajt, Kryeministri Edi Rama, në një reagim publik e cilësoi qëndrimin e vendeve të BE-së, që zbatojnë fletë-arrestet e Serbisë për luftën në Kosovë, si një sjelle që mund të dëmtojë seriozisht stabilitetin në Ballkan. Rama shkoi edhe më tej në qëndrimin e tij, teksa tha se me këto qëndrime, Kosova do të ndjehet e tradhtuar nga vendet e Bashkimit Europian. Në të njëjtën linjë ishte dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili tha dje se arrestimi i Haradinaj rrezikon të destabilizojë Ballkanin dhe të tensionojë marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Pra rikthim në një Ballkan fuçi baruti, ku BE do jetë e humbur, përveç shteteve të Ballkanit.

Reagimet e Tiranës zyrtare kanë qenë jo vetëm me deklarata të forta, por edhe në rrugë institucionale. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në rrugë zyrtare kërkoi nga homologu i tij francez, Jean-Jacques Urvous që të verifikonte urdhër-arrestin e Serbisë për Haradinaj. Duke vënë në dukje seriozitetin e drejtësisë franceze, Manjani theksonte se Serbia ka përdorur INTERPOL (Organizatën Ndërkombëtare të Policisë) për të ekzekutuar një urdhër-arrest politik. Gjithashtu, Manjani rendiste disa argumente juridikë, që kanë të bëjnë me faktin se akuzat për të cilat Serbia kërkon ekstradimin e Haradinajt janë gjykuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

 Po dje, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock, kërkon rishqyrtimin dhe rivlerësimin e Urdhër Arrestit ndërkombëtar për Ramush Haradinaj. Tahiri vlerëson që përveç se Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, urdhër-arresti i Serbisë ka probleme procedurale. Kjo pasi fletë-arresti i vitit 2004 është kërkuar nga Unioni Serbi-Mali i Zi, i cili nuk ekziston më si shtet dhe Haradinaj nuk është shtetas i Serbisë.

Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe qëndrimet e opozitës në Tiranë. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetë të tjerë të djathtë kanë reaguar ndaj arrestimit të ish-luftëtarit të UÇK-së. Në qëndrimet e opozitës ka pasur dhe kritika në adresë të qeverisë, që më shumë se me rastin Haradinaj kanë të bëjnë me politikën e ditës dhe sulmet ndaj Kryeministrit Edi Rama. Kritika e PD ndaj Ramës kanë të bëjnë me faktin se Tirana, para se të ulët në bisedime me Beogradin, duhet të kërkojë heqjen e të gjitha urdhër-arresteve për ish-luftëtarët e UÇK-së në Kosovë. Pavarësisht këtyre qëndrimeve të PD-së, ajo që bie në sy është se klasa politike në Tiranë, si rrallë herë, është hedhur e gjitha në ofensivë politike dhe diplomatike për çështjen Haradinaj.

E njëjta gjë nuk rezulton se po ndodh në Kosovë për çështjen Haradinaj. Të paktën në qëndrimet publike, Presidenti i Kosovës, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe gjithë faktori politik kanë qenë më shumë se të matur ndaj arrestimit të ish-kryeministrit. Përveç një proteste civile të organizuar në Prishtinë nga mbështetësit e Haradinajt, qëndrimet e tjera të institucioneve kanë qenë vetëm deklarata në rrjetet sociale. Në një farë mënyre pushteti në Kosovë e donte indirekt një arrestim të tillë, pasi e shikojnë Ramush Haradinaj si një kandidat të fortë për kryeministër.

Me sa duket politika, smira, zilia etj ndaj popullaritetit të Ramush Haradinaj nga segmente pushtetore dhe politike në Kosovë ka sjellë se në vetvete janë duke fërkuar duart me ndalimin e tij. Por kjo është një tradhti e madhe ndaj kauzës kosovare dhe kombëtare nga disa faktorë politikë në Prishtinë, të cilët heshtin ndaj arrestimit të paligjshëm të Haradinaj ose nuk dalin hapur dhe fort në mbrojtje të tij. Me sa duket dhe shokët e luftës e kanë tradhtuar, duke u bërë pa dashje në koalicion me Serbinë. Por populli i thjeshtë është më Ramushin. Kjo ka rëndësi.

Sigurisht, Franca është një shtet me drejtësi të konsoliduar dhe është naive të mendohet se qëndrimet në Tiranë do ndikojnë tek gjykatat franceze. Por ajo që pretendojnë dhe ekspertë dhe juristë ndërkombëtarë të drejtësisë për rastin Haradinaj është se urdhër-arresti dhe kërkesa për ekstradimin e tij në Serbi është politike. Ndaj një zhvillim i tillë ka nevojë dhe për mbështetje dhe reagime politike të forta të të gjitha niveleve të shtetit shqiptar në Tiranë dhe të shtetit të Kosovës në Prishtinë.

Spiten Prulli