Dënimet alternative, Manjani: Burgu s’është zgjidhje, jo standard demokratik

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në një tyrezë për dënimet alternative ka deklaruar se burgu nuk është zgjidhja, por duhet të aplikohen mjete të tjera.

“Burgu – tha  Manjani-  është mjeti i fundit, nuk është standard demokratik. Ka mjete të tjera alternative që duhet të nisin të aplikohen. Në shumë raste t’i marrësh parate dikujt është më ndëshkuese se sa ta mbash në burg”, u shpreh ministri.

Po ashtu Manjani u shpreh se së bashku me prokurorinë po rishikojnë kodin e procedurës penale.

Edhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla mbështeti nismën e dënimeve alternative, duke deklaruar se i përgjigjet shqetësimit të ministrit për mbipopullimin e burgjeve.

Prokuroria Shqiptare vlerëson se dënimet alternative janë një formë efikase për dhënien e drejtësisë, sepse mbi të gjitha synon riintegrimin e plotë të të dënuarve në shoqëri dhe parandalimin e rikthimit në rrugën e krimit. Nga ana tjetër, duke shtuar numrin e kërkesave për dënime alternative, Prokuroria Shqiptare i është përgjigjur edhe shqetësimit të Ministrisë së Drejtësisë për mbipopullimin e institucioneve të vuajtjes së dënimit. Tashmë të gjithë e dimë se kostoja për mbajtjen e të burgosurve është një shqetësim për financat publike. Ndaj, Prokuroria ka synuar që, brenda hapësirës ligjore penale, të minimizojë shpenzimet financiare në këtë drejtim. Prokurorët janë udhëzuar që të forcojnë bashkëpunimin me Shërbimin e Provës. Në vlerësimin tonë, ky shërbim përbën një instrument të rëndësishëm për t’iu përafruar standarteve perëndimore”, tha Llalla.