Aministia, qeveria miraton draftin me dhjetëra kategori përfituesish

Qeveria miraton draftin për amnisti ndaj të burgosurve. Drafti, i cili iu dorëzua kabinetit të ministrave nga ministria e Drejtësisë, parashikon dhjetëra kategori përfituesish.

Risia e kësaj amnistie është se nuk përfitojnë nga kjo amnisti përsëritësit e të njëjtës vepër penale, ata që i janë shmangur drejtësisë, apo të liruarit me kusht. Risi është edhe amnistia për të dënuarit me dëmtime të përhershme fizike apo të diagnostikuar me sëmundje të rënda të pashërueshme.

Drafti i plotë më poshtë jep të detajuar kategorinë e përfituesve, ndërsa Shqiptarja.com saktëson se cilat vepra penale nuk amnistohen në rastin e pushimit të hetimeve për vepra që dënohen deri në dy vjet.

Pushohen ndjekjet penale për çështjet në proces, për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2016, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet, përveç veprave: Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik; Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik; Goditjet për shkak të detyrës ; Kanosja për shkak të detyrës; Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik; Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore; Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore; Ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël dhe i shoqërisë audituese pa qenë i regjistruar dhe Mbajtja pa të drejtë e uniformës.