Posta Shqiptare feston 104-vjetorin duke bërë bamirësi

Me rastin e 104- vjetorit të krijimit të Administratës së Parë, Posta Shqiptare me qëllim përmbushjen e një objektivi të rëndësishëm të kësaj kompanie siç është përgjegjësia sociale, organizoi një aktivitet në mbështetje të  “Shtëpia e të Moshuarve”, një institucion, i cili ofron akomodim në mbështetje të moshës së tretë.

Aktiviteti i zhvilluar në ambientet e “Shtëpia e të Moshuarve”, kishte si qëllim përmbushjen e disa nevojave bazike të këtij institucioni, përmes një donacioni, me paisje të ndryshme elektro-shtëpiake.

Gjatë aktivitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare  z. Majlind Lazimi, tha se këtë vit kishin vendosur ta festonin ndryshe 104 vjetorin e krijimit të Postës Shqiptare, duke ju ardhur në ndihmë moshës së tretë. “Këtë vit vendosëm të mos e festonim me ekspozita, por zgjodhëm që si lajtmotiv të festës tonë të kishim mbështetjen ndaj një shtresë e cila ka nevojë për kujdesje, siç janë të moshuarit, ndaj vendosëm që të kontribuonim sado pak për të ndihmuar në nevojat që ka ky institucion social”- tha z. Lazimi.

Lazimi theksoi me tej se “Ne si Postë Shqiptare nuk duam të shikohemi thjeshtë në planin e një kompanie publike tregtare, ku gjatë gjithë vitit krijojmë mundësinë që t’ju shërbejmë klientëve tanë, por ti shikojmë pikërisht disa shtresa të shoqërisë siç janë të moshuarit, jo thjeshtë si klientë që marrin çdo fund muaji pensionin e tyre, por mbi të gjitha duam të shpërblejmë pikërisht këtë përkrahje të tyre, këtë besim të tyre tek Posta Shqiptare, në këtë ditë jubilare për ne, siç është përvjetori i 104-t i Postës Shqiptare. Në fakt jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë filialet tona, kemi shprehur interesin që Posta Shqiptare sipas mundësive që ka, të kontribuojë dhe të shprehë këtë përgjegjësi sociale në institucione të ndryshme siç janë jetimoret, institucionet e fëmijëve me aftësi të kufizuar, etj.”

Ndër të tjera, Z. Lazimi shtoi “jam shumë i lumtur që patëm mundësi të bashkëpunomin, dhe pse jo t’ju rikthejmë sado pak buzëqeshjen këtyre të moshuarve, pavarësisht vështirësive ekonomike dhe sociale që secili prej tyre ka.”

Në fund të fjalës së tij, z.Lazimi theksoi faktin se Posta Shqiptare nuk do të shfrytëzojë vetëm ditët e rëndësishme siç është kjo e sotmja, por gjatë gjithë vitit do të ketë ndjeshmërinë dhe sensitivitetin për të qenë sa më afër shtresave në nevojë.

Gjithashtu gjatë këtij aktiviteti, Drejtoresha e “Shtëpia e të Moshuarve”, znj, Anila Peçi, falenderoi Postën Shqiptare në emrin e të gjithë të moshuarve për ndihmën dhe donacionin utilitar që Posta Shqiptare kontribuoi sot.