Basha telefonon Anita Haradinajn: Rama t’i japë fund dorëzimit para Serbisë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një bisedë telefonike me bashkëshorten e kreut të AAK, Ramush Hardaninaj, Anita Haradinaj për t’i shprehur mbështetjen e tij personale dhe politike.

Lajmi bëhet me dije nga vetë kreydemokrati Lulzim Basha, i cili i bën thirrje ‘qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë t’i kërkojnë Francës lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Ramush Haradinajt, dhe të ndërpresin çdo lloj angazhimi me Beogradin deri në tërheqjen e të gjitha urdhër-arresteve ndërkombëtarë të Serbisë ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës që luftuan kundër regjimit vrasës të Milosheviçit’.

“Sonte në mbrëmje bisedova me Anita Haradinajn, bashkeshorten e Ramushit. I shpreha shqetësimin dhe revoltën time për këtë goditje tjetër të pabesë serbe ndaj heroit të Kosovës dhe mbështetjen time të plotë personale dhe politike. Jam i bindur se sot të gjithë shqiptarët janë me Ramush Haradinajn, pavarësisht bindjeve politike dhe përkatësive partiake.

Anita më tha se Ramushi është plot kurajë, dhe mbi të gjitha me besim se asgjë nuk mund të frenojë përparimin e Kosovës.
I bëj thirrje qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë t’i kërkojnë Francës lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Ramush Haradinajt, dhe të ndërpresin çdo lloj angazhimi me Beogradin deri në tërheqjen e të gjitha urdhër-arresteve ndërkombëtarë të Serbisë ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës që luftuan kundër regjimit vrasës të Milosheviçit.

Ndërsa Rama duhet të kuptojë më në fund se dorëzimi i tij para qeverisë serbe pa kushte dhe pa asnjë dobi për shqiptarët duhet të marrë fund”, shkruan Basha.