‘Më vrave qen!”, fjalët e fundit të viktimës në Ksamil

“Më vrave, qen!”. Këto ishin fjalët e fundit që ka thënë Agron Xhezairi, 53-vjeçari i qëlluar në derën e shtëpisë së tij mbrëmjen e së dielës.

Babai i të shumëkërkuarit për të një vrasje të ndodhur në shtator, arriti t’i shpëtojë një atentati me tritol një muaj më parë por nuk e kishte menduar se do ta ekzekutonin brenda rrethimit të shtëpisë.

Nga burime të Policisë mësohet se pasditen e së dielës kishte shkuar për vizitë në familjen Xhezairi, kunata e viktimës.

Ky i fundit ka dalë për ta përcjellë, pasi ishte bërë errësirë. Ai mbante një qen të lidhur tek makina për ruajtje.

Sa dolën jashtë e duke shkuar tek makina nga kopshti i komshisë, është gjuajtur me armë zjarri mbi të. Në atë moment mësohet të ketë thënë “Më vrave qen!”.

Djali i viktimës, Albi Xhezairi, është personi i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit, vëllait të ish-kryekomunarit të Kaçinarit në Mirditë, raporton Panorama.