Afrim Krasniqi: Zgjedhja e presidentit ka një skenar krize

Studiuesi i shkencave politike Afrim krasniqi thotë se zgjedhja e presidentit ka një skenar krize i cili mund të anuloj zgjedhjen e tij në pranverë dhe të kemi një president tjetër në vjeshtë. Skenari bazohet në problemet që lindin me periudhën e tranzicionit të presidentit që këtë radhë pritet të zgjas nga Maji në më 24 Korrik, kur është data që presidenti duhet të betohet.

Ja se çfarë thotë Krasniqi. “Po, ka potencial për krizë. Jo për zgjedhjen e Presidentit por për marrjen e detyrës prej tij. Nuk duket normale që ndërkohë që parlamenti është shpërndarë dhe është zgjedhur parlamenti i ri, për shkak se ky i fundit nuk ka kryer ende betimin, do të duhet të thirret parlamenti i vjetër për ceremoninë e betimit.

Nëse parlamenti i vjetër (ky aktual) nuk mblidhet me 71 deputetë prezent më 24 korrik 2017 atëherë pamundësohet betimi i Presidentit, Presidenti i zgjedhur nuk merr detyrën dhe posti i Presidentit ushtrohet nga kryetari i parlamentit për periudhën deri në zgjidhjen e krizës. Imagjinoni të ndodhë rotacion politik: mazhoranca e re nuk do pranonte politikisht mbledhjen e mazhorancës së vjetër për betimin e Presidentit ndërkohë që qytetarët mund të kenë votuar kundër saj. Situata të tilla absurde do të duhej të zgjidheshin me ndryshimet kushtetuese 2016. Në emër të Institutit të Studimeve Politike i kam ngritur dhe propozuar ato, por palët politike nuk ishin të interesuara për shmangien e kurtheve të tilla politike e procedurale.

Zgjedhja e Presidentit do të duhej të bëhej në periudhën qershor 2017, por për shkak se është vit i dyfishtë elektoral dhe ka zgjedhje edhe për parlamentin, kushtetuta parashikon procedura specifike. Konkretisht, sipas nenit 88 “kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit”.

Sipas kësaj dispozite, për shkak se mandati i parlamentit aktual përfundon më 9.9.2017, atëherë zgjedhja e Presidentit do të duhet të bëhet “jo më vonë se 60 ditë përpara mbarimit të mandatit”, pra jo më vonë se 9.7.2017. Sipas nenit 88, “procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës”. Kjo do të thotë, se procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri do të duhet të fillojë jo më vonë sesa 24.5.2017. për shkak se parlamenti do të duhet të shpërndahet përafërsisht në këtë datë, atëherë duke llogaritur te paktën 4 raunde, duhet të realizohet përpara datës 25 maj, ndaj edhe praktika për zgjedhjen e Presidentit duhet të nisë midis datave 25 prill – 24 maj 2017. Pra, në çdo rast, ky parlament do të duhet të zgjedhë Presidentin dhe ky parlament do të duhet të mblidhet me 24 korrik për betimin e Presidentit, pavarësisht se ndërkohë kemi zgjedhur parlament të ri me 18 qershor 2017.

Qeveria e re krijohet në shtator, pasi betohen deputetet dhe formësohet legjislatura e re. Qeveria aktuale, nëse nuk ka zgjedhje të reja, vijon deri në shtator, pavarësisht sesi mazhoranca ose vetë PS del në zgjedhjet parlamentare 2017. Për pasojë, në shtator do të kemi president të ri në detyrë, i cili mandaton edhe kryeministrin, dekreton ministrat dhe më pas udhëheq edhe procesin e betimit të saj. Vetëm nëse ndodh varianti i postit vakant të Presidentit parashikuar më lart, vendi mund të hyjë në krizë dhe praktikat normale kushtetuese do të kërkonin sforcim dhe rishqyrtim për zgjidhje të tjera optimale për presidentin, për parlamentin dhe për qeverinë e re. Gjithsesi për qeverinë është më thjesht, në çdo rast ajo dekretohet e fundit, dhe nuk paraqet rrethanë për krizë të mundshme politike dhe as boshllëk legjislativ. Problemi i vetëm i qeverisë do të jetë nëse ajo ka mazhorancë të qëndrueshme votash, nëse mandatin do ta ushtrojë partia më me shumë mandate apo do të kemi koalicione të reja politike, – detaje që nuk cenojnë praktikat kushtetuese por janë pjesë e lojës dhe e kalkulimeve të ndryshme politike